Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me të rinjtë e komunitetit rom, ngjarje kjo e zhvilluar nën organizimin e Zyrës për Çështje të Komuniteteve, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti shprehu falënderimet për kontributin e dhënë nga ky komunitet në Republikën e Kosovës.
Në këtë tryezë, u diskutua për sfidat, mundësitë e komunitetit rom, për prioritetet për vitin 2024, aktivitetet të cilat janë zhvilluar gjatë vitit, si dhe çështja e punësimit, për të cilën është krijuar platforma për praktikë me pagesë përmes “Kosovo Generation Unlimited”, e cila ka si synim që 15% e praktikantëve të jenë nga komunitetet jo shumicë në Kosovë.
Kurti theksoi se Qeveria ka investuar 200 mijë euro në qendra mësimore si ndihmë për nxënësit rom, ashkali dhe egjiptian.
Ai përmendi dhe të arriturat me rëndësi si ndarjen e mjeteve buxhetore për rinovimin dhe ndërtimin e 618 shtëpive të komuniteteve, prej të cilave përfiton edhe komuniteti rom.
Nga grantet e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, 146 familje rome kanë përfituar teknikë të bardhë, mobilje, pako higjienike e ushqimore, dhe mbështetje për biznese si dhe për përdorimin e gjuhës rome është mundësuar që Strategjia dhe Plani i Veprimit për Rini të përkthehet edhe në gjuhën rome, ashtu që të arrihet konsultimi i plotë me të rinjtë e Kosovës.
Gjithashtu shtoi se janë ndarë bursa për 500 nxënës të këtyre komuniteteve në shkollat e mesme, ndërsa për studentët në universitete publike janë ndarë 55 bursa.
Me këtë rast, teksa foli edhe për çështjen e regjistrimit të popullsisë e cila do të nisë në muajin prill të vitit të ardhshëm, kryeministri potencoi se për herë të parë secili komunitet do të ketë regjistruesin prej komunitetit që i përket ashtu që bashkëbisedimi të jetë efikas dhe sa më dashamirës.
“Duam që të sigurohemi me këtë rast, që të drejtat e garantuara me Kushtetutë, t’i gëzojmë edhe siç ju takon, si në nivelin lokal edhe në atë qendror, të gjitha komunitetet, e jemi të përkushtuar që komuniteti rom të jetë i përfshirë në procesin e regjistrimit deri në maksimum”, përfundoi kryeministri Kurti, bën të ditur komunikata nga Zyra e Kryeministrit, përcjell Arbresh.info
Në përfundim, ai u shpreh se edhe përkundër sfidave dhe vështirësive që hasin ky komunitet, ato do t’i përballojnë së bashku.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
Faleminderit shumë!
Vlaca dive!
I nderuari Erxhan Galushi, deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës,
I nderuari Sylejman Elshani, zëvendësministër në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
Të nderuar përfaqësues të komunitetit rom,
Mirë se erdhët dhe mirë se e gjejmë njëri-tjetrin, në këtë ditë të veçantë e për një rast po ashtu të veçantë.
Me kënaqësi do të bisedojmë për prioritetet e vitit 2024, ndërkohë që pres edhe të dëgjoj prej juve se çfarë ndikimi kanë pasur nismat dhe aktivitetet që i kemi ndërmarrë e i kemi zhvilluar në këtë vit, që ngadalë por sigurt po lëmë pas. Dhe gjithashtu duke theksuar çështjen e cila më së shumti e më së shpeshti është ngritur nëpër takimet tona është ajo e punësimit, dhe ne këtë siç e dini jemi duke e adresuar.
Konkretisht, kemi krijuar platformë për praktikë me pagesë përmes “Kosovo Generation Unlimited”, ku synojmë që 15% e praktikantëve të jenë nga komunitetet jo shumicë. Gjatë këtij viti jam takuar me të rinjtë të cilët kanë përfituar nga ky program, jo vetëm financiarisht, por edhe përgatitje për tregun e punës.
Me Ekipin Ndërinstitucional për Punësimin e Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianeve, kemi ndërmarrë disa hapa praktikë që kanë kontribuar që këto komunitete të jenë pjesë e tregut të punës dhe të kontribuojnë në ekonominë tonë vendore në Kosovë.
Në tetor, është krijuar baza ligjore për masën afirmative, lidhur me shpalljen e vendeve të punës të cilat janë të rezervuara vetëm për komunitetet jo shumicë. E kjo ndihmon në arritjen e kuotës prej 10% që janë të rezervuara për këto komunitete në institucionet qendrore të Republikës.
Edhe në fushën e sigurisë është rritur punësimi i komuniteteve. Unë gëzohem që një ushtar rom, bashkë me 11 të tjerë prej komuniteteve jo shumicë, javën e ardhshme do të betohen si pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Për përfshirje sa më të gjerë në agjencitë e sigurisë publike, muajin e kaluar është organizuar Dita e Hapur, në Akademi në Vushtrri vetëm për komunitetet. Këtu pata rastin që të bashkëbisedoj me mbi 100 të rinj, kryesisht prej komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Qeveria ka investuar 200 mijë euro në qendra mësimore si ndihmë për nxënësit rom, ashkali dhe egjiptian sepse ju keni kërkuar që të theksohet rëndësia të cilën ju e dini nga përvoja juaj jetësore e këtyre qendrave mësimore, ku mua më kanë thënë edhe se shumë rom, ashkali edhe egjiptian që i njoh, në fakt ngritjen e tyre arsimore, profesionale dhe të qenurit njerëz publik e më pastaj edhe figura të njohura e të mirënjohura publike, i ka rrënjët pikërisht te këto qendra mësimore.
Kemi vazhduar me bursa për 500 nxënës të komuniteteve në shkollat e mesme, dhe kemi ndarë 55 bursa për studentët në universitete publike.
Dukuria e martesës së hershme në disa rajone të Kosovës është e pranishme, andaj si përgjigje ndaj kësaj, këtë javë e kemi themeluar grupin punues ndërinstitucional për parandalimin dhe raportimin e martesave të hershme, pikërisht në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës të cilën e patëm pardje.
Ky grup ka një pjesëmarrje të gjerë institucionale, shoqëri civile dhe avokues të të drejtave të njeriut. Urojmë që vitin e ardhshëm, së bashku të sjellim ndryshim të vërtetë në mbrojtjen e vajzave të komunitetit.
Për arsim dhe për punësim, puna duhet të jetë e vazhdueshme, por ka edhe një zhvillim këtë vit, që është me rëndësi të veçantë për komunitetin; është fjala për regjistrimin e popullsisë, e që do të nisë në muajin prill.
Për ne si shtet është e domosdoshme që ta planifikojmë infrastrukturën e duhur për qytetarët që kërkojnë shërbime në Republikën tonë, e regjistrimi i popullsisë është procesi më themelor e serioz, që kontribuon politika të mira për zhvillimin e vendit në përgjithësi.
Regjistrimi i popullsisë është pasqyra e një populli. Secili prej nesh shikohet së paku një herë në ditë në pasqyrë dhe vetëm duke e parë veten në pasqyrë, ne arrijmë të rregullohemi ashtu siç mendojmë që duhet të dukemi.
Pa regjistrim të popullsisë ne jemi pa pasqyrë dhe rregullimi pa pasqyrë mund të jetë i mirë në mendjen e secilit, por jo edhe në pamjen e të tjerëve, e më pastaj as në mendjen e personit. Neve na duhet që shtetit tonë, popullsisë tonë t’ia konsolidojmë pasqyrën ku e sheh veten dhe mandej rregullohet në përputhje me planet, vizionet që ka.
Duam që të sigurohemi me këtë rast, që të drejtat e garantuara me Kushtetutë, t’i gëzojmë edhe siç ju takon, si në nivelin lokal edhe në atë qendror, të gjitha komunitetet, e jemi të përkushtuar që komuniteti rom të jetë i përfshirë në procesin e regjistrimit deri në maksimum.
Pra, duam t’iu ndihmojmë që të na ndihmoni, që t’iu ndihmojmë.
Kemi ndarë fonde për OJQ-të të komunitetit që bëjnë shpërndarje të informimit te qytetarët. Gjithashtu kemi rezervuar 42 pozita për numërues dhe mbikëqyrës rom. Sepse ka edhe aso që numërojnë edhe regjistrojnë por edhe aso që i mbikëqyrin numëruesit. Për të dy kategoritë na duhen edhe pjesëtarët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian me ç’rast, për herë të parë po ju ofrojmë qytetarëve, që secili komunitet të ketë regjistruesin prej komunitetit që i përket ashtu që bashkëbisedimi të jetë efikas dhe sa më dashamirës, sa më i afërt, e kemi lansuar një qasje të tillë.
Këtë vit kemi ndarë mjete buxhetore për rinovimin dhe ndërtimin e 618 shtëpive të komuniteteve, prej të cilave përfiton edhe komuniteti rom. Nga grantet e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, 146 familje rome kanë përfituar teknikë të bardhë, mobilje, pako higjienike e ushqimore, dhe mbështetje për biznese.
Këtë javë kam qenë nikoqir në një konferencë me donatorë, ku është diskutuar për nevojën e strehimit të 60 familjeve, kryesisht romë, por edhe ashkalinj dhe egjiptian, të ardhur nga Mali i Zi ose Maqedonia e Veriut. Shpresojmë që gjatë vitit të ardhshëm këto familje të kenë kulm mbi kokë. Bëhet fjalë për kushte ekzistenciale të jetës e të banimit.
E di që në mesin e pjesëmarrësve sot, kemi aktivistë e aktiviste që i kanë identifikuar këto familje, pra kanë kontribuar që ato të gjenden dhe në të njëjtën kohë të hyjnë në regjistra ku do t’i trajtojmë për çështjen e banimit të ri. Ato kanë qenë në gjendje tejet të rëndë, si familje andaj nga këtu dua t’iu falënderoj për përkushtimin dhe angazhimin që keni bërë në identifikimin e tyre dhe tash duhet ta vazhdojmë me Ambasadën britanike, me Danish Refugee Council, me Komunën e Gjilanit e të Ferizajt që ta përmbyllim gjatë vitit të ardhshëm këtë proces tejet të rëndësishëm.
Për përdorimin e gjuhës rome jemi siguruar që Strategjia dhe Plani i Veprimit për Rini të përkthehet edhe në gjuhën tuaj rome, ashtu që të arrihet konsultimi i plotë me të rinjtë e Kosovës. Gjithashtu, edhe buletini që dërgohet çdo dy javë nga Zyra për Çështje të Komuniteteve me mundësitë nga Qeveria jonë që mund të jenë interes i komuniteteve, dërgohet në gjuhën rome, bashkë me gjuhët e tjera të folura në Kosovë.
Unë, ju falënderoj shumë për pjesëmarrjen tuaj, për rolin, angazhimin, kontributin që keni bërë, që po bëni, e që gjithnjë bashkë do ta bëjmë dhe në veçanti e falënderoj këshilltaren time, Nurije Shala, për organizimin e kësaj ngjarje bashkë me Zyrën për Çështje të Komuniteteve.
Faleminderit Nurije,
Faleminderit Erxhan,
Faleminderit Sylejman,
Faleminderit të gjithëve,
Tani është fjala e juve.
Oven saste!
Ju faleminderit!
Qeveria mban mbledhje elektronike, merr dy vendime
Agjenda e mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe...
Foda: Kosova më nuk do të tolerojë të ofendohet
Pacolli: Ministër Peci, reagimi emocional mund të japë përsh...
Mos e përdorni këtë fjalëkalim pasi hakerit do t’i duhet vet...
Reali do ta huazojë Endrickun, pesë klube pas yllit brazilia...