Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve.
Fjalën e tij kryeministri e nisi me krahasimin ndërepokal siç e quajti ai, për të krijuar një përfytyrim se sa shumë kanë ndryshuar mënyrat e përcjelljes së lajmeve nga vendi i ngjarjes deri te publiku.
“Në jetën politike bashkëkohore, asgjë nuk e ka ngjeshur më shumë diskursin publik, se sa përshpejtimi gati frenetik i qarkullimit të lajmeve dhe informacioneve. Nëse vetëm një shekull më parë, njerëzit shkonin në kinema për të parë kronikat filmike shtetërore të gjiruara në frontet e luftës ditë më parë, sot njerëzit mund t’i ndjekin edhe në kohë reale luftimet nga frontet në Ukrainë, përmes transmetimeve live”, tha kryeministri.
Duke kujtuar zhvillimin e hovshëm teknologjik, kryeministri tha se raporti semiologjik mes dhënësit të mesazhit, pra mediave dhe marrësit të tij, publikut, ishte raport i njëkahshëm dhe shumë i qartë.
Por kur ky raport u përmbys nga shpikjet teknologjike dhe masivizimi i tyre, rolet u bënë të anasjellta.
Figura e gazetarit dhe ajo e publikut, u ndërkëmbyen mes tyre duke krijuar një raport të ri, ku edhe publiku mund të raportonte dhe të bënte gazetarin, e ku gazetari mund ta gjente veten në pozicionin e publikut përballë publikut të tij tradicional, që nga burim informacioni ishte kthyer në transmetues të drejtpërdrejtë të tij.
Kryeministri Kurti tha se ndjehet i gëzuar të shoh që në Kosovë po organizohen të tilla takime për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve, e fiksuar në datën 2 prill. Sepse me sa duket, në kohën tonë, shprehja e vjetër gjermane, “Beso dhe verifiko”, ka nevojë për një verifikim po ashtu, nga “Beso dhe verifiko” në “Verifiko dhe beso”!
“Sa herë që flitet për të drejtën për të raportuar lirshëm, më vjen mirë të pohoj se jam në krye të qeverisë së një vendi ku liria e mediave është shembull për vendet e rajonit dhe më gjerë, siç pohohet edhe në raportet ndërkombëtare”, tha kryeministri Kurti dhe shtoi se Kosova është shembull për fjalën e lirë dhe zhvillimet progresiste për lirinë e mediave./Arbresh.info/
Haxhiu: Serbia s’i dorëzon kriminelët e luftës, ne do t’i gj...
Vitia nënshkruan listën finale që i hap udhë jetësimit të Li...
Pritjet deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë
Ambasada amerikane nderon Hovenierin për marrëdhëniet ShBA-K...
Hoxha pret ambasadoren greke: Shtim të sporteleve në pikat k...
Presidenja e Gjeorgjisë kërkon që data e zgjedhjeve të cakto...