Google ADS

Kurti mori pjesë në shënimin e 15-vjetorit të themelimit të Shoqatës Bëmirëse “Jetimat e Ballkanit”

21:40 | 17 Dhjetor 2024
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në mbrëmjen e sotme mori pjesë në ngjarjen e organizuar me rastin e shënimit të 15-vjetorit të themelimit të Shoqatës Bëmirëse “Jetimat e Ballkanit”, e cila u mbajt në hapësirat e Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyqi”, në qytetin e Suharekës.

Aty, Kurti u mirëprit nga kryetari i kësaj shoqate, Halil Kastrati, transmeton Arbresh.info.

“Varfëria dhe vështirësitë ekonomike janë sfida shumë të mëdha në shumë komunitete, ndërkaq shteti ka përgjegjësinë kryesore për të siguruar mirëqenien e qytetarëve. Megjithëkëtë organizata të tilla, si “Jetimat e Ballkanit”, luajnë një rol shumë të rëndësishëm në plotësimin e nevojave të atyre që janë më të prekur”, tha ai.

Ai gjithashtu theksoi bashkëpunimin që ka qeveria me Organizatën Bëmirëse “Jetimat e Ballkanit” në disa komuna të Kosovës dhe i cili po vazhdon me zgjerimin e tij në projekte të shumta, përfshirë këtu edhe rreth 200 shtëpi, që po i ndërtojmë së bashku në veriun e Kosovës.

Në ngjarjen e organizuar nga Shoqata Bëmirëse “Jetimat e Ballkanit”, krahas Kurtit ishin edhe anëtarë tjerë të kabinetit qeveritarë, deputetë nga Kuvendi i Kosovës, ambasadorë e përfaqësues nga organizata të shoqërisë civile.

Kryeministri shprehu urimet e tij me rastin e shënimit të 15-vjetorit të themelimit si dhe mirënjohjen e tij të thellë ndaj Organizatës Bëmirëse “Jetimat e Ballkanit”./Arbresh.info

Të ngjashme