Kurti merr pjesë në vendosjen e gurthemelit të çerdhes së re në Godancë të Shtimes

12:42 | 22 Tetor 2023
E.H

Në Godancë të Shtimes, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vendosi gurthemelin e çerdhës së re.

Kurti theksoi se ky projekt dëshmon përkushtimin e Qeverisë, Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Komunës së Shtimes, për të investuar dhe për t’u kujdesur për fëmijët që janë edhe e tashmja, edhe e ardhmja e vendit tonë, përcjell Arbresh.info.

“Kjo është çerdhja e 31-të, në mesin e atyre që i kemi ndërtuar, rinovuar e adaptuar”, tha Kryeministri.

Ai ritheksoi se “Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e angazhuar në investime për edukimin e hershëm, andaj deri më tash ka investuar 10.7 milionë euro për çerdhe, ndërsa janë edhe 5 milionë të tjera prej fondeve IPA, të Bashkimit Evropian”.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, bëri të ditur se së shpejti pritet të finalizohet edhe çerdhja e cila është duke u ndërtuar në Myzeqinë, gjersa për vitin e ardhshëm është paraparë edhe çerdhja në Petrovë./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme