Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në akademinë përkujtimore dhe në ceremoninë e zbulimit të shtatores së veprimtarit Metush Krasniqi, në 38-vjetorin e vdekjes së tij, në sheshin që mbanë emrin e tij.
Në nderim të jetës dhe veprës së Metush Krasniqit, kryeministri e cilësoi atë si njërin prej aktivistëve politikë më të paepur për idealet kombëtare dhe politike të kohës së tij, i cili ishte vetëm 20 vjeçar kur u burgos për herë të parë, më 1947.
“Duke e ngritur këtë vepër arti publike këtu në Kamenicë, ne përveç që e nderojmë personalitetin e Metush Krasniqit, e fiksojmë figurën historike që ai përfaqëson duke i bërë vend një herë e mirë këtu në Kamenicë, traditës politike të cilës i takonte Metushi dhe trashëgimisë politike të lënë pas ndër ne prej saj dhe prej vetë atij”, tha kryeministri Kurti.
Në fjalën e tij, kryeministri ka kujtuar sfidat e procesit gjyqësor nëpër të cilat kishte kaluar Metush Krasniqi, diskutimet e zhvilluara mes tij dhe gjykatësit në gjykatore, duke thënë se ato nuk ishin thjesht pyetje dhe përgjigje mes një të pandehuri dhe një gjykatësi, por ishin dialogje mes dy anëve të historisë: anës së regjimit shtypës të Jugosllavisë, i përfaqësuar te figura e gjykatësit dhe anës së rezistencës së një populli me vetëdije të lartë për liri, kjo e personifikuar te figura e Metush Krasniqit, të aktivistit që po mbanë mbi supe barrën e peshës së shtypjes së popullit të tij.
Idealet e Metush Krasniqit, na flasin ende sot, sepse ato na e kujtojnë rrugën e mundimshme dhe të përgjakur të ne shqiptarëve për lirinë e vendit tonë, tha më tej kryeministri, teksa shtoi se “shtatorja e tij që po përurojmë sot, duhet parë si një monument për lirinë. Sepse liria është parakushti i të gjitha mundësive për zhvillim dhe përparim, për mirëqenie dhe për vetëvendosje”.
Në këtë Akademi Përkujtimore nga Komuna e Kamenicës çmimi ‘Metush Krasniqi’, ju nda familjes Krasniqi nga Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, të cilën e pranoi vajza e Metushit, Teuta Krasniqi.
Krahas kryeministrit, e pranishme në këtë ceremoni ishte po ashtu zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuar familje Krasniqi,
E nderuara znj.Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës,
I nderuari z Kadri Rahimaj, Kryetar i Komunës së Kamenicës,
I nderuari z Shefik Sadiku, Kryetar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
Të nderuar invalidë të luftës çlirimtare, veteranë të UÇK-së, familje të dëshmorëve e të martirëve, veprimtarë të çështjes sonë kombëtare,
Të nderuar ministra e zëvendësministra, kolegë nga qeveria dhe institucionet e shtetit në përgjithësi,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Të nderuar qytetarë të Kamenicës, të dashur banorë të Gollakut dhe të Anamoravës, por mësova se këtu kanë ardhur shumë admirues të Metush Krasniqit, nga Lugina e deri te Struga, kjo e martë e fundit e nëntorit të sivjetëm, na e ka dhënë rrugën për këtu në qytetin e Kamenicës të gjithë neve, në nderim të Metush Krasniqit, njërit prej aktivistëve politikë më të paepur për idealet kombëtare dhe politike të kohës së tij. Metush Krasniqi ishte vetëm 20 vjeçar kur u burgos për herë të parë, më 1947. Ai ishte 59 vjeçar kur vdiq, këtu e 38 vite më parë, në vitin 1986. Sivjet, kur ai do të mund të bëhej 97 vjeç, një moshë eventualisht brenda kuadrit të të gjallëve, ai po vjen sot në Kamenicë për t’u përjetësuar në kujtesën publike të qytetit, përmes kësaj shtatoreje.
Duke e ngritur këtë vepër arti publike këtu në Kamenicë, ne përveç që e nderojmë personalitetin e Metush Krasniqit, e fiksojmë figurën historike që ai përfaqëson duke i bërë vend një herë e mirë këtu në Kamenicë, traditës politike të cilës i takonte Metushi dhe trashëgimisë politike të lënë pas ndër ne prej saj dhe prej vetë atij.
Idealet politike për të cilat u burgos, idealet për të cilat qëndroi stoik në gjyq dhe në burg dhe idealet për të cilat vdiq Metush Krasniqi, janë ideale edhe për kohën tonë, sepse ato i flasin edhe të tashmes dhe aktualitetit tonë të përditshëm, ato na flasin edhe neve sot. Andaj në raste sikurse ky tani, kur data apo ngjarje të caktuara na bashkojnë në kujtim të veprës së jetuar dhe jetës së sakrifikuar të Metush Krasniqit, është fare e natyrshme që ta kujtojmë ashtu siç ishte, përmes fjalëve të vetë atij.
Dosja e procesit gjyqësor të Metush Krasniqit, e zhvilluar në seanca mes 1 dhe 7 marsit të vitit 1959, në Gjykatën e Qarkut në Gjilan, fare mirë mund të lexohet si një traktat politik, i mbushur me konstatime, me denoncime dhe me shpallje të kulluara politike, për shtypjen e shqiptarëve dhe fatin e tyre nën Jugosllavi. Diskutimet mes Metushit dhe gjykatësit në gjykatore, nuk janë thjesht pyetje dhe përgjigje mes një të pandehuri dhe një gjykatësi, por janë dialogje mes dy anëve të historisë: anës së regjimit shtypës të Jugosllavisë, i përfaqësuar te figura e gjykatësit dhe anës së rezistencës së një populli me vetëdije të lartë për liri, kjo e personifikuar te figura e Metush Krasniqit, të veprimtarit që po mbanë mbi supe barrën e peshës së shtypjes së popullit të tij.
Pra, dy forca politike si entitete historibërëse, po përballen mes tyre: shteti shtypës e zhvatës i Jugosllavisë dhe populli liridashës shqiptar i Kosovës. Në gjithë këtë përplasje, vullneti politik i shqiptarëve në Jugosllavi, vjen i artikuluar qartësisht nga banka e të pandehurit, ku rri i akuzuar politikisht Metush Krasniqi teksa deklaron, po citoj:
“E para, nga pushteti jugosllav Kosova shfrytëzohet mizorisht, populli shqiptar trajtohet sikur në Jugosllavinë e Krajlit, nuk i gëzon të drejtat më elementare në asnjë segment të jetës, si në punësim, në administratë, në shëndetësi, në arsim, në kulturë e të tjera. E dyta, nga pushteti “popullor” i Jugosllavisë së Titos nuk iu ka hequr dhuna popullit shqiptar. Unë e shtroj pyetjen, sa shqiptarë janë ekzekutuar pa gjyq prej nëntorit të vitit 1944 e deri më sot? Sa vrasje ndodhën në emër të “armiqëve” të shtetit? Me dhjetëra mijëra shqiptarë… Mund të jenë edhe më shumë se 20 mijë në gjitha trojet shqiptare në Jugosllavi. E treta, aksioni i armëve u zhvillua vetëm në Kosovë për t’i çarmatosur shqiptarët. Pse i njëjti aksion nuk u zhvillua edhe në republikat tjera? Pse kjo dhunë dhe këto vdekje të dhunshme të shqiptarëve? Pse një pushkë është shitur me dhjetëra herë? Pse shqiptarët i nënshtroheshin atij terrori në emër të Partisë Komuniste të Jugosllavisë? Në rrethin tonë, në Kamenicë, si pasojë i patëm tri vdekje dhe mbi 3000 të keqtrajtuar fizikisht me metodat më sadiste, që munden t’i bëjnë vetëm regjimet antipopullore ndaj shtetasve, duke i trajtuar si skllevër!”
Një deklaratë e ndarë në tri pika, në të cilat Metush Krasniqi e denoncon sundimin, terrorin, dhe dhunën e shtetit jugosllav dhe diskriminimin mbi baza etnike mbi shqiptarët. Të gjitha këto, po bëheshin në vitin e hershëm 1959 dhe aq sa ishin të vërteta për të kaluarën, do të mbeteshin të vërteta edhe për dekada të tjera në të ardhmen, deri te çlirimi i Kosovës 40 vjet më pas. Andaj, idealet e Metush Krasniqit, na flasin ende sot, edhe përditë, sepse ato na e kujtojnë rrugën e mundimshme dhe të përgjakur të neve shqiptarëve për lirinë e vendit tonë. Prandaj, shtatorja e tij që po përurojmë sot, duhet parë si një monument për liri. Sepse liria është parakushti i të gjitha mundësive për zhvillim dhe përparim, për vetëvendosje dhe për mirëqenie.
Lavdi Metush Krasniqit dhe të gjithë atyre që e sakrifikuan jetën e tyre, duke u angazhuar kaq totalisht sa Metushi për lirinë e atdheut!./Arbresh.info/
Kurti: Punëtorët dhe zyrtarët e institucioneve po bëjnë një ...
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...