Nën moton “Libri Triumfon”, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e edicionit të 23-të të Panairit të Librit i mbushur përplot me tituj, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës dhe mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Fillimisht duke e konsideruar si festival të librit, kryeministri Kurti shprehu dëshirën e tij që ky panair i librit, i cili është i barasvlershëm me një mendje të hapur e një qytezë në vete, të ketë ndikim mendor e shpirtëror, veçmas mbi të rinjtë.
Duke ditur rëndësinë e librit, kryeministri Kurti para të pranishmeve ka folur rreth qasjes dhe veprimeve të Qeverisë ndaj zhvillimit të librit. Me këtë rast, është gjashtëfishuar buxheti për librin, nga njëqind e gjashtëdhjetë mijë euro në një milion euro. Ai tha se Qeveria nuk mbështet vetëm letërsinë dhe shtëpitë botuese, por të gjitha gjinitë letrare dhe autorin e pavarur drejtpërdrejt. Njashtu, mbështet edhe zhvillimin e audio librave, programeve për nxitjen e lexueshmërisë, si dhe rezidencat letrare.
Transformimi digjital po prek edhe Bibliotekën Kombëtare të Kosovës duke e shndërruar në bibliotekën më të avancuar në rajon. Kryeministri përmendi edhe disa nga iniciativat që kanë për synim lehtësimin e qasjes së lexuesit te libri, duke përfshirë sistemin e rrjetit bibliotekar të Kosovës, Bibliotekën Digjitale dhe Programin Kombëtar të Arsimimit Bibliotekar.
Me vlerësime të larta për praninë e shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, kryeministri Kurti në këtë ceremoni theksoi rëndësinë e kontributit të Kadaresë në formësimin e kombit shqiptar me anë të romaneve dhe poezisë së tij.
“Jemi shumë të nderuar dhe pafund të gëzuar që e kemi në mesin tonë, shkrimtarin tonë të madh Ismail Kadare dhe më duhet të them që të gjithë ne jemi rritur me të, që do të thotë se vetëdija jonë për veten si komb shqiptar është në masë të konsiderueshme e formësuar nga romanet dhe nga poezia e Ismail Kadares. Ne atij jemi borxh sa s’thuhet”, deklaroi kryeministri, i cili më pas zhvilloi një bashkëbisedim me Kadarenë, ku ky i fundit i dhuroi të nënshkruar edhe librin e tij ”Aksidenti”.
Në këtë ngjarje, përveç pranisë së kryeministrit Albin Kurti dhe shkrimtarit Ismail Kadare, në atmosferën e hapjes së panairit ishin të pranishëm edhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama si dhe shumë shkrimtarë, autorë, lexues, profesorë e studentë.
PSG triumfon nga Monaco në një ndeshje me shumë gola
Ulni faturat e energjisë me një truk që ruan nxehtësinë në s...
Aksident zingjiror në Prishtinë
Arrestohet një i mitur i dyshuar për veprën penale “Vjedhje ...
Tre shenjat më kreative të zodiakut që kanë gjithmonë ide të...
Natyraliteti i femrave bëhet ‘mollë’ sherri i një debati të ...