Kurti mori pjesë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike: Vendi do të përfitojë shumë nga shërbimi juaj

19:08 | 15 Nëntor 2023
E.H

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mori sot pjesë në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike në Komunën e Vushtrrisë, me rastin e Ditës së Informimit të Komuniteteve.

”Profesionalizimi i kësaj Akademie dhe stafit të përkushtuar është i rëndësishëm, për mbrojtjen e kufijve tanë, që mallrat që kalojnë atje të jenë të kontrolluara; që kriminelët të identifikohen, të ndëshkohen e rehabilitohen, që të mbrohet jeta dhe prona e qytetarëve tanë, si dhe të menaxhohen rastet emergjente”, u shpreh Kurti në fjalën e tij, përcjell Arbresh.info.

Ai shtoi se nga fillimi i mandatit qeverisës, janë zhvilluar mbi 1000 operacione policore, kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës, janë shkatërruar 100 grupe kriminale, 16 laboratorë të drogës dhe janë arrestuar mbi 3800 persona.

Duke qenë partner serioz dhe të besueshëm për aleatët tanë, kryeministri theksoi se po i kontribuojmë paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë në rajonin tonë.

“Uroj që ta shfrytëzoni këtë rast të shkëlqyer për të mësuar rreth mundësive të ofruara dhe për procesin e aplikimit, që ta bëni Akademinë e Sigurisë Publike të Kosovës pjesë të planeve dhe të ëndrrave tuaja për të ardhmen. Besoj që në këtë mënyrë ju mund të përfitoni shumë, por e di që edhe Kosova do të përfitojë shumë nga shërbimi juaj. Akademia e Sigurisë Publike sjell dije në punën e secilit, për siguri të të gjithë qytetarëve,” tha Kurti.

Ndërkaq, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, theksoi se “Në historinë e themelimit të institucioneve tona, në ngritjen dhe forcimin e përditshëm të tyre, pjesë e pandashme është kontributi i zyrtarëve tanë nga të gjitha komunitetet, të cilët në çdo ditë të punës së tyre janë në shërbim të qytetarëve tanë pa dallim”.

Në anën tjetër ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq theksoi se kjo akademi, është përkushtim, besueshmëri, zgjedhje dhe ardhmëri./Arbresh.info

Të ngjashme