Në këtë datë dhe ditë të rëndësishme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu dhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, si dhe me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Gluak Konjufca, morën pjesë në manifestimin qendror të 145-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Kryeministri tha se 10 qershori i vitit 1878 konsiderohet si fillimi i një udhëtimi të strukturuar politik të shqiptarëve, e i cili vazhdon dhe sot.
“Prandaj çdo 10 qershor, ne vijmë në Prizren për ta kujtuar Lidhjen Shqiptare nga vendi ku ajo u ngjiz dhe mori jetë pastaj, për tu shtrirë në krejt hapësirën shqiptare dhe tutje përpara në kohë deri te ne sot. Prandaj sot i kemi këtu edhe Presidentët e të dyja shteteve tona republikane, të Shqipërisë dhe të Kosovës, për ta mirëmbajtur linjën drejtuese institucionale të kultivimit të idealeve dhe interesave politike të kombit shqiptar. Prandaj jam dhe vetë këtu, si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, të përkujtojë rrënjët politike të qeverimit të shqiptarëve dhe të përforcojë lidhjet e qeverisë tonë me filozofinë politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”, ishin fjalët e kryeministrit Kurti.
Ai tha se ende kemi çfarë të mësojmë nga teoritë politike të Sami Frashërit dhe nga praktika diplomatike e Abdyl Frashërit; nga kuvendimet e Ilaz Pashë Dibrës dhe të Ymer Prizrenit si dhe nga organizimi ushtarak i Sulejman Vokshit e Ali Pashë Gucisë. Sepse rruga jonë e sotme, është rruga e tyre e dikurshme.
Më tej, kryeministri Kurti shtoi se duke qëndruar të lidhur mes nesh dhe duke ruajtur lidhjet tona me idealet politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ne ruajmë traditën e shëndoshë politike të angazhimit tonë të përditshëm, për të çuar përpara interesat tona politike gjithnjë si një komb evropian.
“Vetëm të lidhur bashkë dhe besnikërisht rreth Lidhjes, si mendësi dhe vetëdije politike, mund të avancojmë në rrugën tonë për përforcimin politik të shteteve tona, bashkë me aleatët dhe partnerët tanë strategjikë evropianë e amerikanë”, dhe se për këtë, Lidhja na bashkon sot dhe do të na bashkojë çdo mot, tha ai në përfundim të fjalës së tij./Arbresh.info/
Deti Mesdhe po ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e botës, si...
Trump emëron Keith Kellogg si të dërguar special për Ukrainë...
Konjufca: Shteti ynë është përplotësim i porosisë së 28 Nënt...
Ancelotti: Edhe nëse fitonim ishte e vështirë të ishim në to...
112 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë festohet në New York
Katër arsye pse disa njerëz nuk kërkojnë kurrë falje?