Kryeministri i vendit, Albin Kurti bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, si dhe kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, morën pjesë në përurimin e Bibliotekës së re të Komunës së Shtime.
“Inaugurimi i çfarëdo objekti të dijes, është dhe duhet të jetë festë për të gjithë ne. Hapja e dyerve të ndërtesës së re të Bibliotekës së qytetit të Shtimes, sot shënon një ditë feste për arsimin, kulturën dhe për mbarë komunitetin e këtij qyteti”, tha Kurti në fjalën e tij në kuadër të ngjarjes, transmeton Arbresh.info.
“Biblioteka e Shtimes, si një ndërtesë e re dhe moderne e cila i plotëson të gjitha kushtet dhe nevojat e lexuesve, është gjithashtu edhe plotësisht e invertarizuar. Me një investim prej 629 mijë euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, është siguruar kjo hapësirë për të ardhme me rini të arsimuar, të lexuar mirë, e më e rëndësishmja, aktive në qytetari e në shërbim të komunitetit dhe zhvillimit të një shoqërie të mbarë e progresiste”, njofton ZKM.
Kurti tha se ky projekt ka filluar shumë vite më herët, por ka çaluar, ngecur e stagnuar nëpër procedura burokratike, administrative e të lloj-llojshme, e përfundimisht tani ka gjetur zgjidhje të të gjitha problemeve brenda një kohe të shkurtër, dhe sot e gëzojmë atë të përfunduar si ndërtesë shumë të nevojshme për qytetin e Shtimes.
“Biblioteka është vend i pasionit dhe i kureshtjes, i disiplinës dhe i përkushtimit e biblioteka e re është një vend i ri, është një vend më shumë për më shumë pasion e kureshtje për edhe më shumë njerëz të disiplinuar e të përkushtuar për më shumë dije e njohuri. Libri edhe më tej është burim tejet i rëndësishëm si i dijeve specifike, ashtu edhe i kulturës intelektuale.” u shpreh Kurti.
Kryeministri i ftoi të gjithë qytetarët e Shtimes që këtë objekt të ri ta përdorin sa më shumë, e ta mbajnë edhe aktiv edhe të qasshëm si një vend nga ku do të nisin diskutimet më të mira, të mirëmbahen studimet e vazhdueshme e të dalin idetë më të zgjuara të vetëdijes sonë të përbashkët.
“Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu tha se sot është një ditë e veçantë për komunën tonë, sepse po e përurojmë një objekt të rëndësishëm që do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin intelektual, kulturor e historik në komunën tonë. “Pikërisht në 80-vjetorin e themelimit të Bibliotekës Kombëtare, tri ditë pas përvjetorit të Kongresit të Manastirit e tri ditë para festës së flamurit tonë kombëtar të 28 Nëntorit, përplot krenari jemi mbledhur për përurimin e objektit të ri të Bibliotekës dhe Arkivës së Komunës së Shtimes, që do të shërbejë si dritare e dijes e si ruajtës i kujtesës sonë kolektive”, tha ai”, thuhet tutje në njoftim./Arbresh.info
Një vit nga vrasja e Liridona Ademajt
Kosova me 5 grupmosha në arenën ndërkombëtare në basketboll
Anulohet aktiviteti për përurimin e Parkut të Ulpianës
Sulmi me granatë dore dëmton objektin e Komunës së Zveçanit ...
Izraeli thotë se libanezët e kanë të ndaluar të lëvizin në j...
Tërmet në Itali, me magnitudë 4.2