Kurti: Në Kosovë vetëm vdekja është e lehtë

13:50 | 10 Shkurt 2018
Arbresh.info

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e ka përshkruar Kosovën si vend ku më së lehti është të vdesësh.

Këtë konstatim e ka dhënë në një intervistë për një gazetë zvicerane.

“Pothuaj nuk është e mundshme të marrësh kapital. Është tmerrësisht vështirë të ndërmarrësh diçka, dhe edhe më vështirë të zhvillosh diçka në aspektin afatgjatë. Në Kosovë vetëm vdekja është e lehtë”, ka thënë Albin Kurti, për gazetën zvicerane, Schweiz am Wochenende.

Kurti ka thënë se Shteti i Kosovës funksionon vetëm falë parave të diasporës. Ka thënë se Shteti do të dështonte sikur për tre muaj të mos çonin para kosovarët që jetojnë jashtë shtetit.

Kurti ka folur edhe për vrasjen e Ivanovicit duke thënë se politikani serb u vra pasi kishte probleme me Presidentin e Serbisë.

“Vrasja e Ivanoviqit është çështje e brendshme serbe”, ka thënë Kurti.

Kurti ka krahasuar Kosovën me Kinën kur ka folur për numrin e ministrave dhe të zëvendësministrave.

“Për shembull gjatë vendimit se sa ministra duhet emëruar. Qeveria aktuale ka 21 ministra dhe 82 zëvendësministra. Janë më shumë se në Kinë. Ky është nepotizëm i qartë, shenjë e korrupsionit shtetëror. T’i shpërblesh anëtarët e familjes dhe veteranët e partisë me poste të tilla nuk është mënyrë e duhur për të ndërtuar një shtet demokratik të bazuar në sundim të ligjit”, ka shtuar ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme