Google ADS

Kurti në Athinë ka zhvilluar takime edhe me liderët përtej Ballkanit Perëndimorë

17:32 | 22 Gusht 2023
E.H

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti me ftesë të homologut të tij grek, Kyriakos Mitsotakis të hënën dhe të martën ka qëndruar në Athinë, për të marrë pjesë në darkën me liderët e Ballkanit Perëndimorë.

Gjatë qëndrimit në Greqi, Kurti u takua dhe ka bashkëbiseduar me homologë e partnerë edhe përtej Ballkanit Perëndimor, përcjell Arbresh.info.

“Para e pas saj, përgjatë dy ditëve zhvillova takime dypalëshe me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkovic, Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis. Ndërkohë që në pritje të darkës u përshëndeta me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy dhe bashkëbisedova me Kryeministrin e Bullgarisë, Nikolai Denkov dhe Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.

Tutje, kryeministri kosovarë ka theksuar se në darkë, që ishte prezent edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u konfirmua edhe njëherë mbështetja e palëkundur për Ukrainën si dhe u bë thirrje për ndëshkimin e agresorit rus.

“Në darkën që shënonte edhe 20-vjetorin e Samitit të Selanikut, u ritheksua edhe një herë mbështetja për zgjerimin dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian si dhe rruga përpara, teksa në prezencën e Presidentit të Ukrainës, Zelenskyy u konfirmua mbështetja e palëkundur për Ukrainën dhe u bë thirrje për përgjegjësi dhe ndëshkim të krimeve të kryera gjatë luftës nga agresori rus”, tha Kurti.

“Përveç liderëve të Ballkanit Perëndimor, të pranishëm ishin Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, Kryeministri i Rumanisë, Marcel Ciolacu, Kryeministri i Bullgarisë, Nikolai Denkov, dhe Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu”, tha në fund Kurti./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme