Kurti në Berlin takoi zëvendëskryeministrin italian, e falënderoi për përkrahjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm

19:15 | 14 Tetor 2024
E.H

Në margjina të Samitit të Procesit të Berlinit, kryeministri i vendit, Albin Kurti, u takua me zëvendëskryeministrin dhe njëherësh ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani.

Kurti e falënderoi ministrin Tajani dhe shtetin italian për përkrahjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, përcjell Arbresh.info.

“Ne e shohim Italinë në thelb të BE-së dhe NATO-s dhe si një prej aleatëve kryesorë të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh kryeministri në fillim të takimit.

Biseduan për marrëdhëniet bilaterale dhe për mundësitë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik e tregtar, duke përfshirë organizimin e një forumi biznesor për më shumë ndërveprim mes kompanive të të dyja vendeve, me qëllim rritjen dhe thellimin e raporteve e të shkëmbimeve tona.

Përgjatë takimit kryeministri nënvizoi përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe rëndësinë që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat, tashmë që po bëhen pothuajse dy vjet nga aplikimi për anëtarësim. Në të njëjtën kohë, i shprehu mirënjohjen ministrit Tajani për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë në këtë rrugëtim.

Kurti gjithashtu theksoi nevojën për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës për të cilat edhe Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka konstatuar se kushtet janë përmbushur e masat duhet të hiqen./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme