Me rastin e shënimit të edicionit të 14-të të festivalit Chopin Piano Fest, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e këtij festivali, i cili do të ofrojë netë të veçanta dhe të paharruara pianistike për 14 mbrëmje me radhë sa do të zgjasë festivali.
Chopin Piano Fest është arritje e një komuniteti të përkushtuar artistik që publikut të Kosovës ua ofrojnë cilësinë botërore të interpretimit pianistik, andaj me këtë rast kryeministri Kurti shprehu falënderimin ndaj dy organizatoreve për punën e përkushtimin ndaj këtij festivali.
Gjatë fjalës së tij, ndër të tjera, kryeministri përmendi edhe hapjen e ekspozitës personale të Petrit Halilaj, ekspozitën “Abetare”, në New York, e në anën tjetër edhe pavijonin e Kosovës me Doruntina Kastratin që u shpërblye në një konkurrencë globale në Bienalen e Venedikut. Kurse me 25 prill, në Prishtinë erdhi shfaqja bashkëprodhim e Teatrit Kombëtar me katër teatro nga shtete evropiane, dhe me 24 maj në Kanë të Francës, filmi “Rrugës” i Samir Karahodës garon për çmim në kategorinë e filmave të shkurtër, ndërsa së fundmi Kori Siparantum së bashku me Orkestrën Simfonike të Vjenës, Wiener, performuan Simfoninë e Nëntë të Ludwig van Bethoven me rastin e shënimit të 200- vjetorit të premierës së Simfonisë.
“Suksesi i artistëve tanë shtrihet edhe përtej kufijve të Evropës. Arti dhe lidhja jonë me botën, krijimtaria e artistëve tanë, është vlera jonë e shtuar për të tjerët dhe në komunikim e bashkëpunim me të tjerët”, tha kryeministri Kurti.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Shkëlqesia juaj, ambasadorë të Bashkimit Evropian e të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Szunyog dhe z. Hovenier,
Ambasadorë të Gjermanisë e të Italisë, z. Rohde dhe z. De Riu
E nderuara zëvendësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, znj. Daulina Osmani
I nderuari kryetar i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama,
Të nderuar përfaqësues diplomatikë të akredituar në Republikën tonë,
E nderuara Lejla Haxhiu Pula, drejtore artistike e Chopin Piano Fest, dhe
E nderuara Besa Luzha, drejtore organizative e Chopin Piano Fest,
I nderuar z. Artem Jasinski, pianist nga Ukraina,
Të nderuar drejtues të institucioneve të artit dhe të kulturës në vendin tonë,
Të dashur artdashës,
Zonja dhe zotërinj,
Mirë se po takohemi në një tjetër edicion të Chopin Piano Fest, që sërish premton të na ofrojë netë të magjishme pianistike. Edicioni i 14-të i festivalit do t’i ketë 14 mbrëmje muzikore. Sikurse numri i njërës ndër sonatat më të pëlqyera të Ludwig van Beethoven, Piano Sonata numër 14, ose e njohur edhe si Moonlight Sonata. Një veçanti e kësaj sonate të Beethoven-it është ndikimi që pati në një ndër komponimet pianistike më të bukura, Fantaisie-Impromptu të Frederic Chopin, që në fakt ishte vepër-dedikim për Beethoven.
Chopin Piano Fest është arritje e një komuniteti të përkushtuar artistik që publikut të Kosovës ua ofrojnë cilësinë botërore të interpretimit pianistik. Sonte në veçanti dua t’i përgëzoj dy emra që bartin barrën kryesore të këtij rrugëtimi 14 vjeçar. Lejla Pula dhe Besa Luzha, urime dhe faleminderit për punën e përkushtimin dhe ju lutem mos na e ndalni numërimin.
Sot e kremtojmë edhe Ditën e Evropës. Emrat e artistëve nga Kosova, që vijnë nga disiplina të ndryshme të artit, tashmë njihen mirë në skenat dhe grupet evropiane të artit, pikërisht sepse janë kontribues të çmuar dhe të drejtpërdrejtë në të. Por suksesi i artistëve tanë shtrihet edhe përtej kufijve të Evropës. Arti dhe lidhja jonë me botën, krijimtaria e artistëve tanë, është vlera jonë e shtuar për të tjerët dhe në komunikim e bashkëpunim me të tjerët.
Kështu, para 10 ditësh, Petrit Halilaj hapi ekspozitën personale “Abetare” në njërën ndër hapësirat më prestigjioze të artit në botë, tarraca e Muzeut Metropolitan në New York. Ndërkaq 10 ditë para Petritit, pavijoni i Kosovës me Doruntina Kastratin u shpërblye në një konkurrencë globale në Bienalen e Venedikut. Me 25 prill, në Prishtinë erdhi shfaqja bashkëprodhim e Teatrit tonë Kombëtar me katër teatro nga shtete evropiane, ndërkaq me 24 maj në Kanë të Francës, filmi “Rrugës” i Samir Karahodës, garon për çmim në kategorinë e filmave të shkurtër. E parmbrëmë, me rastin e 200 vjetorit të premierës së Simfonisë së Nëntë të Ludwig van Beethoven, Kori Siparantum ka shënuar këtë datë duke performuar veprën së bashku me Orkestrën Simfonike të Vjenës dhe Wiener Singakademie në Wiener Konzerthaus.
Sonte po hapet Chopin Piano Fest 14. Do të vijojnë festivalet dhe ngjarjet e tjera ndërkombëtare të cilat organizohen përgjatë gjithë vitit në vendin tonë, e do të vijojnë edhe çmimet e tjera botërore për artistët tanë. Dhe ky angazhim e përkushtim i një komuniteti të tërë artistësh e punëtorësh kulturorë natyrshëm që meriton institucione shtetërore që e kuptojnë vlerën dhe rëndësinë e artit dhe krijojnë mjedis të favorshëm për veprim e krijim. Nuk është rastësi që në mesin e 15 ministrive, rritjen më të madhe buxhetore si përqindje në vitin 2024 e gëzon Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ky prioritizim buxhetor vjen paralelisht me politikën tonë të re kulturore, e cila në fokus ka mbështetjen për skenën e pavarur, rritjen e vëllimit dhe cilësisë së krijimtarisë artistike, zhvillimin e audiencave kulturore dhe përfaqësimin ndërkombëtar përmes artit.
Organizatorëve iu uroj suksese gjatë këtij muaji me shumë koncerte cilësore, dhe publikut i uroj mbrëmje të këndshme.
Faleminderit./Arbresh.info/
‘Famën që e ka jashtë është katastrofë’, ja çfarë thotë Xhen...
100 mijë euro këshilltarit, nënkryetari i të rinjve të AAK-s...
Kumbaro: Shqipëria në syrin e Condé Nast Traveller është des...
Kosova vazhdon stërvitjet për dy sfidat e nëntorit
Daut Haradinaj: Kurti po injoron shkeljen e të drejtave të s...
Aktakuzë ndaj një mjeku të QKUK-së që lëshojë dokument të fa...