Kurti mori pjesë në ceremoninë “Laureatët 2024” të organizuar nga Federata e Handbollit

21:09 | 26 Dhjetor 2024
K.B

Federata e Hendbollit të Kosovës, organizoi sonte ceremoninë e shpalljes së më të mirëve në këtë sport, ku i ftuar ishte edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministrja, Daulina Osmani.

Duke e cilësuar si një ngjarje të rëndësishme, kryeministri Kurti tha se me punën dhe profesionalizmin, Federata e Hendbollit e Kosovës, është treguar shembull për shumë aspekte, e kjo është dëshmuar edhe me rezultatet e arritura në arenën ndërkombëtare, shkruan Arbresh.info

“Hendbolli në Kosovë është në një fazë të rëndësishme zhvillimi. Përfaqësueset dhe klubet tona po shfaqin gjithnjë e më shumë potencialin e tyre, duke treguar paraqitje dinjitoze në secilën ndeshje ndërkombëtare. Kualifikimi historik i vajzave nën 18 vjeç në Kampionatin Botëror, ka rritur ambiciet edhe tek ekipet e tjera për të synuar nivele të larta në garat elitare”, u shpreh kryeministri Kurti, njofton Zyra e Kryeministrit.

Ai gjithashtu theksoi se organizimi i suksesshëm i Kampionatit Evropian për grupmoshat U18 dhe U20 te meshkujt ka hapur rrugë për ngjarje tjera të mëdha, siç është Kampionati Evropian U17 për vajza, të cilin Kosova e fitoi të drejtën e organizimit për vitin e ardhshëm.

Kryeministri kujtoi kontributin e jashtëzakonshëm të tashmë të ndjerit Izet Gjinovci, ish-Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, në procesin e anëtarësimit të Federatës së Hendbollit të Kosovës në Federatën Evropiane dhe Federatën Ndërkombëtare të Hendbollit.

Për fund, ai përgëzoi të gjithë laureatët e zgjedhur sot, të cilët janë shembulli më i mirë i punës, dhe i pasionit, dhe uroi që këto vlerësime të jenë shtysë e mëtejshme për arritje edhe më të mëdha në të ardhmen.

Fjala plotë e kryeministrit Kurti:

I nderuar z. Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
E nderuara znj. Daulina Osmani, zëvendësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
I nderuari z. Ismet Krasniqi, President i Komitetit Olimpik të Kosovës,
I nderuari z. Eugen Saraçini, President i Federatës së Hendbollit të Kosovës,
Të nderuar anëtarë të bordit ekzekutiv dhe udhëheqës të klubeve sportive,
Të dashur sportiste e sportistë, trajnerë, gjyqtarë, punëtorë sportivë, veteranë, adhurues të hendbollit, si puna ime tash,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe Zotërinj,

Është kënaqësi e veçantë të jem sot këtu në ceremoninë e shpalljes së më të mirëve në sportin e hendbollit.

Hendbolli në Kosovë është në një fazë të rëndësishme zhvillimi. Përfaqësueset dhe klubet tona po shfaqin gjithnjë e më shumë potencialin e tyre, duke treguar paraqitje dinjitoze në secilën ndeshje ndërkombëtare.

Kualifikimi historik i vajzave nën 18 vjeç në Kampionatin Botëror, ka rritur ambiciet edhe tek ekipet e tjera për të synuar nivele të larta në garat elitare.

Tashmë, edhe ekipi A i djemve dhe ai i vajzave po ecin me vetëbesim dhe me synimin për t’u kualifikuar në Kampionat Evropian, përkatësisht Botëror. Ndërkohë, klubet tona po vazhdojnë të kenë paraqitje të shkëlqyera duke korrur rezultate të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.

Përtej rezultateve në fushë, Federata e Hendbollit e Kosovës gjatë vitit 2024 bëri punë të mëdha edhe në diplomaci sportive, siç e tha edhe Presidenti Saraçini.

Organizimi i suksesshëm i Kampionatit Evropian për grupmoshat U18 dhe U20 te meshkujt ka hapur rrugë për ngjarje të tjera të mëdha, siç është Kampionati Evropian U17 për vajza, të cilin Kosova e fitoi të drejtën e organizimit për vitin e ardhshëm 2025.

Të gjitha këto rezultate përkojnë me 10-vjetorin jubilar të pranimit të Federatës së Hendbollit të Kosovës me të drejta të plota në Federatën Evropiane dhe Federatën Ndërkombëtare të Hendbollit, një rrugëtim ky që në fakt kishte filluar 20 vjet më parë me anëtarësimin e kushtëzuar në Federatën Evropiane në vitin 2004. Në këtë proces, një kontribut të jashtëzakonshëm pati dhënë edhe tashmë i ndjeri Izet Gjinovci, ish-Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës, të cilin e kujtojmë me respekt të plotë për angazhimin dhe përkushtimin e pakursyer për zhvillimin e hendbollit.

Kosova megjithëse sukseset më të mëdha sportive deri më tani i ka korrur në sportet individuale, si xhudoja, boksi e karateja, besoj shumë se pikërisht hendbolli është ai sport ekipor që ka potencialin të sjellë sukseset më të mëdha ndërkombëtare për vendin tonë në të ardhmen.

Për fund, dua t’i përgëzoj të gjithë laureatët e zgjedhur sot, të cilët janë shembulli më i mirë i punës, dhe i pasionit. Uroj që këto vlerësime të jenë shtysë e mëtejshme për arritje edhe më të mëdha në të ardhmen.

Urime dhe suksese në çdo sfidë që ju pret!

Ju faleminderit për vëmendjen e gëzuar 2025-ta!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme