Kurti: Nderojmë veprën heroike të policëve që ranë duke luftuar krimin e duke mbrojtur territorin dhe sovranitetin e Republikës

13:10 | 27 Korrik 2021
L G

Që nga themelimi i Policisë së Kosovës, 21 vite më parë, 21 zyrtarë policorë kanë dhënë jetën në krye të detyrës.

Sot u nderua vepra heroike e të gjithë zyrtarëve policorë, burra dhe gra të vendit me vendosjen e pllakës përkujtimore për zyrtarët policorë që ranë duke luftuar krimin e duke mbrojtur territorin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Zbulimin e pllakës përkujtimore në oborrin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës në Prishtinë, e bënë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Kryeministri Kurti, në fjalën e rastit, tha se Policia e Kosovës është institucion i dalë nga lufta jonë çlirimtare.

“Rrënjët e saj, ashtu si ato të ushtrisë sonë, gjenden te lufta çlirimtare dhe te lëvizjet e rezistenca shekullore e popullit tonë për liri. Në vitet e pasluftës, Policia e Kosovës ka qenë një prej institucioneve shtetërore më të rëndësishme për vendosjen e ligjshmërisë, pa të cilën nuk mund të ketë pavarësi e drejtësi“, tha kryeministri.

“Është nder dhe krenari që në dhjetëvjetorin e rënies së Enver Zymberit, jam këtu në mesin tuaj, në ceremoninë e ‘Zbulimit të pllakës përkujtimore në nderim të të gjithë policëve të rënë në krye të detyrës’. Jo rastësisht kemi zgjedhur ditën e rënies së tij për të kujtuar të gjithë policët e rënë në krye të detyrës në Kosovën e çliruar. Enver Zymberi është simbol i sakrificës për integritet territorial e sovranitet shtetëror, për një Kosovë të lirë, demokratike, të pavarur me shtet të drejtës për të gjithë“, tha kryeministri Kurti./ARBRESH.INFO/

Fjalimi i Kryeministrit Kurti në ceremoninë e “Zbulimit të pllakës përkujtimore të policëve të rënë në kry të detyrës”

Të nderuar familjarë të policëve të rënë në detyrë,

Të nderuar policë të Kosovës, që jeni njëkohësisht qytetarë, dhe mbrojtës të qytetarisë në vendin tonë,

I nderuari kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Glauk Konjufca

I nderuari Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Samedin Mehmeti,

I nderuari zëvendës Komandant i FSK-së, Gjeneral Enver Cikaqi,

Të nderuar shkëlqesi Ambasadorë dhe Atashe të shteteve mike,

I nderuar zëvendësministër Blerim Gashani,

Të nderuar zyrtarë policorë,

Zonja dhe zotërinj,
Më lejoni ta nis këtë fjalim me një ngushëllim për të gjithë qytetarët e Kosovës e veçanërisht për familjarët e mërgimtarëve që humbën jetën pardje në aksidentin tragjik që ndodhi në Kroaci. Isha në vendin e ngjarjes, së bashku me ministrat Gërvalla, Sveçla e Vitia dhe bashkë me autoritetet kroate po punojmë që të zbardhen sa më shpejt rrethanat e kësaj fatkeqësie që na ka prekur të gjithëve. Edhe një herë, ngushëllime të sinqerta, e të shpresojmë që të lënduarit të shërohen sa më shpejtë plotësisht e të mos kemi më lajme të tilla. Mërgata është zemra e shqiptarisë, e vuajtjet e zemrës janë ato që dhembin më se shumti.

Dje kishim dhjetëvjetorin e rënies në krye të detyrës së policit dëshmor, Enver Zymberi. Ai është dekoruar nga ish-presidentja Jahjaga me urdhrin Hero i Kosovës, dhe i tillë ai është për të gjithë ne, një hero i përpjekjes së Kosovës për një Republikë demokratike e sovrane, ku mbretëron e drejta dhe ligji.

Është nder dhe krenari që në dhjetëvjetorin e rënies së Enver Zymberit, jam këtu në mesin tuaj, në ceremoninë e “Zbulimit të pllakës përkujtimore në nderim të të gjithë policëve të rënë në krye të detyrës”. Jo rastësisht kemi zgjedhur ditën e rënies së tij për të kujtuar të gjithë policët e rënë në krye të detyrës në Kosovën e çliruar.

Enver Zymberi është simbol i sakrificës për integritet territorial e sovranitet shtetëror, për një Kosovë të lirë, demokratike, të pavarur me shtet të drejtës për të gjithë.

Që nga themelimi i Policisë së Kosovës, 21 vite më parë, 21 zyrtarë policorë kanë dhënë jetën në krye të detyrës. Sot ne nderojmë veprën heroike të të gjithë zyrtarëve tanë policorë, burra dhe gra të këtij vendi. Ata ranë duke luftuar krimin, duke mbrojtur viktimat e dhunës në familje, e duke mbrojtur territorin dhe sovranitetin e Republikës sonë.

Policia e Kosovës është institucion i dalë nga lufta jonë çlirimtare, rrënjët e saj, ashtu si ato të ushtrisë sonë, gjenden te lufta çlirimtare dhe te lëvizjet e rezistenca shekullore e popullit tonë për liri. Në vitet e pasluftës, Policia e Kosovës ka qenë një prej institucioneve shtetërore më të rëndësishme për vendosjen e ligjshmërisë, pa të cilën nuk mund të ketë pavarësi e drejtësi. Në situata të qeverisjeve të korruptuara, jo rrallë Policia e Kosovës është vënë nën presion dhe ndonjë drejtues i saj është instrumentalizuar, për të realizuar agjenda që jo gjithnjë kanë qenë në të mirë të publikut. Megjithatë, në tërësi trupa policore ka mbetur dhe është e shëndoshë, me besueshmëri të lartë publike, me ndjenjë të detyrës e profesionalizëm, në zbatim të ligjit.

Gratë e burrat që i bashkohen Policisë së Kosovës, në përgjithësi karakterizohen nga dëshira dhe ideali që ata kanë, për ta bërë Republikën tonë një vend më të sigurt dhe më të mirë. Ata kanë ëndrrat dhe planet e tyre, ëndrra të cilat për këta 21 të rënë që i përkujtojmë sot, u ndërprenë befasisht e padrejtësisht.
Lazim Rexhepi ishte Polici i parë i rënë në detyrë, 20 vite më parë. Ishte 37 vjeçar dhe, në ballafaqim me një grup të armatosur, u plagos dhe nuk u mbijetoi plagëve të marra.

Fatkeqësisht, në rrethana të ndryshme, në krye të detyrës pas Lazimit ranë edhe Danush Hasani, Hajdar Ahmeti, Sebahate Tolaj, Isuf Haklaj, Arsim Rrustolli, Ilir Llapatinca, Driton Mehana, Abedin Mustafa, Avni Kasumi, Triumf Riza, Slaviša Milovanović, Misin Krasniqi, Enver Zymberi, Jahi Maliqi, Nebih Ramadani, Shemsi Gashi, Armend Trena, Malsor Dashi, Izet Demaj e Sami Thaqi. Këta policë, pa dallim të prejardhjes etnike e krahinore, pa dallim preferencash partiake apo fetare, e përtej çdo dallimi tjetër, kanë qenë punonjës të ndershëm të krahëve të ndryshëm të Policisë së Kosovës. Ata janë dëshmorë të vendit tonë.

Të dashur të pranishëm,

Pikërisht dhjetë vite më parë, me 26 korrik, Enver Zymberi, si 32 vjeçar, derisa ishte pjesë e operacionit të njësive mbështetëse operative të Policisë së Kosovës për vendosjen e sundimit të ligjit në vend kalimet kufitare në veri të vendit, dha jetën në mbrojtje të sovranitetit dhe territorit të vendit tonë. Enveri, i cili qysh në moshë të re iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftoi për liri, më pas iu bashkua edhe Policisë së Kosovës, me të njëjtin ideal. Ai sot është krenari për vendin, por edhe shembull, por edhe hero, për të gjithë ne. Kurrë nuk do ta harrojmë Enver Zymberin dhe idealin e tij.

Ne sot nuk kujtojmë vetëm veprën heroike të Enverit dhe kolegëve të tij, por edhe obligimin që kemi në zbardhjen e të gjitha rasteve të vrasjeve dhe sjelljen e keqbërësve para drejtësisë.

Është mision i qeverisë sonë që në Kosovë të vendoset shteti i së drejtës, e që secili qytetar i këtij vendi të ndjehet i sigurt. Dhe, jemi të sigurt se do ta arrijmë këtë, duke njohur idealizmin dhe profesionalizmin e policëve tanë. Ne si qeveri marrim përsipër që çdo polic dhe police të ndjehet i mbështetur për të punën e tyre që kryhet me nder dhe profesionalizëm. Familjet e të rënëve do të kenë gjithnjë përkrahjen materiale e shpirtërore të qeverisë sonë, njësoj siç kanë edhe nderimin dhe respektin e gjithë popullit.

Natyrisht se kemi shumë punë përpara vetes, por që me përkushtimin, integritetin dhe profesionalizimin e të gjithë juve, besoj fuqishëm se ndryshimi i dëshiruar është i mundur.

Të dashur familjarë,

Jam i vetëdijshëm që dhembja dhe mungesa e më të dashurve tuaj sa vjen e shtohet, por gjithashtu, jam i bindur se jeni krenarë që më të dashurit tuaj ranë në krye të detyrës në shërbim të atdheut dhe kjo sadopak ua lehtëson dhimbjen tuaj.

Emrat e tyre, të gdhendur në këtë pllakë përkujtimore sot, na kujtojnë përgjegjësinë që ne kemi të ofrojmë mbështetjen e pakursyer në misionin e përbashkët për të luftuar krimin dhe për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët e Republikës sonë.

Lavdi të rënëve!

Ju faleminderit!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme