Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, organizoi një pritje në nder të ambasadorit të Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, me rastin e përfundimit të mandatit të tij.
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se “Miqësia mes ambasadorit Abbott dhe meje përfaqëson vetëm një copëz të vogël të miqësisë së qëndrueshme e jetëgjatë midis dy vendeve tona”.
Ai e falënderoi ambasadorin për punën, miqësinë dhe përkushtimin e tij, e ku theksoi dhe mbështetjen gjithmonë të palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën.
Në këtë pritje mes shumë të tjerësh ishin të pranishëm ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në vendin tonë, deputetë, ministra dhe zëvendësministra të qeverisë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti (Përkthim jozyrtar):
Ambasador Nicholas Abbott, Ambasador i Britanisë në Kosovë, i dashur Nick,
Shkëlqesi ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në vendin tonë,
Të nderuar deputetë dhe ministra dhe zëvendësministra të qeverisë,
Ushtarë dhe oficerë, të dashur të ftuar, zonja dhe zotërinj,
Është ndjenjë sa e ëmbël aq e hidhur t’ju mirëpres sonte. Ata që shërbejnë në Kosovë si pjesëtarë të misioneve diplomatike bëhen miq të vendit tonë. Dhe besoj se të gjithë ju, si diplomatë, e kuptoni se me sa seriozitet e trajtojmë miqësinë.
Sigurisht, miqësia mes ambasadorit Abbott dhe meje përfaqëson vetëm një copëz të vogël të miqësisë së qëndrueshme e jetëgjatë midis dy vendeve tona. Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova ishin shtete mike, shumë kohë përpara se ne të merrnim rolet tona aktuale. Dhe do të mbesin vende mike edhe shumë gjatë më pas. Në një botë ku ka shumë ndryshime, të jep siguri të dish se disa gjëra do të zgjasin në kohë. Mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar na jep siguri: pavarësisht se cila parti është në qeverisje atje, mbështetja këtu për demokracinë e Kosovës, mbetet gjithmonë e palëkundur.
Pozicioni i ardhshëm i ambasadorit Abbott do të jetë sërish në Evropën Juglindore. Ky do të jetë pozicioni i tij diplomatik më sfidues, sepse ai do të duhet të pretendojë se i pëlqejnë të dyja vendet në mënyrë të barabartë. Në rast të një ngjarjeje ndryshe e të pafat, ne të gjithë këtu zotohemi se nuk do t’ju gjykojmë për të. Emri juaj është Abbott, por jo Shenjtor, kështu që ne dimë të falim.
Ambasadori Abbott ka diçka të përbashkët me britanikët që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në jetën time, faktin se ata janë nga Mançesteri. Këtu ai bashkohet me disa grupe shumë të njohura me origjinë nga qyteti, si Joy Division, Stone Roses, Oasis, The Fall dhe The Smiths. Sigurisht, ata ofrojnë shoqërim ndryshe. Noel Gallagher nuk ka ardhur ndonjëherë në zyrën time për të diskutuar marrjen e detyrës në zyra të kryetarëve të komunave në veri – disa herë. Por ne jetojmë në kohëra të çuditshme, ndaj nuk do ta përjashtoja mundësinë.
Por si admirues i muzikës britanike, ne gjithmonë mund t’i dërgojmë njëri-tjetrit këngën e Kate Bush “Be Kind to My Mistakes”.
Përtej batutave, aftësia jonë për të qenë të çiltër e të hapur me njëri-tjetrin është një dëshmi e respektit të ndërsjellë gjatë këtyre viteve të punës së bashku.
Dhe për pjesën vijuese të këtij fjalimi, do të duhet të presim vitin e ardhshëm, kur do të festojmë 40 vjetorin e anëtarësimit të ambasadorit në Zyrën për Punë të Jashtme, Komonuelth dhe Zhvillim. Pra, zyra ime do të pranojë shënime dhe sugjerime për batuta.
Ambasador Abbott, i dashur Nick, faleminderit për punën, miqësinë dhe përkushtimin tuaj.
Shijojeni mbrëmjen dhe gëzuar për të gjithë ju!/Arbresh.info/
Policia sekuestroi 6 armë zjarri gjatë javës së kaluar
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 800 gjoba trafiku për 24 orë
Kandidati prorus prin në zgjedhjet presidenciale në Rumani
Osmani udhëtoi për vizitë pune në Kolumbi
Kumbaro ndan pamje nga pazari i Gjirokastrës nën atmosferën ...
Vdekja e një punëtori në Prizren, arrestohen tre menaxherët ...