Kurti mori pjesë në promovimin e librit “Të Burgosurit e Ndërgjegjes: Memoare për Politikën, Burgun dhe Torturën (1945-1999)”

10:16 | 17 Dhjetor 2024
K.B

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë mori pjesë në promovimin e librit “Të burgosurit e Ndërgjegjes: Memoare për Politikën, Burgun dhe Torturën (1945-1999), botuar nga forumZFD programi në Kosovë, Qendra Kosovare për Rehabilitim e të Mbijetuarve të Torturës dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë.

Libri përmbledh histori personale të ish-të burgosurve politikë, burra dhe gra, të cilët jetuan dhunën, shtypjen dhe torturën në ish-Jugosllavi (1945-1999). Përmes intervistave të thelluara dhe dokumentimit historik, libri shqyrton strategjitë shtetërore të përndjekjes dhe shtypjes politike, përvojat e burgosjes, torturës dhe mbijetesës në izolim, rolin e rezistencës politike dhe aktivizmit për paqe dhe barazi, dhe kujtesën e disidencës dhe ndikimin e saj në historinë bashkëkohore.

Nga Zyra e Kryeministrit njoftojnë se Kurti, tha se botimi i këtij libri është shumë i rëndësishëm, veçanërisht për shkak se nuk dihet publikisht mjaftueshëm për kujtimet, përjetimet, përvojat dhe njëkohësisht mendimet që i kanë sot të burgosurit e ndërgjegjes e që janë në një masë të kushtëzuara prej asaj në të cilën kanë kaluar edhe individualisht edhe kolektivisht ata, shkruan Arbresh.info

Ai falënderoi dhe përgëzoi profesorët Vjollca Krasniqi, Eli Krasniqi dhe Durim Abdullahu dhe të gjithë të intervistuarit për kontributin e tyre në finalizimin e këtij libri.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Të nderuar të pranishëm,
Të nderuar panelistë, profesorë Vjollca Krasniqi, Eli Krasniqi dhe Durim Abdullahu,

Unë jam shumë i nderuar që ndodhem këtu në mesin tuaj dhe më falni që u vonova sonte për shkak se isha në një aktivitet jo shumë larg, por pothuajse në të njëjtën kohë. Duke qenë edhe vetë i burgosur i ndërgjegjes, besoj që botimi i këtij libri është shumë i rëndësishëm, për shkak se nuk dihet publikisht mjaftueshëm për kujtimet, përjetimet, përvojat dhe njëkohësisht mendimet që i kanë sot të burgosurit e ndërgjegjes e që janë një masë të kushtëzuara prej asaj në të cilën kanë kaluar edhe individualisht edhe kolektivisht ata. Besohet që diku bëhet fjalë për 666 shekuj në burg që nga përfundimi i luftës së dytë botërore e deri tani.

Unë po vij tash në Prishtinë prej dy vizitave në dy ish-Republikat e Jugosllavisë, në Kroaci edhe në Slloveni, dhe është interesant që këto janë dy republika me të cilët ne kemi qenë edhe në të dy Jugosllavitë, edhe në Jugosllavinë monarkike edhe në Jugosllavinë e AVNOJ-it, por njëkohësisht edhe pjesë e Jugosllavisë së Tretë teksa shpërbëhej Jugosllavia si e tillë, Jugosllavia e Millosheviqit dhe Zhablakut, Kushtetutës së Zhablakut, dhe shqiptarët në vitet e 80-ta kanë qenë populli me numrin më të madh të të burgosurve politikë për popullsinë në Evropë. Në Evropë nuk ka pasur në vitet e ’80-ta asnjë popull tjetër që ka pasur më shumë të burgosur politikë sesa ne. Dhe kur po them shqiptarët, po mendoj para se gjithash shqiptarët e Kosovës, por jo vetëm edhe ata në Maqedoninë e Veriut sot, në Luginën e Preshevës, e në Mal të Zi që e kanë pasur në një mënyrë joformale Prishtinën kryeqytet, për shkak të universitetit, kanë përbërë grupin më të madh të të burgosurve politikë në Evropë, se lerë më në ish-Jugosllavi. E në këto republika, ku isha unë tash, në Stara Gradishk, në Lepogllavë, në Goli Otok, e më herët edhe në Foça të Bosnjë dhe Hercegovinës, janë edhe vende të burgjeve. Mund ta merrni me mend se si ka shumë shqiptarë, të cilët kanë kaluar me vite të tëra në një qytet pa e parë kurrë atë qytet, se kanë qenë veç në burg.

Tash, në një version shumë më të vogël sesa shumë prej ish-burgosurve politikë që janë e këtu, e kam përjetuar edhe vetë këtu. Kanë qenë një vit në Pozharec, pa shkuar në Pozharec kurrë, kam qenë një vit në Çupri, pa shkuar në Çupri kurrë, kam qenë tre muaj në Nish, pa shkuar në Nish kurrë. Domethënë këta 666 shekuj burg që i kanë shqiptarët, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore janë nëpër qytete të ndryshme të Jugosllavisë, pa shkuar kurrë në ato qytete. Ne kemi qenë shumë të izoluar këtu në Kosovë dhe kur na kanë dërguar nëpër Jugosllavi, na kanë dërguar nëpër burgjet e ish-Jugosllavisë. Edhe prej atje mandej janë kthyer me rrëfime, të cilat sërish janë thënë nën zë. Ka pasur organizime ilegale të shqiptarëve, mandej arrestime të tyre, persekutime, dhe më pastaj kur kanë dalë nga burgu siç ka thënë baca Adem, Adem Demaçi, “Po dal prej burgut të vogël në burgun e madh”, dhe prapë nuk kanë mundur që të flasin lirshëm sikurse atëherë kur ka qenë periudha e paraburgut. Pra, nuk kanë mundur të flasin lirshëm, kanë përfunduar në burg, kanë dalë prej burgut të vogël në burgun e madh, prapë nuk kanë mundur të flasin lirshëm.

Në njërën anë, organizimin e kanë pas ilegal, por më pastaj edhe kujtimet kanë ngelë ilegale, sepse nuk ke mundur të tregosh lirshëm se çfarë ke përjetuar e t’i ndashëm të tjerët. Nuk kanë qenë pjesë e diskutimit publik, e diskursit të hapur publik me qytetarët e tjerë përjetimet që kanë qenë në burg. E këtu interesant, nga Bosnja dhe Hercegovina, Sllovenia dhe Kroacia, një gjë që vërejta është se ndoshta ne shqiptarët e kemi pasur organizimin ilegal një çikë më të kollaj se të tjerët, se gjuha jonë nuk është mësuar prej tjerëve. Pra, për organizim ilegal ka qenë më mirë të flitet shqip. Pra, në masë konsiderueshme ne e kemi ditë gjuhën e tyre, ata nuk e kanë ditur gjuhën tonë. Dhe, fakti që nuk e kanë ditur gjuhën tonë na e ka lehtësuar pak organizimin tek ne. Por, në anën tjetër, është evidente që ne i kemi pasur arsyet shumë më të mëdha për organizimin e ilegales se të tjerët. Në mbledhjen e AVNOJ-it, për shembull pavarësisht partizanëve shqiptarë në atë kohë, shqiptarët e Kosovës nuk janë ftuar, e të mos flasim për periudhën e reformave agrare, kolonializmit atëherë midis dy Luftërave Botërore, se për Aparteidin në vitet e 90-ta, pas suprimimit të autonomisë kur vjen edhe okupimi klasik.

Por, për mua është fasinuese t’i dëgjoj këto diskutime. Falënderoj shumë, profesoreshën Vjollcën, Elin dhe Durimin edhe të gjithë ata të cilët janë intervistuar. E pashë nga emra që i njoh që të gjithë në këtë libër. Mezi pres ta lexoj, shpresoj që gjeneratat e reja do ta kenë edhe kureshtjen edhe durimin që të mësojmë më shumë për këto kujtime, të cilët unë besoj që janë në themel edhe të rezistencës paqësore të viteve të ’90-ta, edhe të kryengritjes çlirimtare të fundit të viteve të ’90-ta që ishin vendimtar për lirinë e Kosovës dhe për pavarësinë e saj.

E këto diskutime, përveçse interesante këtu, unë shpresoj sepse besoj që do të jenë edhe të frytshme përtej këtu, e për të ardhmen.

Faleminderit!

Të ngjashme