Kurti mori pjesë në lansimin e platformës digjitale inovative EEEXPLORE Kosova

23:13 | 30 Nëntor 2023
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të selisë qendrore të SPEEEX dhe lansimit të platformës digjitale inovative EEEXPLORE Kosova.

Duke shprehur urimet më të përzemërta për udhëheqjen dhe stafin e kompanisë SPEEEX për rezultatet e jashtëzakonshme që kanë arritur, kryeministri tha se udhëtimi i kompanisë është një dëshmi e fuqisë së përkushtimit dhe punës së palodhur.

“Ky rast, jo vetëm që shënon një hap të rëndësishëm për SPEEEX, por është tregues i qartë për ndikimin e mërgatës, në veçanti për fuqinë dhe ndikimin ekonomik të mërgatës tonë në Zvicër dhe nga Zvicra këtu në Kosovë”, thuhet në komunikatën për media.

“Kosova është me fat që ka një mërgatë të tillë, njëkohësisht është me fat që një shtet mik si Zvicra ka krijuar hapësira dhe mundësi për integrimin e popullit tonë atje”, tha kryeministri.

Ai shtoi se kjo ngjarje simbolizon rezultatet e prekshme të këmbënguljes, vizioneve dhe mundësive pikërisht këtu në vendin tonë. Kjo ngjarje na përkujton se vendi ynë, edhe pse i vogël në hapësirë, është vend për arritje dhe mundësi të jashtëzakonshme. Mundësitë në Kosovë, kombinuar me përvojat e Zvicrës bëjnë të mundur diçka të tillë.

Me këtë rast, ai tha se ndihet krenar që nëpërmjet forcimit të shtetit ligjor, i cili e rrit parashikueshmërinë e të bërit biznes dhe e mundëson investimin dhe riinvestimin, ne si qeveri mund të kontribuojmë për një ambient më të qëndrueshëm për bizneset dhe qytetarët tanë.

Në fund të fjalës, ai shprehu mirënjohjen e sinqertë ndaj gjithë atyre që kontribuan në këtë projekt të jashtëzakonshëm, duke thënë se puna dhe përkushtimi i palodhur jo vetëm që e kanë çuar SPEEEX-in në lartësi të reja, por kanë ngritur edhe profilin e vendit tonë në skenën globale./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme