Kurti në konferencë flet për programet mbështetëse për bujqit

19:52 | 9 Mars 2022
KRG

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot bashkë me ministrin e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka mbajtur konferencë për media në lidhje me programet e subvencionimit për bujqit.

“Sot duke mbajtur zotimin e dhënë para qytetarëve, Qeveria e Republikës së Kosovës do të subvencionojë çmimin e naftës për bujqit në vlerë prej 5 milionë euro, andaj prej 36 cent për litër do të subvencionohet nafta për të gjitha kulturat, ” tha Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, në konferencë për medie, përcjell arbresh.info.

Buxheti i paraparë për kategorinë e subvencioneve për këtë vit ka qenë 31 milionë euro. Përtej planifikimeve tona fillestare, ky buxhet tashmë ka një rritje prej 41 për qind apo afro 20 milionë euro më shumë, e që në total i bie afër 50 milionë euro, tha kryeministri.

Ai theksoi se të gjitha këto për qëllim kanë rritjen e rendimentit që i përket kërkesës vendore për konsum dhe e zëvendëson nevojën për import të lartë, po aq edhe sa avancimin e sektorit të bujqësisë si një prej sektorëve me potencial të zhvillimit ekonomik të vendit tonë.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Të nderuar gazetarë,

Të dashur qytetarë,

Ju faleminderit që i jeni bashkuar ftesës për këtë konferencë për medie, në të cilën unë jam bashkë me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z.Faton Pecin.

Paradite në mbledhjen e Qeverisë morëm vendime të rëndësishme, por edhe paralajmëruam që pasdite do të kemi një njoftim të rëndësishëm për bujqit tanë.

Në tetor të vitit të kaluar e patëm bërë të ditur se thirrjet për subvencione për këtë vit do të hapen në çerekun e parë të vitit dhe atë po e bëjmë.

Programet e subvencionimit do të shpallen në këtë muaj, pra në muajin mars.

Nuk do të kemi vonesa, por vendosje rekord të programeve mbështetëse për bujqit.

Investimet dhe përkrahja në këtë sektor kërkojnë vëmendje dhe planifikim, ashtu që të kenë zbatimin e duhur.

Te ne prodhimi i ulët vendor, varësia e plotë në imputet e importuara, dhe si importues neto të prodhimeve agro-ushqimore, kanë bërë që të goditemi të parët edhe nga krizat më të vogla.

Nafta paraqet një ndër shpenzimet kryesore operative për fermerët. Deri këtë vit, përkundër premtimeve që janë dhënë, asnjë qeveri nuk i ka përkrahur bujqit në këtë drejtim.

Pra, ne po sigurohemi që vetëm bujqit e vërtetë të marrin përkrahje dhe tani po e shtojmë këtë përkrahje.

Me subvencionimin e naftës, përmbushet edhe një zotim publik, zgjedhor dhe qeveritar i yni.

Deri dje ky ishte një zotim, ndaj të cilit ishim llogaridhënës, kurse sot është nevojë urgjente e bujqve ndaj të cilëve kemi përgjegjësi. Sot duke mbajtur zotimin e dhënë para qytetarëve, Qeveria e Republikës së Kosovës do të subvencionojë çmimin e naftës për bujqit në vlerë prej 5 milionë euro, andaj prej 36 cent për litër do të subvencionohet nafta për të gjitha kulturat.

Në raport me rrethanat e krijuara për produktet e tilla strategjike, bujqit përpos naftës do të subvencionohen edhe për plehërim pranveror. 150 euro për hektar për grurin kurse nga 100 euro për hektar për kulturat e misrit, patates dhe fasules. Ndërkaq për grurin, përveç subvencionimit prej 150 euro për hektar, do të bëhet subvencionimi prej tre cent për kilogram për dorëzim në mulli të rendimentit. Në total duke përfshirë këtu subvencionimin e sipërfaqes, rendimentit, plehërimit pranveror, dhe naftës, kulturën e grurit po e subvencionojmë për 474 euro për hektar. 324 euro më shumë se viti i kaluar, ose një rritje prej 216 për qind.

Buxheti i paraparë për kategorinë e subvencioneve për këtë vit ka qenë 31 milionë euro. Përtej planifikimeve tona fillestare, ky buxhet tashmë ka një rritje prej 41 për qind apo afro 20 milionë euro më shumë, e që në total i bie afër 50 milionë euro. Të gjitha këto për qëllim kanë rritjen e rendimentit që i përket kërkesës vendore për konsum dhe e zëvendëson nevojën për import të lartë, po aq edhe sa avancimin e sektorit të bujqësisë si një prej sektorëve me potencial të zhvillimit ekonomik të vendit tonë. /arbresh.info/

 

Të ngjashme