Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po qëndron për një vizitë zyrtare në Zvicër.
Gjatë kësaj vizite, Kurti ka takuar Këshilltarin Federal të Zvicrës dhe Kryesuesin e Departamentit për Çështje Ekonomike, të Arsimit dhe Hulumtimit, Guy Parmelin, raporton Arbresh.info.
“Takimet e sotme bilaterale në Zvicër të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nisën me shkëmbimin dhe bisedën me Këshilltarin Federal të Zvicrës dhe Kryesuesin e Departamentit për Çështje Ekonomike, të Arsimit dhe Hulumtimit, Guy Parmelin. Kosova dhe Zvicra kanë marrëdhënie të shkëlqyera, me diasporën tonë si urë lidhëse dhe faktor i rëndësishëm i bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve tona”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Kryeministri, sipas njoftimit, ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës duke theksuar rëndësinë e thellimit edhe më tej të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Shtoi se bashkëpunimi ynë ekonomik dhe tregtar po shtohet çdo vit, gjersa niveli i përgjithshëm i investimeve të huaja direkte nga Zvicra në Kosovë në katër vitet e fundit është rritur për rreth 170%. Ndërkaq, nënvizoi edhe rritjen e eksporteve nga Kosova drejt Zvicrës, ku në të njëjtën periudhë kohore, eksportet janë gati dyfishuar dhe përfshijnë një shumëllojshmëri produktesh si metale, produkte minerale, ushqime, plastikë, gomë, makineri, pajisje, materiale elektrike dhe tekstile. Zvicra është tashmë destinacioni i pestë më i madh për mallrat e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në takim u theksua fakti se Kosova ka arritur Marrëveshjeve për Tregti të Lirë me vendet anëtare të EFTA-s, pjesë e së cilës është edhe Zvicra.
Kosova është i vetmi vend në rajon që përveç negocimit për tregti të mallrave, ka negociuar edhe për tregti të shërbimeve me vendet EFTA-n, duke shtuar kështu korpusin e mundësive për shkëmbime dhe bashkëpunim. /Arbresh.info/