Për vite me radhë kjo temë ka qenë tabu në shoqërinë tonë. Akoma në shumë raste vazhdon të jetë tabu.
Megjithatë më e pakta që ne mund të bëjmë për të gjitha gratë dhe burrat e përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, është që të flasim hapur me ta – jo për ta, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në hapje të ekspozitës “Njeri ish ma i fortë se guri”.
Për këtë arsye, kryeministri tha se ekspozita e organizuar në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës nga forumZFD sjell pikërisht atë që duhet. Përmes rrëfimeve autentike, në njërën anë trajton traumën e përdhunimit, stigmën dhe margjinalizimin, e në anën tjetër shpresën, qëndrueshmërinë dhe dëshirën për jetë, theksoi ai.
Sepse vetëm duke diskutuar hapur e në mënyrë të çiltër për dy anët e medaljes, do të kemi mundësi të ndihmojmë në ri-pozicionimin e narrativës për dhunën seksuale në diskursin publik, tha kryeministri.
Ekspozita është e bazuar në rrëfimet e personave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, nga libri “Unë dua të dëgjohem” të cilin Kryeministri Kurti, në takimin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në Bruksel, më 19 korrik 2021, ia pat dhuruar Përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe
Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por ky i fundit e pat refuzuar./arbresh.info/
Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:
E nderuara Brikena, i nderuar Korab,
E nderuara zëvendëskryeministre Gërvalla,
E nderuara Ministre Haxhiu,
Të nderuar përfaqësues të Muzeut të Republikës së Kosovës,
Të nderuar përfaqësues të ambasadave, organizatave ndërkombëtare dhe shoqërisë civile,
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Është kënaqësi e madhe për mua që të jem sonte këtu me ju, në hapjen e kësaj ekspozite e cila mëton të përçojë një mesazh shumë të rëndësishëm.
“Njeri ish ma i fortë se guri” është titulli më i mirë që keni mundur t’ia vendosni ekspozitës së sontme. Ky titull më kujton thënien “I ra gurit dhe e çau, i ra njeriut e s’e vrau”. Mbase përshkrim i mirë që mund t’i bëhet krejt përjetimeve të bartura nga të gjithë ne gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Është e qartë që kjo luftë ka lënë plagë të mëdha tek secili prej nesh përgjithësisht, e te thella tek bartësit e dëmeve specifike posaçërisht. Një kategori e veçantë për të cilën është filluar të diskutohet shumë vonë janë gratë dhe burrat e përdhunuar në këtë luftë.
Përdhunimi është përdorur si mjet i luftës nga okupatori serb, ka shkatërruar shumë jetë, ka hapur shumë plagë, e ka shuar shumë histori.
Për vite me radhë kjo temë ka qenë tabu në shoqërinë tonë. Akoma në shumë raste vazhdon të jetë tabu. Megjithatë më e pakta që ne mund të bëjmë për të gjitha gratë dhe burrat e përdhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, është që të flasim hapur me ta – jo për ta.
Të flasim në emër të tyre, pa denjuar t’i dëgjojmë, është gabim. Ka një arsye pse vëllimi “Unë dua të dëgjohem” ka pikërisht këtë emër. Sepse këta persona duan dhe meritojnë të dëgjohen.
Për këtë arsye konsideroj që ekspozita e sontme sjell pikërisht atë që duhet. Përmes rrëfimeve autentike, në njërën anë trajton traumën e përdhunimit, stigmën dhe margjinalizimin, e në anën tjetër shpresën, qëndrueshmërinë dhe dëshirën për jetë.
Ky është tandemi për të cilin ne duhet të diskutojmë. Sepse vetëm duke diskutuar hapur e në mënyrë të çiltër për dy anët e medaljes, do të kemi mundësi të ndihmojmë në ri-pozicionimin e narrativës për dhunën seksuale në diskursin publik.
Për fund, dëshiroj që t’ju ftoj të gjithëve që këtë ekspozitë ta shohim duke u munduar të vendosim veten në këpucët e tjetrit. Kësisoj mund të tentojmë t’i afrohemi sadopak përjetimeve të ekspozuara sot këtu. Të ndjejmë jo vetëm keqardhje e simpati, por dhe empati për ta e solidaritet me ta.
Ju faleminderit.
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?