Kryeministri i Republikës së Kosovë, Albin Kurti ishte mbrëmë i ftuar dhe folës në tubimin e mbajtur në mbështetje të listës “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 17 dhjetorit në Serbi.
Duke folur për koalicionin e përbërë nga pesë parti shqiptare, Partia për Veprim Demokratik, Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja e Progresit Demokratik, Unioni Demokratik Shqiptar dhe Aleanca për Luginën, që po garojnë së bashku në një listë, kryeministri tha se ai përbëhet me figurat që bartin integritet të lartë moral dhe patriotik, njerëz që shquhen për aktivitetin e tyre politik për të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Luginë.
Ky bashkim i shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në këto zgjedhje, tha kryeministri, është dëshmi që mund të jemi edhe për pluralizëm politik edhe unitet kombëtar, mund të jemi edhe patriotë edhe demokratë, dhe se beteja e këtillë politike është e drejtë për nga karakteri i saj dhe se e gëzon mbështetjen tonë.
“Për Shaip Kamberi tha se është një zë i fuqishëm i reciprocitetit. Ai i ftoi të gjithë që të bashkohen e ta mbështesin atë dhe listën e përbashkët për t’iu kundërvyer regjimit autoritar e antishqiptar në Serbi, dhe për t’i dale në mbrojtje dhe avancim të të drejtave dhe lirive për komunitetin tonë shqiptar që jeton në atje”. thuhet në komunikatën për media nga Zyra e Kryeministrit.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Të nderuar partnerë të Koalicionit – “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”,
Kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare, z. Ragmi Mustafa,
Kryetar i Lëvizjes së Progresit Demokratik, z. Shqiprim Musliu,
Kryetar i Unionit Demokratik Shqiptar, z. Naser Haziri,
Kryetar i Aleancës për Luginën, z. Ilir Sadriu,
Bartës i listës, mik i dashur, Shaip Kamberi,
E nderuara këshilltarja ime, Ardita Sinani,
Unë këtu njëmend jam si Kryeministër i Republikës së Kosovës, por bashkë me mua janë edhe tre ministra, Liburn Aliu, Arbërie Nagavci dhe Rozeta Hajdari si dhe zëvendësministrja Daulina Osmani dhe zëvendësministri Mevlud Sinani.
Sa më shumë që shoh rrotull, shoh më shumë anëtarë qoftë të qeverisë ose të shumicës në parlament, pra Avni Dehari, Gani Krasniqi, Enver Dugolli, deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Motra dhe vëllezër,
Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar pjesëmarrës,
Mirë se e gjejmë njëri-tjetrin këtu, në këtë tubim që mbështet vazhdimin e betejës, vazhdimin e angazhimit të pandërprerë, e tash fuqizues e shumë të rëndësishëm, për shqiptarët në Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, apo Luginës siç themi shpesh e zakonisht.
Ky bashkim është dëshmi që mund të jemi edhe për pluralizëm politik edhe unitet kombëtar. Mund të jemi edhe patriotë edhe demokratë. Andaj beteja e këtillë politike me siguri që është e drejtë për nga karakteri i saj, andaj edhe rruga para saj është e drejtë dhe e mirë e në të cilën e keni mbështetjen tonë dhe para se gjithash përgëzimin tonë për këtë bashkim të cilin e kemi arritur.
Pesë parti pra janë bashkuar duke mbledhur e bashkuar kështu gjithë votuesit shqiptarë në Luginë për ta nxjerrë fitues koalicionin me numrin 13, koalicionin me bartës liste Shaip Kamberin, në zgjedhjet e 17 dhjetorit.
Ky koalicion me figura që bartin integritet të lartë moral dhe patriotik, njerëz që shquhen për aktivitetin e tyre politik për të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Luginë, përveç Shaip Kamberit, edhe Ragmi Mustafa, Shqiprim Musliu, Naser Haziri dhe Armend Aliu ka gjithë mbështetjen që i duhet për t’iu kundërvënë regjimit autoritar e antishqiptar të Vuçiqit në Serbi, në mbrojtje dhe avancim të të drejtave dhe lirive për komunitetin tonë shqiptar që jeton në atje.
Po e quajmë regjim edhe antishqiptar përveçse autoritar për shkak se edhe jeta juaj, përvoja juaj por edhe shifrat e dëshmojnë edhe vërtetojnë një gjë të tillë. Konkretisht sa i përket inspeksioneve republikane, merreni me mend, vetëm në Bujanoc është një shqiptar. Asnjë shqiptar tjetër në asnjërën prej tri komunave në të gjitha këto inspeksione që po i lexoj në vijim: inspektori i turizmit, i veterinës, sanitar, për ruajtjen e ambientit, ekonomik, shëndetësor, bujqësisë, fitosanitar, pyjor dhe gjuetisë, inspektori i ujit, inspektor për ekologji, inspektor i arsimit, në nivel republikan, asnjë shqiptarë. Vetëm një në Bujanoc, inspektor i punës dhe ruajtjes në punë. Pra kjo nuk është e rastësishme. Kjo tregon se ekziston një komunitet, një bashkësi që është në shënjestër. Dikush këta njerëz i ka në shënjestër sepse mu kështu krejt në këto inspektoriate, vetëm një shqiptar në Bujanoc, kjo jo vetëm që nuk është në rregull por është padrejtësi eklatante që nuk durohet.
Tjetra, sa i përket për shembull institucioneve gjyqësore:
-Gjykata e Lartë në Vranjë, Preshevë, Medvegjë, Bujanoc, asnjë shqiptar.
-Gjykata Themelore në Vranjë, asnjë shqiptar.
-Gjykata Themelore në Bujanoc, 4 prej 13 (punonjësve), kurse në Medvegjë dhe Preshevë asnjë.
-Gjykata Administrative asnjë shqiptar as në Preshevë, as në Medvegjë as në Bujanoc.
-Gjykata Themelore për kundërvajtje në Preshevë 2 prej 3 (punonjësve) shqiptarë.
Te Prokuroria:
-zëvendësprokurorë asnjë shqiptarë në Bujanoc, asnjë në Preshevë, asnjë në Medvegjë. Vetëm një bashkëpunëtor i lartë i Prokurorisë në Bujanoc, në Preshevë dhe Medvegjë asnjë.
-në Prokurorinë e Lartë Publike, ajo Themelore Publike, sërish asnjë shqiptar.
Në Dogana:
-Asnjë shqiptar as në Preshevë, as në Bujanoc as në Medvegjë.
Vetëm një noter në Preshevë.
Në Kadastër, asnjë në Bujanoc, asnjë në Medvegjë, vetëm një në Preshevë.
Asnjë zjarrfikës në Bujanoc dhe Medvegjë, vetëm një në Preshevë.
Edhe te Ombudspersoni asnjë shqiptar.
Të gjitha këto janë dëshmi që kjo është një bashkësi në shënjestër. Nën shënjestër të pushtetit dhe të shtetit.
Më tej, sa i përket për shembull policisë dhe drejtuesve të nënstacioneve, vetëm në Bujanoc janë 4 prej 10 drejtues të nënstacioneve. Në Preshevë janë 5 nënstacione, asnjë shqiptarë drejtues. Në Medvegjë, 3 nënstacione asnjë shqiptarë drejtues.
E dimë se nuk spital, nuk ka as universitet. Nuk ka spital as në Preshevë as në Bujanoc, ndërkaq merreni me mend, në Spitalin e Vranjës, ku shkojnë qytetarët nga Presheva e Bujanoci nuk ka asnjë të punësuar shqiptarë, prej 700 sosh. 700 në Dusseldorf (të Gjermanisë) qëllojnë rreth 15 shqiptarë.
Pra, këtu dikush po përpiqet që t’i lë shqiptarët në zero. Prandaj edhe me të drejtë është quajtur që është përpjekje e vazhdueshme për spastrim etnik administrativ e institucional.
Të nderuar të pranishëm,
Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginë që nga organizata ndërkombëtare si Amnisty International, por edhe Komiteti i Helsinkut për të Drejta të Njeriut, u vlerësua si spastrim etnik përmes metodave administrative kundër shqiptarëve. Moslejimi i përdorimit të flamurit kombëtar në Luginë që nuk gjen shembull tjetër të shkeljes së tillë të ndonjë komuniteti pakicë në rajon apo në botë; inekzistenca e shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore në Serbi; mungesa e qasjes në drejtësi, siguri, ekonomi; mospranimi i diplomave nga Universitetet e Kosovës; moslejimi i teksteve shkollore nga Kosova; përbëjnë elemente të këtij sulmi shtetëror mbi shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Këto shkelje janë të përditshme – ndonëse ne i përmendim në fjalim një herë, ato vlejnë edhe nesër kur nuk do të jem duke folur për këtë çështje. Ato janë shkelje të të drejtave themelore të shprehjes, identitetit, gjuhës, traditës e kulturës, që për qëllim e kanë shpopullimin e këtyre tri komunave ku shqiptarët janë autokton dhe duke ua rënduar jetën. Mirëpo ne të gjithë e dimë se kurrë nuk kanë arritur dhe do të dështojnë sërish sepse shqiptarët as nuk heshtin as nuk nënshtrohen. Përkundrazi, vetëm sa na mobilizojnë e na aktivizojnë për betejat e ardhshme, e njëra prej tyre është edhe kjo betejë politike ku vota për Shaip Kamberin, për këtë bashkim të pesë subjekteve politike shqiptare është pikërisht votë, siç e tha edhe z. Kamberi, votë për rezistencë. Për rezistencë kundër autoritarizmit dhe fashizmit në Serbi.
Të dashur Luginas,
Jemi pra vetëm pak ditë larg datës së rëndësishme të zgjedhjeve të 17 dhjetorit. Është koha për mobilizim, për ta dëshmuar vendosmërinë dhe guximin në betejën që ju takon juve, por na takon të gjithëve për ndihmë, mbështetje dhe solidaritet. Është koha që regjimi autoritar në Beograd, si nacionalist e antishqiptar që është, si shovenist dhe autoritar, i cili i diskriminon dhe shtypë komunitetet pakicë, ta ndesh kundërshtimin e fuqishëm që i tregon se shqiptarët edhe nuk nënshtrohen edhe fitojnë. Për këtë keni gjithë përkrahjen tonë, për këtë ju ftoj të gjithëve të bashkoheni në këtë nismën të përbashkët në përkrahje të Shaip Kamberit.
E në këtë betejë, çdo votë përfaqëson një shenjë të fuqishme të kundërshtimit ndaj këtyre politikave të padrejta dhe diskriminuese. Nuk ka asnjë votë të parëndësishme, secila votë është e vlefshme dhe ajo duhet të dëshmohet të dielën e 17 dhjetorit.
Me votën për numrin 13 në këto zgjedhje, mbështetet lista e subjekteve politike shqiptare që përfaqësojnë interesat e përbashkëta. Kjo listë e bartë mesazhin e bashkimit, të paqes, të demokracisë, të sigurisë dhe synimin për liri, të drejta, dhe jetë më të mirë.
Shaip Kamberi është figura që udhëheq këtë projekt të rëndësishëm. Ai ka në dorë detyrën e përfaqësimit të dinjitetshëm, ai e ka edhe mbështetjen e qytetarëve të Prishtinës e më gjerë.
E dimë që një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci jetojnë në Prishtinë, jetojnë në Fushë Kosovë, jetojnë në Gjilan por edhe në komuna tjera. Unë kam ofruar një mundësi për marrëveshje me Serbinë që në ato tri dhoma të zbrazëta që janë në ndërtesën e Bashkimit Evropian e cila ndodhet ndërmjet Kuvendit dhe Qeverisë të mund të votojnë qytetarët në zgjedhjet që mbahen në Serbi. Po të bëhej ajo marrëveshje do të kishim mundur edhe serbët që janë në Kosovë të votojnë. Mirëpo nuk u bë kjo marrëveshje, prandaj atyre ju ngelet mundësia që të votojnë duke udhëtuar me autobusë ose me vetura. E unë ju inkurajoj të gjithëve që, meqenëse nuk u bë mundësia të votoni në Prishtinë, të dielën edhe shkoni votoni numrin 13 për Shaip Kamberin, e nuk dyshoj që keni shumë kushëri që i ka marrë malli për juve.
Me këtë rast, i bëj thirrje të tre kryetarëve tanë të komunave, të Komunës së Prishtinës, Përparim Ramës, të Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berishës dhe të Komunës së Gjilanit, Alban Hysenit që të ndihmojnë në transportin sa më të lirë e më të lehtë, ashtu që vota të mos jetë e penguar por të jetë e ndihmuar për ata të cilët duan e do të duhej ta shprehin vullnetin e tyre me 17 dhjetor.
Në këtë betejë numri 13 pra është simbol i forcës për të përfaqësuar shqiptarët e Luginës me dinjitet e krenari. Duke votuar numrin 13, do të përkrahni listën e cila brenda vetes i ka këto 5 subjekte politike shqiptare – pra cilado të jetë preferenca juaj për këto pesë subjekte: Partia për Veprim Demokratik, Partia Demokratike Shqiptare, Lëvizja e Progresit Demokratik, Unioni Demokratik Shqiptar dhe Aleanca për Luginën, vota është e përbashkët sepse këto subjekte janë bashkuar. Dhe unë besoj që është e rëndësishme që ju ta shpërbleni këtë bashkim. Ky bashkim i cili ka ndodhur nga poshtë, jo nga lartë, ka ndodhur prej aty ku është populli, ku jeton e punon ai, të shpërblehet me votën e të gjithë juve.
Shaip Kamberi është një zë i fuqishëm i reciprocitetit, meqenëse ky e thekson barazinë. Ata që e dojnë barazinë, ata e duan edhe reciprocitetin si princip i shëndosh i marrëdhënieve të mira prej ndërnjerëzore deri te ndërshtetërore.
Ne në Kosovë i kemi 93% shqiptarë, mirëpo i kemi edhe 4% serbë, kemi pakicë. Nuk jemi krejt shqiptarë, 93% jemi shqiptarë, jo më shumë. 4% janë serbë, 3% janë pakicat tjera, boshnjakë, romë, ashkali, egjiptian, turq, goranë – pra i kemi 7% pakica, kurse shumica jemi 93%. Në anën tjetër në Serbi janë 20% pakica. Pra gati trefish më shumë se në Kosovë. Kjo i bie që në Serbi ka trefish më shumë arsye për të pasur EULEX, për të pasur ulëse të rezervuara, për të qenë gjuha zyrtare e pakicave gjithandej niveleve të administratës dhe komunave atje e kështu me radhe. Prandaj këto do duhej të vihen në spikamë si derivat i konceptit të barazisë, pra thirrja për reciprocitetin për çfarë me atë që unë e di dhe e njoh, udhëheqësi i listës Shaip Kamberi e ka theksuar nga hera dhe vazhdon të insiston në të.
Ftoj të gjithë që të bashkohen e ta mbështesin Shaip Kamberin dhe festohet kësisoj bashkimi dhe përparimi ynë.
Bashkohuni në këtë udhëtim tonin, betejën për përfaqësimin e denjë dhe të drejtë. E beteja politike e shqiptarëve vazhdon – për Shaip Kamberin dhe për të ardhmen tuaj e tonë.
Ju faleminderit.
Ana dhe Kevini nuk e dinë kush e ka shpallur Pavarësinë e Ko...
Ruben Amorim merr vendimin e parë – bllokon largimin e yllit...
Mike Johnson: Programi i Trump-it nuk përfshin dëbimin e emi...
Gjesti dhe Xheneta sqarohen, diskutojnë gjerë e gjatë
Një qytetar nga Podujeva dorëzon në polici para të gjetura
Dita Botërore e foshnjeve të lindura para kohe – Një p...