Herën e kaluar ishin takuar në New York, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Sot në Prishtinë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti zëvendëskryeministrin, njëherësh, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të Luksemburgut, Xavier Bettel, shkruan Arbresh.info.
“Jemi shumë mirënjohës dhe falënderues për ndihmën dhe mbështetjen e Luksemburgut përgjatë viteve në zhvillimin dhe demokratizimin e vendit tonë por edhe për kontributin në sektorin e sigurisë përmes KFOR-it dhe EULEX-it. E vlerësojmë shumë mbështetjen në fushën e shëndetësisë, sundimit të ligjit dhe administratës publike. Ndihma nga Luksemburgu për Kosovën është lart mbi mesataren e shteteve të BE-së në raport me territorin dhe numrin e popullsisë së saj. Nuk do ta harrojmë kurrë mbështetjen edhe kontributin tuaj”, u shpreh kryeministri Kurti në krye të takimit.
Në një bashkëbisedim të hapur e të përzemërt ata diskutuan rreth raporteve ndërshtetërore, fushat e bashkëpunimit dhe rreth përfitimeve nga marrëveshjet bilaterale që Kosova dhe Luksemburgu kanë në fusha të ndryshme. Listës së bashkëpunimit i është shtuar edhe një Memorandum i Mirëkuptimit i cili u nënshkrua dje. Ky Memorandum përbëhet nga dy fonde për mbështetje për sektorin privat në vlerë të përgjithshme mbi 35 milionë euro. Ata gjithashtu diskutuan për mundësitë e reja të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare që viteve të fundit kanë shënuar një trend të rritjes dhe mundësitë për investime. Në lidhje me këtë të fundit, kryeministri veçoi fushën e teknologjisë dhe të energjisë si sektorë me potencial të madh të vendit tonë dhe pozitën e përshtatshme gjeografike, sistemin tatimor, fuqinë punëtore profesionale dhe shumëgjuhëshe, progresin demokratik dhe stabilitetin institucional si përparësitë që ofron Kosova.
Kurti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e palëkundur të Luksemburgut në anëtarësimin e vendit tonë në organizata ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës, si dhe për kontributin e vlefshëm të Agjencisë Zhvillimore LuxDev. Ai po ashtu përgëzoi zëvendëskryeministrin Bettel për përurimin e objektit të ri të ambasadës së Luksemburgut në Kosovë, i cili u inaugurua mbrëmë, duke e cilësuar atë si dëshmi e raporteve tona të forta dhe infrastrukturë për t’i thelluar edhe më shumë ato.
Ky ishte takimi i tretë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe Bettel në dy vitet e fundit.
Në korrik të vitit të kaluar, kryeministri Kurti e kishte mirëpritur atëherë kryeministrin Bettel në Prishtinë, në kuadër të vizitës së tij zyrtare bashkë me ish-kryeministrin e Holandës, Mark Rutte./Arbresh.info/
Hoti: Të fokusohemi në ekonominë e vendit, është humbur shum...
Kosova mëson kundërshtarin e play-offit në Ligën e Kombeve
Kobra dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm për vrasjen në P...
Orban fton Netanyahun në Hungari, pas lëshimit të fletarrest...
Gjykata Kushtetuese merr vendim për Berishën
Pacolli të shtunën takim humanitar në Gjermani