Së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, si dhe zëvendësministren, Daulina Osmani, kryeministri i vendit, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e fundvitit të organizuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
Fillimvitin e 2024-ës të kinematografisë së Kosovës, Kurti e konsideroi shumë të mirë, duke përmendur fitimin e vendit të parë të Tiger Short Competition në festivalin e filmit të Rotterdamit nga Ilir Hasanaj, çmimin e parë për dokumentarin më të mirë të shkurt nga festivali i ri në Sarajevë me “Si e verdhë e Sëmurë” të Norita Sefas, si dhe pjesëmarrjen e Samir Karahoda në festivalin e filmit të Kanës me filmin e shkurtë ”Rrugës”, transmeton Arbresh.info.
“Shumë filma të tjerë të metrazheve të ndryshme morën pjesë në festivale gjithandej botës, edhe sollën çmime me vete në vendlindjen e tyre në Kosovë. Përfaqësimi ndërkombëtar me kinematografinë tonë nuk ka munguar as këtë vit”, deklaroi kryeministri.
Ai veçoi si prej arritjeve më të mëdha kinematografike në gjithë historinë e filmit të Kosovës, hyrjen në fuqi e incentivës së rabatit, kërkesë e kahmotshme e industrisë sonë të filmit. Me të synohet që Kosova të bëhet pikë fokale e rajonit për tërheqjen e investimeve për realizimin e prodhimeve kinematografike dhe të video lojërave, me 30% të kthimit të shpenzimeve të lejueshme brenda ekonomisë vendore.
Me këtë rast, kryeministri deklaroi se nëpërmjet buxhetit më të lartë që ka pasur ndonjëherë kinematografia e Kosovës, janë mbështetur 35 projekte filmike, derisa është hapur edhe një thirrje e re rishtazi për filmin e metrazhit të gjatë.
“Jemi duke punuar në përmirësimin e infrastrukturës së kinemave publike në vend, për t’u siguruar që prodhimet tona filmike bashkë me të tjerat, përfundojnë duke u shfaqur edhe për publikun tonë, në kinematë tona publike”, tha ai.
Në kuadër të bashkëpunimeve ndërkombëtare, kryeministri përmendi marrëveshjen ndërmjet Bullgarisë dhe Kosovës për bashkëprodhime filmike të arritur në tetor, si dhe njoftoi nënshkrimin e momerandum bashkëpunimit më 14 shkurt të vitit të ardhshëm, ndërmjet QKK-së dhe Institutit Austriak të Filmit.
Duke e uruar komunitetin artistik për vitin e ri, kryeministri përmbylli fjalën duke theksuar nevojën e prodhimit të filmave gjithnjë e më të mirë në sasi dhe cilësi, pasi vendi ynë ka pa numër tregime të jashtëzakonshme që duhet të depërtojnë brenda brezash e jashtë vendit./Arbresh.info
Ministri Peci shpalos të arriturat e ministrisë së Bujqësisë...
Hamza takon ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, diskutojnë për ...
Shkup: Partitë shqiptare vazhdojnë përplasjet për Ligjin e g...
SPAK njoftim zyrtar për Erion Veliajn, i përgjigjet për kall...
Drenusha e nevrikosur me Gjestin, shkak qasja e tij ndaj Xhe...
Presidenti gjerman shpërndan Parlamentin, cakton zgjedhjet p...