Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka përmendur datën 7 prill 1939, ditën kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste.
85 vite nga ajo ngjarje, Kurti përmes një postimi në Facebook ka treguar si ndodhi pushtimi i Shqipërisë, përcjell Arbresh.info.
Postimi i plotë:
Në historinë moderne të shqiptarëve, data 7 prill 1939, është fiksuar si dita e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Sot u bënë 85 vite nga ajo ditë.
Mes zhvillimeve që i paraprinë fillimit të Luftës së Dytë Botërore, pushtimi i Shqipërisë nga Italia më 7 prill 1939, ngjau ndërmjet aneksimit të Austrisë nga Gjermania më 12 e 13 mars 1938, të njohur edhe si Anschluß, dhe sulmit pushtues të Gjermanisë mbi Poloninë më 1 shtator 1939, kur edhe filloi Lufta e Dytë Botërore.
Në ora 05:30 të mëngjesit të 7 prillit të vitit 1939, plot 22,000 ushtarë italianë me anije luftarake dhe transportuese, me avionë dhe me tankse e sulmuan territorin e Mbretërisë së Shqipërisë në katër portet e saj kryesore: në Vlorë, Shëngjin, Durrës dhe Sarandë. E vetmja rezistencë e shënueshme ishte ajo e bërë në Durrës nga xhandarmëria shqiptare e mbështetur nga vullnetarë, të komanduar nga Abaz Kupi dhe oficeri Mujo Ulqinaku. Në mesditë, Durrësi ishte plotësisht në duart e italianëve. Tirana u mor mëngjesin e 8 prillit, kurse brenda tre ditësh trupat italiane arritën edhe në zonat më kufitare të terriorit shqiptar.
Mbreti Zogu nuk organizoi rezistencë dhe u largua nga Shqipëria. Plani për pushtimin e Shqipërisë ishte përgatitur një vit më parë.
Rrethanat dhe zhvillimet që çuan deri te ky pushtim, nga dominimi politik dhe ekonomik i shtetit dhe kapitalit të Italisë në Shqipëri e deri te ndikimi i oficerëve italianë mbi ushtrinë shqiptare, janë sqaruar deri në detaje nga historianët shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Dy vjet më pas, më 6 prill 1941 kur Gjermania e sulmoi dhe e pushtoi Jugosllavinë, shumica e territorit të Kosovës iu bashkua zonës italiane të pushtimit nën Mbretërinë e Shqipërisë. Historia e shqiptarëve gjatë atyre viteve të Luftës së Dytë Botërore, ka shumë zhvillime specifike që u takojnë historisë dhe historianëve t’i studiojnë dhe përshkruajnë. Ajo që përkujtojmë ne sot në 85-vjetorin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, janë viktimat civile dhe dëshmorët shqiptarë të rënë në rezistencë ndaj pushtimit e në luftën antifashiste.
Dekadat kanë kaluar dhe teksa vitet ecin do të bëhen shekuj nga këto ngjarje, por rreshtimi politik i shqiptarëve, i Shqipërisë dhe i Kosovës, duhet ruajtur gjithmonë në anën e drejtë të historisë, për çka busulla më e sigurtë është ajo gjilpëra e së cilës e tregon lirinë!
Lavdi të gjithë dëshmorëve e martirëve të kombit shqiptar mes përkujtimesh dhe nderimesh për të gjitha përpjekjet dhe luftërat e tij për liri!
Australia çon përpara ligjin që ua ndalon fëmijëve rrjetet s...
Haxhiu: Sot dhe çdo ditë tjetër, ne të gjithë kemi një rol p...
Mbyllet për dy orë rruga Prishtinë-Pejë-segmenti Kijevë-Doll...
Sali Berisha shkon në selinë e PD, pritet nga mbështetësit
Çështja e ushqimit për ushtarët e FSK-së, Maqedonci thotë se...
Kryeministri libanez shpreson për ‘faqe të re për Libanin’ p...