Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë sot në ceremoninë e certifikimit të kursantëve holandez, në ambientet e Qendrës së Kërkim Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Pomozotin, Fushë Kosovë, ku të pranishëm ishin edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, zëvendësambasadori i Holandës në Kosovë, Ronald Goldberg, Komandanti i Gardës Kombëtare të FSK-së, Gjeneral brigade Naim Haziri dhe Drejtori i Qendrës së Kërkim Shpëtimit, John Doone.
Në hapje të kësaj ngjarjeje të rëndësishme, Kryeministri Kurti theksoi se trajnimi që sapo ka përfunduar është pjesë e një rrjeti global aktivitetesh që na mundësojnë t’i përgjigjemi me shpejtësi të papriturave dhe, duke e bërë këtë, të shpëtojmë jetë.
Teksa i uroi kursantët për këtë arritje, siç është kjo e certifikimit, Kryeministri Kurti u shpreh i lumtur që ishte pjesë e kësaj ngjarjeje në festimin e kësaj arritjeje të rëndësishme për të gjithë pjesëmarrësit dhe për të gjithë stafin që ndihmoi që ky ushtrim të realizohet me sukses të plotë.
Në fjalën e tij Kryeministri Kurti tha se përkushtimi i Kosovës për partneritet dhe vendosmëria e saj për të kontribuar në zgjidhjet e përbashkëta është thelbësore. Ai shtoi se është krenar për aftësitë e klasit botëror që i zhvillojmë në Pomozotin, aftësi që janë jetike për shtetin tonë dhe partnerët tanë teksa përgatitemi për role që na takojnë në arenën globale.
Duke e cilësuar këtë si një moment shumë të veçantë, Kryeministri Kurti tha se kjo qendër, vitin e kaluar, ka ofruar trajnime për afër 3 mijë persona, në mesin e të cilëve krahas shtetasve tanë edhe qindra partnerë tjerë të huaj nga Shqipëria, Britania e Madhe, Italia, Hungaria, Jordania, Malta, Maqedonia e Veriut, Irlanda e Veriut, Portugalia, Turqia si dhe kolegët tjerë të nderuar nga Holanda.
“Ambicia jonë është ta ngrisim këtë qendër në një Qendër të njohur Ekselence, duke i shërbyer partnerëve tanë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe komunitetit më të gjerë global”, tha Kryeministri Kurti.
Në këtë ceremoni Kurti e lartësoi punën heroike të anëtarëve të ekipit të Kërkim Shpëtimit të Republikës së Kosovës, sepse ata ishin ndër të parët që iu përgjigjën tërmetit shkatërrues në Turqi në fillim të këtij viti, bashkë me kolegët e tyre nga Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar që ndodhen sot në këtë sallë.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Kryeministri Kurti u shpreh krenar që po i mirëpret partnerët në Qendrën e Kërkim Shpëtimit të FSK-së në Pomozotin dhe tha se pret që të vazhdojmë bashkëpunimin produktiv edhe në të ardhmen./Arbresh.info
Kurti: Me Maqedoninë e Veriut nuk kemi mosmarrëveshje
Nënshkruhen marrëveshjet bilaterale mes Kosovës dhe Maqedoni...
Kelmendi, Bajramit: Platforma digjitalizimit nuk gjindet, ku...
Mungesa e fëmijëve, Drenusha shpërthen në lot
Mashtrimet me kriptovaluta/ Detaje të reja nga operacioni me...
Pedri: Agjentët e mi po merren me kontratën e re me Barcelon...