Google ADS

Kurti mori pjesë në ceremoninë e hapjes së resortit turistik ‘’Iliria Hill’’

17:25 | 1 Dhjetor 2023
E.K

Në kuadër të aktiviteteve të zhvilluara gjatë ditës së sotme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ndalesën e radhës e pati në qytetin e Podujevës, përkatësisht në fshatin Shamalluk, me rastin e ceremonisë së hapjes së resortit turistik ”Iliria Hill”.

Teksa u shpreh i lumtur dhe falënderues që ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes së këtij resorti, kryeministri veçoi se ky është një investim i madh për zhvillimin e turizmit në komunën e Podujevës.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Kurti, foli dhe mbi të arriturat dhe investimet në sfera të ndryshme, duke filluar me infrastrukturën rrugore, rregullimin e ndriçimit publik, shtrirjen e rrjetit të kanalizimit, e për të vazhduar tutje në fushën e shëndetësisë në kuadër të së cilës janë digjitalizuar shumë shërbime e janë ndërtuar dy ambulanta të reja, në Lluzhan dhe Gllamnik. Gjithashtu, ai përmendi dhe ndërtimin e Urgjencës së Qytetit, një prej objekteve më moderne në vend. Përveç këtyre, kryeministri theksoi se është zgjidhur edhe çështja e banimit për mbi 50 familje me kushte të rënda ekonomike.

Më pas ai foli edhe për investimet kapitale në fushën e arsimit, ku për 3 vite janë 15 fishuar investimet kapitale, nga 114 mijë euro sa ishin, tani janë mbi 1.6 milionë euro, ku përgjatë këtyre dy viteve të qeverisjes janë duke u ndërtuar tre shkolla të reja, në Obrançë, Llugë dhe Dumosh.

“Shumicën e shkollave i kemi furnizuar me tabela digjitale, llaptopë, e gjithashtu kemi themeluar qendrën për zhvillim të aftësive në TIK”, nënvizoi Kurti.

Duke theksuar se është i lumtur që këtë projekt e ka vizituar që nga koha e planifikimit e të përgatitjeve për ndërtim para 3 viteve, ai veçoi se tashmë ky resort ka marrë formë të mrekullueshme pas përfundimit dhe finalizimit të plotë të punimeve./Arbresh.info

Të ngjashme