Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, nën përkujdesjen e Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, janë bërë homazhe tek përmendorja dedikuar personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, pranë Kuvendit të Kosovës.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, përfaqësues të organizatave të familjarëve të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe me ambasadorë e diplomatë të tjerë të akredituar në vendin tonë, pasi vendosi lule të freskëta dhe bëri homazhe, tha se ende pas 25 vjetëve nuk dihet për fatin e 1595 personave.
“Shumica dërmuese apo afër 94 përqind të atyre që u zhvarrosën dhe u kthyen si kufoma në vendlindje, kjo ndodhi në muajt e fundit të vitit 2000 dhe përgjatë vitit 2001, pra pas rrëzimit të Millosheviqit në Serbi, në varrezat masive në Batajnicë, Petrovo Selo edhe Peruçac. Në këto tri varreza masive gjithsej janë nxjerrur 900 shqiptarë, pleq, gra, fëmijë, 900 gjithsej. 744 në Batajnicë dhe 84 dhe 72 në Petrovo Selo edhe në Peruçac. Pastaj, nuk ka pasur zhvarrime të tjera, sepse nuk ka pasur gërmime dhe, në periudhën nga viti 2010 deri në 2021, në dy varreza tjera masive janë nxjerrur edhe 61 shqiptarë të tjerë, 54 në Rudnicë edhe 7 në Kizhevak.
Pra, pjesa dërmuese, afër 94 për qind të zhvarrosurve janë në muajt e parë pas rrëzimit të Millosheviqit dhe më pastaj nuk ka pasur vullnet në Serbi për gërmime të mëtutjeshme. Në Kosovë i kemi 2800 gërmime në këto 25 vjet liri, ndërkaq në Serbi janë vetëm këto pesë varreza masive.” u shpreh kryeministri.
Si rezultat i punës dhe angazhimit të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, në krye të të cilit ndodhet Andin Hoti, por edhe angazhimit të organizatave e shoqatave të familjarëve, kanë filluar gërmimet në Kozhlje, i cili është një vend në Serbi, në Sanxhak, midis Tutinit edhe Novi Pazarit.
Kryeministri Kurti bëri thirrje edhe njëherë faktorëve ndërkombëtarë që ashtu qysh na kanë ndihmuar me trysni mbi Serbinë që të fillojë gërmimi atje, të bëjnë trysni mbi Beogradin që të hapet arkiva e Brigadës së motorizuar 37 të ushtrisë jugosllave, aty ku edhe është e vërteta.
“Ne po kërkojmë jo hapjen e arkivave thjesht në përgjithësi, atë doemos, mirëpo po kërkojmë edhe hapjen e një arkive fort specifike, është arkiva e Brigadës 37 të motorizuar të ushtrisë jugosllave”, tha kryeministri.
Kryeministri Kurti tha se kurrë nuk ka qenë prioritet më i lartë në Qeverinë e Republikës së Kosovës sesa tani gërmimet vlerësuese, gërmimet në përgjithësi, trysnia mbi Beogradin dhe bashkëpunimi me faktorët ndërkombëtarë, aleatët e partnerët tanë të cilët i falënderoi për angazhimin e tyre.
Prononcimi për media i kryeministrit Kurti:
Sot në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur bashkë me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz dhe me Nënkryetaren e Kuvendit të Republikës, Saranda Bogujevci, si dhe me udhëheqës e përfaqësues të organizatave të familjarëve të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe me ambasadorë e diplomatë të tjerë të akredituar në Republikën tonë, bëmë homazhe këtu tek lapidari kushtuar më të dashurve tanë, për fatin dhe vendndodhjen e të cilëve nuk dimë ende asgjë as pas 25 vjetëve.
E bëhet fjalë për 1595 persona. Shumica dërmuese apo afër 94 për qind të atyre që u zhvarrosën dhe u kthyen si kufoma në vendlindje, kjo ndodhi në muajt e fundit të vitit 2000 dhe përgjatë vitit 2001, pra pas rrëzimit të Millosheviqit në Serbi, në varrezat masive në Batajnicë, Petrovo Selo edhe Peruçac. Në këto tri varreza masive gjithsej janë nxjerrur 900 shqiptarë, pleq, gra, fëmijë, 900 gjithsej. 744 në Batajnicë dhe 84 dhe 72 në Petrovo Selo edhe në Peruçac. Pastaj, nuk ka pasur zhvarrime të tjera, sepse nuk ka pasur gërmime dhe, në periudhën nga viti 2010 deri në 2021, në dy varreza tjera masive janë nxjerrur edhe 61 shqiptarë të tjerë, 54 në Rudnicë edhe 7 në Kizhevak. Pra, pjesa dërmuese, afër 94 për qind të zhvarrosurve janë në muajt e parë pas rrëzimit të Millosheviqit dhe më pastaj nuk ka pasur vullnet në Serbi për gërmime të mëtutjeshme. Në Kosovë i kemi 2800 gërmime në këto 25 vjet liri, ndërkaq në Serbi janë vetëm këto pesë varreza masive.
Si rezultat i punës edhe i angazhimit të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, në krye të të cilit ndodhet Andin Hoti dhe nga puna e angazhimi i organizatave e shoqatave të familjarëve, kanë filluar gërmimet edhe në Kozhlje, është një vend në Serbi, në Sanxhak, midis Tutinit edhe Novi Pazarit. Tash, ta shohim se çfarë rezultatesh do të mund të kemi prej atje.
Ndërkaq, këto ditë janë duke u bërë gërmime vlerësuese në 13 lokacione në Kosovë. Ankthi i familjeve është i madh, pikëllimi i tyre i thellë, mirëpo qëndrueshmëria e tyre është e lartë dhe ne i kemi borxh, që me gjithë dijen dhe mundësitë e aftësitë tona, të bëjmë gjithçka që të zbardhet fati i të pagjeturve dhe të gjendet vendndodhja e tyre.
Por, sivjet janë bërë 20 vjet prej se në krye të Komisionit për Persona të Zhdukur në Serbi, ndodhet Veljko Odalloviq, i cili ka qenë njeriu kryesor i Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë. Veljko Odalloviq edhe Zoran Angjellkoviq kanë qenë dy njerëzit kryesor. E merreni me mend ai që do të duhej të ishte në bankën e të pandehurve, të ketë gjykim të drejtë për të dhe ndëshkim të merituar, sot udhëheq Komisionin për persona të zhdukur në Serbi, Veljko Odalloviq tash e njëzet vjet, që nga viti 2004.
Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, në vitin 2014, pra para 10 vjetëve, arkiva e Brigadës 37 të motorizuar të ushtrisë jugosllave është klasifikuar me vendim në Serbi për 30 vjet. Kjo i bien që nuk do të hapet deri në vitin 2044.
A duhet të presim ne edhe 20 vjet që të hapet arkiva e Brigadës 37 të motorizuar të ushtrisë jugosllave? Aty është e vërteta. Sepse kjo brigadë ka kryer një numër të madh të masakrave në Kosovë, sidomos në rajonin e Drenicës.
Andaj, ne ju bëjmë thirrje edhe njëherë faktorëve ndërkombëtarë që ashtu qysh na kanë ndihmuar me trysni mbi Serbinë që të fillojë ky gërmim në Sanxhak, midis Tutinit dhe Novi Pazarit, të bëjnë trysni mbi Beogradin që të ndërrohet vendimi, të merret një vendim i ri dhe arkiva e Brigadës së motorizuar 37 të ushtrisë jugosllave të hapet, aty është e vërteta.
Ne 13 lokacione në Kosovë po gërmojmë, mirëpo shumë më shpejt dhe kollaj bëhet kur hapet ajo arkivë.
Ne po kërkojmë jo hapjen e arkivave thjesht në përgjithësi, atë doemos, mirëpo po kërkojmë edhe hapjen e një arkive fort specifike, është arkiva e Brigadës 37 të motorizuar të ushtrisë jugosllave.
Do të qëndrojmë pranë familjarëve dhe kurrë nuk ka qenë prioritet më i lartë në Qeverinë e Republikës së Kosovës sesa tani gërmimet vlerësuese, gërmimet në përgjithësi, trysnia mbi Beogradin dhe bashkëpunimi me faktorët ndërkombëtarë, aleatët e partnerët tanë të cilët i falënderojmë./Arbresh.info
Bajrami: Të gjithë ata që mbrojnë të korruptuarit, janë të k...
Anisa: Xheneta nuk ka pasë pëlqim të vërtetë ndaj Gjestit, p...
S’ka gola në Ferizaj
Hamza: Bashkatdhetarët në Köln u bashkuan me ne për ta bërë ...
Rama: Fitorja jonë në 2025 duhet të jetë përfundimtare, shpë...
Nga çdo kontinent, Kosova paguan qindra miliona për import t...