Google ADS

Kurti në 111-vjetorin e pushtimit serb të Prishtinës: Një nga ditët më të errëta në historinë moderne të Kosovës

22:10 | 22 Tetor 2023
E.G

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar 111 vjetorin e pushtimit serb të Prishtinës duke thënë se çlirimi i qershorit 1999, historikisht dhe politikisht, është përgjigje ndaj pushtimit të tetorit 1912.

Me anë të një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se data 22 tetor e vitit 1912 shënon një nga ditët më të errëta në historinë moderne të shqiptarëve dhe të Kosovës, përcjell Arbresh.info.

“Atë ditë, 111 vite më parë, njësitet çetnike serbe dhe ushtria e rregullt e Serbisë e pushtuan Prishtinën dhe vranë mijëra shqiptarë civilë. Katër ditë më parë, më 18 tetor 1912, rreth 255.000 ushtarë serbë të ndarë në tre grupime u nisën në sulm në tre drejtime, një ditë pasi Serbia i kishte shpallur luftë Perandorisë Osmane. Prej tyre, Armata e Tretë e Serbisë me rreth 76.000 ushtarë, e komanduar nga gjenerali Bozhidar Jankoviq, e kishte për detyrë pushtimin e Kosovës.”, ka shkruar kreu i qeverisë.

Sipas tij, trupat çetnike dhe ushtarake serbe vranë mijëra burra shqiptarë dhe mijëra të tjerë i burgosën.

“Në medaljen ushtarake serbe për të dekoruar ata që e pushtuan Kosovën, mes emrave të 20 qyteteve, ai i Prishtinës është shkruar në gjethen e parë poshtë në anën e djathtë.”, shkroi kryeministri Kurti.

Tutje, shefi i ekzekutivit citoi një artikull të gazetës The New York Times të asaj kohë, ku raportohej se në afërsi të Prishtinës ishin vrarë 5.000 njerëz.

“Në një artikull të gazetës amerikane The New York Times, të datës 31 dhjetor 1912, me titull “Ushtria serbe la pas një shteg me gjak”, duke i cituar raportet e autoriteteve të Austro-Hungarisë, thuhet që në afërsi të Prishtinës u vranë 5.000 njerëz. Sipas këtyre raporteve, çetnikët dhe ushtarët serbë i digjnin fshatrat, i vrisnin burrat në sytë e grave dhe i therrnin fëmijët me bajoneta.”, u shpreh ai.

“Disa muaj më pas, në vitin 1913, fotografi zviceran Fred Boissonnas e ka realizuar një fotografi që e tregon Prishtinën në një kohë kur qyteti ishte shkretuar nga humbja e mijëra njerëzve të vrarë dhe shumë të tjerëve të burgosur. Lufta e Parë Ballkanike shkaktoi vdekjen e mijëra shqiptarëve. Sipas raportimeve të korrespodentëve të huaj, vetëm në Kosovë, ushtria serbe dhe grupet çetnike i vranë mbi 25.000 shqiptarë. Lufta e Parë Ballkanike shkaktoi vdekjen e mijëra shqiptarëve. Sipas raportimeve të korrespodentëve të huaj, vetëm në Kosovë, ushtria serbe dhe grupet çetnike i vranë mbi 25.000 shqiptarë.”, shtoi ai.

Kurti e vlerësoi atë vit si një mot kobzi.

“Viti 1912, kur Serbia e pushtoi Kosovën, ishte një mot kobzi që do të pasohej nga i gjati shekull i njëzet, gjatë të cilit Serbia pushtuese ushtroi dhunë sistematike, shpronësoi e kolonizoi, përndjeku, shtypi, burgosi, dhunoi, vrau dhe masakroi mijëra e mijëra shqiptarë ndër disa breza dhe kreu gjenocid, deri në çlirimin e Kosovës më 1999.”

Kurti shtoi se 111 vite më pas Prishtina është një qytet modern me kulturë autentike si kryeqytet i Republikës së Kosovës, një republike parlamentare me demokraci të zhvilluar dhe me një të ardhme politike të qartë mes shteteve të tjera të Evropës.

“Për ta kujtuar rrugën që na ka sjellur këtu dhe për ta mësuar historinë nga një brez në tjetrin! Për gjallërinë tonë si popull e komb dhe për të ardhmen tonë politike si shoqëri dhe shtet!”, përfundoi Kurti./Arbresh.info/

 

Të ngjashme