Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se mos deklarimi i financimit dhe shpenzimi i milionave euro nga partitë politike gjatë fushatave zgjedhore paraqet elemente të korrupsionit.
Kurti në fjalimin e tij në debatin publik të organizuar nga Zyra e Kryeministrit, lidhur me Projektligjin për financimin e partive politike, tha sa asnjë korporatë nuk financon një parti politike pa pasur interes për miliona kur ajo parti të vijë në pushtet.
“Kemi parë që deri tash kemi pas dallime për këtë ligj. Për ne ligji për parti politike duhet të na tregoj në detaje për fondet e partive politike. Partitë politike hedhin miliona gjatë fushatave, por askush se din se si po financohen dhe këto paraqesin elemente të korrupsionit. Kur një korporatë jep miliona për një politikan ai si jepe për simpati por që nesër përmes tenderëve të fitoj miliona”, tha Kurti, raporton arbresh.info.
Kurti tha se shpreson që të ketë një konsensus lidhur me këtë projektligj.
“Ne vërtet shpresojmë që të kemi konsensus ndërpartiak për këtë çështje duke pas parasysh këto në e kemi pa të domosdoshëm diskutimin publike. Shkeljet e ndryshme të raportuar nëpër media kanë shpërfaqur korrupsionin në parti politike. Ndarja e parasë është e rëndësishëm për funksionimin e partive politike por më një bazë”, tha Kurti në diskutimin publikë të mbajtur sot në Qeverinë Kosovës./arbresh.info/
Fjala e Kryeministrit Kurti në diskutimin publik për projektligjin për Financimin e Partive Politike:
I nderuari Ambasador Tomáš Szunyog
I nderuari përfaqësues i Bashkimit Evropian, Jarmo Helppikangas
E nderuara znj. Suokko,
Të nderuar deputetë,
Të nderuar përfaqësues të organizatave joqeveritare,
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Ju faleminderit për pjesëmarrjen tuaj sot, me qëllim të diskutimit të Projektligjit për Financimin e Partive Politike.
Për një kohë të gjatë tani, e kemi parë se është vështirë të arrihet konsensus politik lidhur me formën përfundimtare të këtij projektligji. E dallimet, përveçse në formë, janë edhe në përmbajtje.
Për ne, Ligji për Financimin e Partive Politike, duhet të përcaktojë qartë burimet e financimit, shumat e lejueshme dhe duhet të ofrojë transparencë maksimale.
Zgjedhjet, baza e demokracisë, varen nga një elektorat i mirinformuar, i cili zgjedhjen e bën mbi bazën e fakteve. Të njëjtat, nuk mund të varen nga korporatat, grupet lobuese apo interesat speciale, të cilat shkruajnë çeqe, përderisa populli paguan faturën.
Po flas për fushatën, në të cilën partitë politike hedhin miliona në reklama, televizione e rrjete sociale dhe askush nuk e din se kush e si po financohen.
Duhet ta kuptojmë se paratë në fushatën zgjedhore, por edhe në parti politike ndërmjet fushatave, të cilave nuk u dihet as burimi e as shuma, paraqesin elemente të korrupsionit dhe ndikojnë në elektorat, e kësisoj edhe në demokracinë tonë.
Kur një korporatë jep miliona për një politikan, nuk i jep ato, sepse ka simpati për politikanin ose politikanen, por sepse dëshiron, që nesër ajo apo ai, të jetë në pushtet, të fitojë shumëfishin e këtij investimi, përmes tenderëve e licencave shtetërore.
Pra, për korporatat, paratë për një parti politike apo një politikan, janë investim, që pret edhe kthim, edhe fitim.
Ne vërtetë shpresojmë që në këto parime të kemi konsensus ndërpartiak, sepse është për të mirën e përgjithshme dhe nuk mund të lejojmë që rezultatet e zgjedhjeve, e më pastaj edhe qeverisja, të përcaktohen nga korporatat.
Duke i pasur parasysh këto, ne e kemi parë të domosdoshme diskutimin publik me qëllim të arritjes së pajtueshmërisë ndërmjet partive politike, ashtu që ky projektligj të miratohet në dritë të një procesi të mirëfilltë demokratik e të reflektojë në kontributin e përbashkët të të gjitha partive politike në drejtim të hartimit e pastaj edhe të miratimit të këtij projektligji.
Shkeljet e ndryshme të raportuara në media kanë shpërfaqur financimin e jashtëligjshëm të partive politike dhe të ndërlidhjes me korrupsionin.
Pyetja legjitime nga secili qytetar është se si do të luftojnë korrupsionin në qeveri, partitë të cilat nuk janë në gjendje të tregojnë burimet e financimit të tyre.
Ndarja e parasë, pra alokimi i mjeteve është i rëndësishëm në kuptim të funksionimit të partive politike por kjo duhet bërë mbi bazën e një kornize të qartë ligjore në të cilën duhet t’i kemi si bazë këto parime.
Balanca e arsyeshme ndërmjet financimit publik dhe privat, kriteret e drejta në lidhje me shpërndarjen e kontributeve ndaj partive politike, rregulla strikte lidhur me donacionet, vendosje e kufirit të shpenzimeve të ndërlidhura me fushata zgjedhore, transparencë e plotë e llogarive bankare dhe përcaktim i autoritetit të pavarur të auditimit dhe sanksioneve për partitë dhe kandidatët të cilët i shkelin rregullat.
Përmes këtyre parimeve japim përgjigje në një ndër pyetjet themelore, e kjo është si të hartohen dispozitat ligjore të cilat mundësojnë funksionimin e mirëfilltë të partive politike por edhe ruajtjen dhe rritjen e besimit të qytetarëve në demokraci.
Transparenca e financimit duhet të konsiderohet qenësore në këtë drejtim, e demokracia e transparenca në institucione e shoqëri e pësojnë rëndë kur këto vlera mungojnë nëpër partitë politike, në fushatat zgjedhore apo edhe jashtë tyre.
Për këtë edhe jemi mbledhur sot këtu, ashtu që së bashku t’i japim drejtim të duhur projektligjit për financimin e partive politike e të konsiderojmë formën më të mirë për këtë, ashtu që dispozitat e hartuara të tregojnë që konsensusi politik në Republikën e Kosovës ndërtohet mbi vullnetin e përbashkët për transparencë, llogaridhënie e luftim të korrupsionit.
Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri apel për masa parandaluese...
Ardhja bashkëatdhetarëve, mbi 1 orë pritjet për të hyrë në K...
Gjesti, ende i inatosur me Xhenetën, nis debat me të në dhom...
Roma fillon të këndellet, ‘shkatërron’ në shtëpi Parman
Kusari-Lila rrëfehet për kancerin e gjirit: E zbulova krejt ...
Të paktën 20 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë