Kurti mori pjesë në tryezën e diskutimit për fuqizimin ekonomik të grave nga komunitetet joshumicë

15:54 | 17 Dhjetor 2024
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sot mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me partnerët ndërkombëtarë për fuqizimin ekonomik të grave nga komunitetet joshumicë, të organizuar nga Zyra e Kryeministrit.

Ky ishte takimi i katër radhazi i kësaj natyre dhe kryeministri Kurti theksoi se kjo është Qeveria e parë që ka ftuar partnerët në këtë format, me qëllim për të përmirësuar koordinimin dhe për të identifikuar prioritetet tona të përbashkëta, përcjell Arbresh.info.

Çështja e trajtuar në këtë takim ishin sfidat e veçanta dhe urgjenca e fuqizimit ekonomik të grave të komuniteteve joshumicë në vendin tonë, temë e cila u konsiderua e rëndësishme nga të dyja palët.

Siç njofton ZKM, disa nga sfidat e përmendura nga kryeministri gjatë këtij takimi, ishin niveli i ulët i pronësisë dhe trashëgimisë për të gjitha gratë në Kosovë, niveli i ulët i statusit socio-ekonomik të familjeve, përgjegjësitë më të mëdha të kujdesit të grave në krahasim me burrat, si dhe përqindja e lartë e të gjitha grave që punojnë në tregun e punës joformal.

Mirëpo, pavarësisht sfidave, kryeministri u shpreh se situata po përmirësohet në bazë të arritjeve të bëra gjatë qeverisjes.

“Për të adresuar çështjet e mungesës së kapitalit të grave, ne kemi nxitur me sukses regjistrimin e pronës në emër të burrit dhe gruas dhe kemi kushtuar një total prej 11 milionë euro që nga viti 2021 për të mbështetur gratë sipërmarrëse për të hapur bizneset e tyre, duke ndihmuar rreth 650 ndërmarrjet në pronësi të grave”, deklaroi ai.

Në këtë kontekst, u veçua edhe fakti që 100 mijë gra kanë hapur llogari bankare për herë të parë, të nxitura pjesërisht përmes skemës për pagesat për gratë lehona, ndërkaq 55% e të punësuarve përmes programit “Qeveria për Familjet” janë gra dhe 51% e përfituesve nga platforma Superpuna janë gra.

“Me këtë qasje, ne kemi arritur një rënie të papunësisë më të madhe për gratë sesa për burrat: papunësia për gratë u ulë nga 30% në 17% kur krahasojmë tremujorin e parë të 2021-ës, në fillim të qeverisë sonë, me tremujorin e fundit të 2023-ës”.

Për mundësitë ndaj komuniteteve joshumicë, kryeministri Kurti foli edhe për disa iniciativa specifike, sikurse procesi i verifikimit të diplomave të universitetit, për t’iu mundësuar pjesëtarëve të komunitetit joshumicë serb që kanë studiuar në universitetin në Mitrovicën e Veriut, të aplikojnë për punë në institucionet e Kosovës. Në anën tjetër shtoi se janë dhënë 884 bursa për studime të shkollës së mesme gjatë dy viteve të fundit për nxënësit nga radhët e komuniteteve joshumicë rom, ashkali dhe egjiptian dhe prej tyre, 51% të përfitueseve kanë qenë vajzat, ndërkaq vitin e kaluar janë dhuruar 55 bursa për studentët nga këto komunitete që ndjekin studimet në universitetet publike, dhe 64% e përfituesve kanë qenë vajza.

Në fund, kryeministri i falënderoi të gjithë partnerët për kontributin e tyre, duke besuar se në takimin e radhës do të mund të vënë në pah zhvillimet specifike në adresimin e të gjithë faktorëve kufizues që zvogëlojnë shanset e grave të komuniteteve pakicë për të kontribuar me aftësitë e tyre në ekonominë e Kosovës dhe jetën e tyre./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme