Kurti mori pjesë në hapjen e edicionit të 13-të të KOSICT

13:50 | 11 Tetor 2024
K.B

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në hapjen e edicionit të 13-të të KOSICT me temën “Deshifroni të ardhmen”, ngjarje e cila nga ky edicion e bën KOSICT pjesë të OctoberTech, që po realizohet së bashku me sektorin privat për të mbështetur potencialin e jashtëzakonshëm të industrisë së TIK-ut në Kosovë.

Në fjalën e tij hyrëse, kryeministri Kurti e cilësoi KOSICT ndër ngjarjet thelbësore të rrugëtimit digjital të Kosovës, e cila bashkon mendjet brilante nga vendi ynë, rajoni dhe më gjerë për të diskutuar, debatuar dhe çuar përpara mundësitë që teknologjia i sjell shoqërisë sonë.

Kryeministri tha se transformimi digjital është prioritet i agjendës së Qeverisë, andaj është punuar vazhdimisht në bërjen e shërbimeve më efikase dhe të qasshme. Një nga zhvillimet digjitale më kryesore është lansimi i eKosova në vitin 2021.

“Sot, 195 shërbime elektronike janë në dispozicion vetëm përmes kësaj dritareje digjitale, duke u ofruar qytetarëve tanë një mjet për t’iu qasur shërbimeve publike shpejt dhe me lehtësi. Qoftë marrja e certifikatës së gjendjes civile, rinovimi i regjistrimit të automjetit, apo kërkesa për certifikatë pronësie, eKosova ka thjeshtuar mënyrën se si ne ofrojmë shërbime”, u shpreh kryeministri Kurti, njofton Zyra e Kryeministrit, shkruan Arbresh.info

Për përdorimin e shërbimeve elektronike nga të gjithë qytetarët, kryeministri njoftoi krijimin e Qendrave të Integruara të Shërbimit i cili mundëson që edhe ata që nuk janë në gjendje të përdorin vetë shërbimet digjitale, të mund të përfitojnë prej tyre me ndihmën e punonjësve të qeverisë.

Nismë tjetër madhore u konsiderua edhe zbatimi i sistemit kombëtar eID, i cili pritet të lansohet së shpejti, përmes së cilit do të ofrohen shërbime të sigurta të identifikimit dhe vërtetimit elektronik. Për siguri në mbrojtjen e shërbimeve dhe sistemeve tona digjitale, kryeministri Kurti shtoi se në fillim të këtij viti kemi inauguruar Qendrën Shtetërore të Trajnimit për Sigurinë Kibernetike në Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Ai veçoi edhe Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren dhe TechPark Prishtina, si dy shtyllat kryesore të peizazhit të inovacionit të Kosovës që Qeveria i ka mbështetur drejtpërdrejt. Këto hapësira janë krijuar për të nxitur bashkëpunimin dhe kreativitetin, duke u ofruar startup-ve dhe sipërmarrësve infrastrukturën dhe mjetet që u nevojiten për t’i kthyer idetë e tyre në realitet.

Në fund, kryeministri u shpreh krenar që të gjitha këto përpjekje transformuese të Qeverisë janë në përputhje me pritshmëritë dhe aspiratat e shoqërisë sonë, andaj bëri thirrje për shfrytëzimin e potencialit pozitiv të teknologjisë për përmirësimin e jetës, për të krijuar mundësi dhe për të ndërtuar një botë më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Në kuadër të vizitës, kryeministri pati mundësinë që të shoh nga afër punimet që lidhen me fushën e teknologjisë të krijuara nga fëmijët në kuadër të programit KOSICT./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme