Kurti: Mësimdhënësit e Diasporës, misionarë të gjuhës e kulturës shqiptare

22:13 | 18 Korrik 2024
E.G

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen hapëse të Seminarit të 17-të të Mësimdhënësve të Mërgatës.

Në fjalën e tij, kryeministri theksoi rëndësinë e punës dhe përkushtimit të mësimdhënësve në mësimin e gjuhës amtare dhe të njohurive mbi kulturën tonë te fëmijët e diasporës.

“Ne flasim shpeshherë për diasporën, jemi falënderues për ndihmesën që ka dhënë për atdheun, sidomos në kohën për çlirimin e Kosovës. Qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë organizojnë shpesh takime me pjesëtarë të shquar të diasporës dhe të dy shtetet kanë institucione që merren posaçërisht për të mbajtur gjallë interesimin e diasporës për vendin e origjinës. Mirëpo, në të vërtetë puna jonë në atdhe për të fuqizuar lidhjet me diasporën nuk do të jepte shumë fryte, po të mos ishit ju, që jetoni e punoni në gjirin e komuniteteve shqiptare të shpërndara në Evropë, Amerikë të Veriut dhe në pjesë të tjera të botës.” u shpreh kryeministri Kurti.

Më tej, ai vlerësoi rolin e arsimtarëve si misionarë të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në botë. “Roli juaj sot nuk është më i pakët nga ai i rilindasve tanë para më shumë sesa një shekulli. Nëse rilindësit zhvilluan shkrimin shqip dhe hodhën farat dhe ndihmuan që të çelnin sythat e parë të kulturës sonë kombëtare në diasporën e atëhershme, dhe më pas e sollën atë që të lulëzonte në atdhe, ju me anë të veprimtarive, sikurse kjo e sotmja, përgatiteni më mirë për të përcjellë filiza të shqiptarisë në dhe të huaj që edhe aty të gjallojë kultura shqiptare, krahas kulturave vendase. Ky është një proces dialektik, diasporë-atdhe-diasporë, që do të jetë shumë i rëndësishëm edhe gjatë shekullit tonë të globalizimeve, integrimeve politike dhe afirmimit të kulturave kombëtare.” tha kryeministri.

Duke përmendur disa prej të arriturave të kontributit dhe bashkëpunimit të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë në këtë drejtim, kryeministri Kurti shprehu rëndësinë e ruajtjes dhe fuqizimit të identitetit shqiptar në diasporë, si një detyrë kombëtare.

“Në detyrën time si Kryeministër i Republikës së Kosovës, si drejtues i qeverisë, angazhohem që mbështetja e institucioneve tona të mos mungojë asnjëherë dhe të vijë duke u rritur. Ju uroj një seminar të suksesshëm në Prishtinë dhe arritje më të mëdha, gjithnjë e më të mëdha në detyrën tuaj fisnike!” përfundoi fjalën e tij kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Më herët sot gjatë ditës e takova Edona Qosjen, e cila është këtu, studente në Universitetin e Harvardit, ka mbaruar një praktikë dymujore në Zyrën e Kryeministrit. Edona e cila e ka babain nga Vuthajt e nënën nga Martinajt, babain me mbiemrin Qosja e nëna me mbiemrin Prelvukaj, bashkë me studentët tjerë shqiptarë që ndjekin studimet në Harvard kanë arritur që mësimin e gjuhës shqipe ta shtojnë si lëndë në këtë universitet me renome ndërkombëtare. Nuk i dihet mbase pas disa vitesh këta studentë do të bëhen mësimdhënës pikërisht sikurse ju.

E nderuara zonja Donika Gërvalla-Schwarz, zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës,

E nderuara ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, zonja Arbërie Nagavci,

I nderuari kryetar i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, zoti Ardian Gola,

E nderuara zonja Nina Guga, zëvendësministre e Arsimit dhe Sportit në Republikën e Shqipërisë,

E nderuara zonja Liza Gashi, zëvendësministre në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës,

I nderuari zoti Taulant Kelmendi, zëvendësministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,

I nderuari zoti Pjerin Lleshi, kryetar i Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi,

Të dashur mësues të gjuhës shqipe në diasporë,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Ndihem i nderuar që jam sot para jush, për t’ju uruar mbarëvajtjen e seminarit të 17-të të mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë. Ju e dini dhe e ndjeni se sa e rëndësishme dhe fisnike është puna dhe përkushtimi juaj në mësimin e gjuhës amtare dhe të njohurive mbi kulturën tonë te fëmijët e diasporës.

Ne flasim shpeshherë për diasporën, jemi falënderues për ndihmesën që ka dhënë për atdheun, sidomos në kohën për çlirimin e Kosovës. Qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë organizojnë shpesh takime me pjesëtarë të shquar të diasporës dhe të dy shtetet kanë institucione që merren posaçërisht për të mbajtur gjallë interesimin e diasporës për vendin e origjinës. Mirëpo, në të vërtetë puna jonë në atdhe për të fuqizuar lidhjet me diasporën nuk do të jepte shumë fryte, po të mos ishit ju, që jetoni e punoni në gjirin e komuniteteve shqiptare të shpërndara në Evropë, Amerikë të Veriut dhe në pjesë të tjera të botës.

Gjuha shqipe është thelbësore për kombin tonë. Ajo nuk është thjesht mjet komunikimi mes nesh, por është koncentrimi i qenies shqiptare. Shqipja i dallon shqiptarët si pjesë e botës dhe ata me gjuhën shqipe e ndërtojnë botën, kudo që janë. Prandaj, ju të dashur arsimtarë, jeni misionarët e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në botë. Roli juaj sot nuk është më i pakët nga ai i rilindasve tanë para më shumë sesa një shekulli. Nëse rilindësit zhvilluan shkrimin shqip dhe hodhën farat dhe ndihmuan që të çelnin sythat e parë të kulturës sonë kombëtare në diasporën e atëhershme, dhe më pas e sollën atë që të lulëzonte në atdhe, ju me anë të veprimtarive, sikurse kjo e sotmja, përgatiteni më mirë për të përcjellë filiza të shqiptarisë në dhe të huaj që edhe aty të gjallojë kultura shqiptare, krahas kulturave vendase. Ky është një proces dialektik, diasporë-atdhe-diasporë, që do të jetë shumë i rëndësishëm edhe gjatë shekullit tonë të globalizimeve, integrimeve politike dhe afirmimit të kulturave kombëtare.

Diaspora, nga vetë natyra e saj, është shumëgjuhëshe. Gjuhët vendase dhe zyrtare kanë përparësi ndaj gjuhës amtare të të ardhurve që bëhen pjesë e qytetarisë së shteteve pritëse. Kjo vlen dyfish kur gjuha pritëse i përket një kombi më të madh dhe më të zhvilluar sesa gjuha e ardhur. Të ardhurit kanë interes që të punojnë dhe të integrohen në kombin përkatës. Gjuha amtare ruhet shumë mirë në brezin e parë, por në brezin e dytë dhe të tretë të mërgimtarëve, që tashmë janë qytetarë me të drejta të plota, gjuha e vendit të origjinës ruhet më shumë në funksionin identitar, në rastin tonë në funksion të të qenit pjesëtar i kombit shqiptar, edhe pse fizikisht larg atdheut.

Gjuha shqipe është sikurse ajo flaka e qiririt të Naimit që duhet mbajtur ndezur në shpirtin e çdo shqiptari të larguar nga atdheu. Shqiptarët janë një komb diasporik. Po të llogarisim numrin e shqiptarëve në Evropën Perëndimore, ai është më i madh sesa numri i shqiptarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut, i afrohet atij në Republikën e Kosovës, të marrë veçmas, e ndoshta edhe më i madh se numri i popullsisë së Republikës së Shqipërisë, kur në diasporë përveç asaj të Evropës perëndimore e përfshijmë edhe Amerikën Veriore. Prandaj, duhet një punë e madhe për të ruajtur fuqizimin e identitetit shqiptar në diasporë dhe ju jeni në vijën e parë të kësaj detyre kombëtare. Sigurisht që juve ju nevojitet edhe ndihma e shteteve amë, ndihma e shteteve me shumicë shqiptare. Kam kënaqësinë që të përmend disa të arritura të deritanishme dhe kontributin e qeverive të Kosovës dhe të Shqipërisë.

Së pari është kurrikula e përbashkët për mësimin e gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare në diasporë; abetarja e përbashkët e shqipes, që përdoret edhe në diasporë; përmbajtja e unifikuar e teksteve mësimore për gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare në diasporë; hapja e 21 klasave të reja në vende të ndryshme për fëmijët e diasporës; vetëm në vitin 2023 janë shpërndarë nëpër shkollat shqipe në diasporë afër 40 mijë tekste mësimore; janë porositur për botim 45 mijë tekste të reja për shkollat në diasporë, që do të shpërndahen për vitin shkollor 2024-2025; në maj të këtij viti u organizuan tri punëtori me mësuesit e diasporës në Gjermani, Austri dhe Zvicër; në shtator të këtij viti do të organizohet një takim me mësuesit e pensionuar shqiptarë të diasporës, për t’ua shprehur atyre mirënjohjen për punën e tyre, që shumë prej tyre ende e vijojnë pra punojnë edhe pas pensionimit; kemi mbështetur trajnime e seminare për mësuesit e diasporës dhe ekskursione me fëmijë nga shkolla të ndryshme e deri të organizimi i këtij seminari që do të pasohet edhe me seminarë të tjerë për ngritjen profesionale të mësuesve të diasporës.

Në detyrën time si Kryeministër i Republikës së Kosovës, si drejtues i qeverisë, angazhohem që mbështetja e institucioneve tona të mos mungojë asnjëherë dhe të vijë duke u rritur. Ju uroj një seminar të suksesshëm në Prishtinë dhe arritje më të mëdha, gjithnjë e më të mëdha në detyrën tuaj fisnike!

Faleminderit./Arbresh.info/

Të ngjashme