Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në edicionin e katërt të “Let’s Talk 2024”, organizuar nga “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”, event i cili shërben si një platformë ku figura të shquara ndajnë histori, ide dhe përvoja për të adresuar sfidat sociale dhe për të promovuar ndryshime pozitive në komunitete dhe më gjerë.
Për bashkëbisedimin, Kurti, tha është mënyra më e mirë për të sfiduar vetën, përveç se për të mësuar gjëra të reja, dhe për të krijuar lidhje mes njerëzve.
Madje, sot interneti ka mundësuar që nga shtëpitë tona të hymë në bashkëbisedime dhe në lidhje me një varg idesh e zërash global.
“Tani me lidhjen e internetit, brezgjerë e në çdo fshat e qytet të Kosovës, qytetarët e Kosovës mund të flasin lehtë brenda një mbrëmje me më shumë ideatorë e vizionarë, shkencëtarë, filozofë, aktivistë, ndërmarrës dhe krijues sesa mund të jenë grumbulluar ndonjëherë në salloniere gjatë jetës së saj në Paris të shekullit XVIII”, u shpreh kryeministri.
Në anën tjetër, përveç mundësive të shumta që platformat online kanë krijuar, ai nënvizoi edhe sfidat e reja.
“Kanë krijuar edhe dhoma të jehonës – ose echo chambers – ku dëgjojmë vetëm ato zëra që pajtohen me njëri-tjetrin. Shpeshherë kanë krijuar polarizim, margjinalizim, hapësirë më të madhe për gjuhën e urrejtjes, e madje edhe keqkuptime e paragjykime”, tha kryeministri duke theksuar rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejt dhe të hapur.
Duke kujtuar pjesëmarrjen në edicionin e kaluar të “Let’s Talk”, ai u shpreh se sa më shumë që ndajmë me njëri-tjetrin, aq më të fortë do të jemi si shoqëri. Secili person, secili komunitet dhe secili shtet ka nevojë dhe ka të drejtë për të ndarë e për të festuar lidhjet që krijojnë e ndërtojnë e zhvillojnë identitetin, tha ai.
“”Let’s Talk 2024” është ngjarje unike që synon të krijojë një hapësirë kuptimplotë për dialog, frymëzim dhe veprim.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
I nderuar z. Habit Hajredini, Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Kryeministri,
Znj. Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit të Republikës, do të na bashkëngjitet po ashtu pak më vonë sonte këtu,
I nderuari z. Isak Skenderi, Drejtor Ekzekutiv i Organizatës “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”,
Të nderuar përfaqësues të kabinetit qeveritar,
Zëvendësministra dhe deputetë të Kuvendit të Republikës,
Të nderuar përfaqësues e drejtues të institucioneve qendrore e lokale, të ambasadave e të shoqërisë civile,
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
“Le të flasim” është ftesë goxha joshëse. Ndoshta sonte do të ishte e përshtatshme të themi “le të kuvendojmë”, duke pasur këtu Erxhan Galushin, duke i pasur dy Arjetat, Fejzën e Rexhepin, e duke e pritur të na bashkëngjitet edhe nënkryetarja e Kuvendit. Por pa dyshim që bashkëbisedimi, edhe kur e quajmë diskutim edhe kur e quajmë dialog edhe kur e quajmë kuvendim, është mënyra më e mirë për të sfiduar vetën, përveç se për të mësuar gjëra të reja, dhe për të krijuar lidhje mes njerëzve. Kjo ka qenë e ditur që nga koha e Sokratit e deri tek ‘salons’ të Epokës së Iluminizmit në shekujve XVII dhe XVIII, dhe nga “muhabetet” e traditës islame, veçanërisht bektashi, deri në bisedat e odave tradicionale shqiptare.
Sot, nga ‘sallonet’ tona nëpër shtëpitë tona, mund të hymë në bashkëbisedime dhe në lidhje me një varg idesh e zërash global. Tani me lidhjen e internetit, brezgjerë e në çdo fshat e qytet të Kosovës, qytetarët e Kosovës mund të flasin lehtë brenda një mbrëmje me më shumë ideatorë e vizionarë, shkencëtarë, filozofë, aktivistë, ndërmarrës dhe krijues sesa mund të jenë grumbulluar ndonjëherë në salloniere gjatë jetës së saj në Paris të shekullit XVIII.
Megjithëkëtë, platforma online nuk kanë krijuar vetëm mundësi më të mira e më të shumta, meqenëse kanë krijuar edhe dhoma të jehonës – ose echo chambers – ku dëgjojmë vetëm ato zëra që pajtohen me njëri-tjetrin. Shpeshherë kanë krijuar polarizim, margjinalizim, hapësirë më të madhe për gjuhën e urrejtjes, e madje edhe keqkuptime e paragjykime. Për këto arsye, besoj që kemi nevojë jo vetëm për telefonat por edhe për mikrofonat, dhe për mundësinë që të dëgjojmë zërat direkt; pa mundësi për ‘mute’ ose ‘fast forward’; pa mundësi për të fikur kamerën, por të bisedojmë drejtpërdrejt, hapur e sinqerisht.
Besoj që sonte me rrëfimet të cilat do të dëgjoni aq sa mund të duken përvoja të vështira për t’u përballur, po aq mund të na motivojnë si rikujtim për çka nevojitet solidariteti me njëri-tjetrin, për njëri-tjetrin. Pra, rrëfime se si formohet identiteti ynë përmes gjërave që kemi përjetuar bashkë, nëpërmjet simpatisë e empatisë, në kohë e forma të ndryshme, me momente të vështira e momente gëzimi, jo rrallë të përbashkëta. Secili person, secili komunitet dhe secili shtet ka nevojë dhe ka të drejtë për të ndarë e për të festuar lidhjet që krijojnë e ndërtojnë e zhvillojnë identitetin. Prej pjesëmarrjes sime në edicionin e mëparshëm të kësaj ngjarjes “Le të Flasim” kam thënë se sa më shumë që ndajmë me njëri-tjetrin, aq më të fortë do të jemi si shoqëri.
Ju falënderoj shumë për këtë organizim. Le të flasim; le të dëgjojmë./Arbresh.info/
Avantazhi i Vëllait të Madh si kapitene e javës – Sara dogji...
SHBA dhe aleatët: Përfshirja e Phenianit në Ukrainë shënon ‘...
Vëllai i Madh i jep një avantazh Fitimit, të ndahet nga Laur...
Fitimi dhe Sara zgjidhen kapitenë të kësaj jave
Përzgjidhet 11-shja më e mirë e vitit 2024 nga CAF
Publikohet aktakuza e shqiptarit nga Peja që u ekstradua në ...