Google ADS

Kurti në edicioni i 10-të i Shkollës Diplomatike: Kosova është një vend që mbështetet thellësisht në diplomaci

14:01 | 21 Tetor 2024
E.H

Në qytetin e Pejës, u bë hapja solemne e edicionit të 10-të të Shkollës Diplomatike për diplomatë të rinj.

ër pesë ditë, nga 21 deri me 25 tetor, në gjithsej 13 sesione të ndryshme përgjatë javës, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të ndjekin panele të diskutimit me ekspertë të fushës, përfaqësues të lartë të qeverisë, profesorë universitarë e përfaqësues diplomatikë në kuadër të temës qendrore të edicionit të sivjetmë, “Roli për Humanizimin: Vitaliteti i Përpjekjeve Diplomatike për Përballimin e Krizave”, përcjell Arbresh.info.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti mori pjesë në hapjen e këtij edicioni, me ç’rast mbajti një fjalim mirëseardhës. Duke iu uruar pjesëmarrësve sesione të suksesshme dhe përvojë të pasur në Kosovë, ai tha se më shumë se shtetet tjera, Kosova është një vend që mbështetet thellësisht në diplomaci.

“Nga Madeleine Albright te Martti Ahtisaari, arritjet tona kanë qenë kryesisht sukses i diplomacisë, të mbështetur nga diplomacia e fortë (hard power) dhe diplomacia e butë (soft power). Si një vend që ka përfituar shumë nga diplomacia ndërkombëtare, ne besojmë fuqishëm se është detyra e jonë të investojmë në trajnimin e diplomatëve të mëdhenj, jo vetëm për të nxitur përparimin tonë shumë të nevojshëm por gjithashtu për të kontribuar dhe shpaguar botën. Shkolla Diplomatike, e cila tani po feston 10-vjetorin e saj, është një nga mënyrat sesi po e bëjmë këtë”, u shpreh kryeministri.

Ai tha se, që një diplomaci të jetë e suksesshme, kërkohet zotërim i mirë i historisë së rajonit, të kuptuarit e kulturës së njerëzve apo popullit dhe konsideratë ndaj ekonomisë së vendit.

“Të zotërosh historinë do të thotë të jesh në gjendje të mendosh në kontekstin e kohës dhe të gjesh përgjigje për pyetjet aktuale, sepse shumë nga sfidat e tanishme nuk janë vërtet të reja. Ato vijnë nga një sfond historik që na paraqiten në formë tjetër, por të rrënjosur në histori, të ushqyer nga kultura dhe të kushtëzuar nga ekonomia”, shtoi Kurti.

Nuk është ekzagjerim të thuhet se e ardhmja e njerëzimit do të varet nga diplomatë të rinj si ju, u shpreh kryeministri Kurti teksa ju drejtua pjesëmarrësve të edicionit të 10-të të Shkollës Diplomatike, të cilëve u uroi diskutime produktive dhe qëndrim të këndshëm në Kosovë me shpresën që me shumë prej tyre do të mund të takohet përsëri në të ardhmen në angazhimet e tyre diplomatike.

Krahas kryeministrit, fjalim mirëseardhës pati edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, e cila theksoi se prania sot, pikërisht në Kosovë, e pjesëmarrësve nga 30 vende të ndryshme, nënvizon besimin tonë të përbashkët për rolin qenësor të diplomacisë.

“Kosova është produkt i bashkëpunimit ndërkombëtar, e lindur nga një përpjekje e vendosur globale për të ndalur luftën dhe gjenocidin, për të siguruar paqen dhe për të ndërtuar një të ardhme të bazuar në drejtësi dhe respekt të ndërsjellë. Historia jonë shërben si një rikujtim i fuqishëm i rëndësisë së diplomacisë në përballje me kriza dhe në parandalimin e tyre para se ato të ndodhin”, u shpreh Gërvalla.

Ajo shtoi se Republika e Kosovës është një shtet me qëndrime të forta të bazuara në vlera, ku 90% e qytetarëve tanë mbështesin integrimin në BE dhe NATO, dhe kjo pasqyron përkushtimin tonë të palëkundur ndaj demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit.

Fjalë mirëseardhëse në ceremoninë hapëse patën edhe Mirjeta Behluli, ushtruese e detyrës e Drejtores së Përgjithshme të Akademisë Diplomatike, Rudina Nallbani Hoxha, Menaxhere e Programit në Fondacionin Friedrich Ebert dhe Mattias Conrad, zëvendësambasador i Gjermanisë në Kosovë.

Edicioni i 10-të jubilar i Shkollës Diplomatike për diplomatë të rinj organizohet nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në bashkëpunim me Fondacionin Friedrich Ebert./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme