Google ADS

Kurti: Mungesa e përgjigjeve për vendndodhjen e personave të zhdukur rëndon normalizimin e raporteve Kosovë dhe Serbi

16:04 | 22 Dhjetor 2023
KRG

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se mungesa e përgjigjes për vendndodhjen e më shumë se 1600 personave të zhdukur ka rënduar jetën e familjeve e po ashtu edhe normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai këto komente i bëri gjatë prezantimit të raportit vjetor 2023 të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, duke theksuar se çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës nuk është çështje statistike por problem kombëtar, shtetëror e humanitar.

Kryeministri Kurti, ka theksuar se varre të hapura e të zbraztë anë kënd Kosovës janë dëshmi e madhe e gjenocidit të shkaktuar nga Serbisë.

“Mungesa e përgjigjes për fshatin dhe vendndodhjen e më shumë se 1600 personave të zhdukur, rëndon jetën e familjeve dhe normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe 24 vjet pas lufte, jetojnë në ankthin e pritjes. Shumë varre të hapura e të zbraztë anë kënd Kosovës që nuk i kemi më të dashurit tanë, janë dëshmi e madhe e gjenocidit të Serbisë. Jo vetëm personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës por edhe familjet e tyre janë viktimat e këtij krimi të vazhdueshëm. Krim ky i cili e tejkalon dimensionin e brengës së familjeve të tyre duke qenë breng e Kosovës sepse çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës nuk është çështje statistike por problem kombëtar, shtetëror e humanitar. Më shumë se 905 shqiptarë janë zhvarrosur nga varrezat masive të Batajnicës, Kizhevakut, Rudnicës dhe Petrovoselles”, tha ai.

Kurti ka thënë se Serbia duhet të pranojë krimet e saj në Kosovë, krimet e kryera si pjesë e projektit gjenocidiale për zhvarrosje të shqiptarëve.

“Më 22 prill të këtij viti në Batajnicë u shënua Dita e Forcave të Armatosura, ku u organizuan stërvitje ushtarake. Nën poligonin e qitjes së policisë në Batajnicë në një varr masiv janë gjetur trupat e pajetë të 744 shqiptarëve të Kosovës. Trupat që u varrosën në Kosovë, më pas u zhvarrosën dhe u transferuan në Serbi për rivarrim në përpjekje për t’i fshehur dëshmitë e krimeve të kryera gjatë luftës. Midis atyre trupave ishin 46 anëtar të familjes Berisha, 14 prej tyre nën moshën 15 vjeçare. Mes tyre dy foshnje dhe një grua shtatzënë. Aty nuk është e vendosur ndonjë pllakë përkujtimore, thuajse asgjë nuk ka ndodhur aty. Serbia duhet të pranojë krimet e saj në Kosovë, krimet e kryera si pjesë e projektit gjenocidiale për zhvarrosje të shqiptarëve e të quajtur ‘Patkoi’”, u shpreh Kurti./EO/

Të ngjashme