Kurti: Na duhet drejtësi për të gjitha krimet e kryera gjatë luftës

20:21 | 30 Gusht 2022
L G

Ballafaqimin me të kaluarën e kemi vënë si kapitull të veçantë në kornizën e përgjithshme qё do duhej ta përfshinte marrëveshja finale me Serbinë.

Nuk mund të ecim drejt të ardhmes, pa e adresuar të kaluarën, pa u ballafaquar me të, tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij në shënimin e Ditës ndërkombëtare të të zhdukurve me dhunë.

Ai ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar dhe po angazhohet për të vërtetën, për të gjitha zhdukjet me dhunë që kanë ndodhur në Kosovë, pa dallim etnie, prejardhje e komuniteti.

“Do të donim që këtë ta bënte Serbia, pra të ballafaqohej me të kaluarën e saj, e ta trajtonte seriozisht se si u bë që, pas rënies së Millosheviqit u zbuluan pesë varreza të mëdha masive atje, me gjithsejtë 950 njerëz tanë, të rrëmbyer e të vrarë, të vrarë e të rrëmbyer, në Batajnicë, Peruqac, Petrovo Selo, Rudnicë e Kizhevak”, tha kryeministri.

Serbia vazhdon të mohojë krimet e luftës në Kosovë, theksoi kryeministri Kurti, duke shtuar se dhe 23 vjet pas, nuk tregon gatishmëri për nënshkrimin e marrëveshjes së propozuar, që do të kontribuon e në zbardhjen e fatit të qytetarëve të Kosovës të zhdukur me dhunë.

“Na duhet drejtësi për të gjitha krimet e kryera gjatë luftës dhe për çdo minutë të pritjes në ankthin më të tmerrshëm pas luftës. Ne nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi”, tha kryeministri Kurti.

Të pranishmëve iu drejtuan edhe Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Ahmet Grajqevci nga Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, si dhe Flaka Zogu dhe Gramoz Berisha, në emër të familjarëve të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë./rtk

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme