, mbrëmë, mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit ”Rikard” në Kino Armata, në Prishtinë, dokumentar ky që ri-jetësoi aktorin Rikard Llarja, njërin nga aktorët më të mëdhenj shqiptar.
“Çdo dokumentar i konceptuar për artistin, është dyfish i tillë. Dokument i krijimit të njërit me krijimin që e sjell tjetri. Sonte do të shohim dokumentarin e dy të mëdhenjve. Miq të artit e të mendimit”, tha në krye të herës së fjalës së tij kryeministri Kurti, para shumë artistëve e të pranishmëve në Kino Armata.
Rikardi, sipas kryeministrit, i dhuroi kinemasë një nga ikonat më simbolike, përcjell Arbresh.info.
Teksa fliste për aktorin e madh shqiptar, ai veçoi se kur arti bën punën e vet përtej kodeve dhe direktivave, nis e zë fill një betejë sa e heshtur aq edhe fatale mes dhuntisë së artit dhe dhunës së propagandës, sepse një talent si i Rikardit vendos teprinë e talentit mbi kufizimet e lirisë.
“Mos t’i harrojmë filmat si ‘Komisari i dritës’ dhe ‘Dueli i heshtur’. Sepse në këta filma, brenda propagandës lëvrin apo regëtin talenti specifik i fushës dramatike. Arti shqiptar kishte nevojë për zë e për portret. Arti kinematografik kishte nevojë edhe për figurat e veta emblematike. Rikard Ljarja, Ndrekë Luca, Dhimitër Furxhiu, Agim Qirjaqi, Jani Riza, Kadri Roshi, apo dhe Mevlan Shanaj, sot dhe këtu si regjisor, ia dhuruan karakteret kinemasë” tha ai.
E mes tisit të propagandës, në mënyrë alternative, shtoi ai, Rikardi i dhuronte skenës, sa herë që i jepej mundësia, edhe fjalimin e Mark Antonit nga Shekspiri.
Në fund, Kurti tha se nuk ka dyshim që do të donim ta shihnim këtë dokumentar këtu në Prishtinë bashkë me Rikardin, të dëgjonim zërin e tij tek kumbonte në sallë pasi të mbyllej ekrani.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
Shkëlqesia juaj zotëri Petrit Malaj, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kosovë,
Shkëlqesia e juaj zonja Shpresa Jusufi, ambasadore e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës,
I nderuar zotëri Hajrullah Ceku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
E nderuara zonja Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,
I nderuari regjisor i filmit dokumentar zotëri Mevlan Shanaj,
I nderuari zoti profesor Kastriot Qaushi, rektor i Unvierstietit të Arteve nga Tirana,
Të nderuar të pranishëm,
Artistë e artdashës,
Zonja dhe zotërinj,
Gëzohem që jemi bashkë këtu sonte. Për Rikardin. Me të gjithë ju.
Çdo dokumentar i konceptuar për artistin, është dyfish i tillë. Dokument i krijimit të njërit me krijimin që e sjell tjetri. Sonte do të shohim dokumentarin e dy të mëdhenjve. Miq të artit e të mendimit.
Mevlan Shanaj për Rikardin.
Le të kalojmë bukur pra sonte me dëshminë mbi Rikard Ljarjen, për këtë aktor me talentin e diksionit dhe dhuntinë e portretit.
Kinemaja shqiptare e viteve ’60 përfitoi një përmasë të lartë neorealiste me filmin e Hysen Hakanit, ‘Ndërgjegjja’. Muzikë minimale, plan detaj, hije në mes të njerëzve dhe impresionizëm në natyrë. Është lëvizje e kamerës rreth një elegance trupore.
Kinemaja me portretin e Rikardit fitoi atë hije-dritë që Shkodra e kish hedhur me tërë madhështinë shekullore mbi shoqërinë shqiptare.
Mos t’i harrojmë filmat si ‘Komisari i dritës’ dhe ‘Dueli i heshtur’. Sepse në këta filma, brenda propagandës lëvrin apo regëtin talenti specifik i fushës dramatike. Arti shqiptar kishte nevojë për zë e për portret. Arti kinematografik kishte nevojë edhe për figurat e veta emblematike. Rikard Ljarja, Ndrekë Luca, Dhimitër Furxhiu, Agim Qirjaqi, Jani Riza, Kadri Roshi, apo dhe Mevlan Shanaj, sot dhe këtu si regjisor, ia dhuruan karakteret kinemasë.
Rikardi i dhuroi kinemasë një nga ikonat më simbolike. Është ai njeriu i lidhur pas shtyllave që ngrihet mbi bardhësinë e rreptë të botës. Është edhe ajo siluetë njerëzore që ndjek me telin e gjatë mbi sup kalvarin drejt kryqëzimit të vet.
Kur arti bën punën e vet përtej kodeve dhe direktivave, nis e zë fill një betejë sa e heshtur aq edhe fatale mes dhuntisë së artit dhe dhunës së propagandës.
Sepse një talent si i Rikardit vendos teprinë e talentit mbi kufizimet e lirisë.
Por edhe më shumë se kaq. Mes tisit të propagandës, në mënyrë alternative, Rikardi i dhuronte skenës, sa herë që i jepej mundësia, edhe fjalimin e Mark Antonit nga Shekspiri.
Nuk dihet se përse ai risillte në skenën e televizionit me ngulm vargjet mbi komplotin dhe vrasjen. Ndoshta, thellë tij e ndjente se një vrasje e brendshme e artit punonte komplotin e vet. Andaj edhe, kur Rikardi u kthye në regjisor, më së shumti iu kushtua problemeve të mendësisë së shoqërisë dhe jo temave të mëdha politike.Kinemasë, për të mbetur art i imagjinatës, i nevojiten në mënyrë jetike pamjet dhe shqiptimet e Rikardit dhe të artistëve që tashmë e kanë admirimin tonë.
Nuk ka dyshim që do të donim ta shihnim këtë dokumentar këtu në Prishtinë bashkë me Rikardin. Të dëgjonim zërin e tij tek kumbonte në sallë pasi të mbyllej ekrani.
Këtë imagjinatë në formë dëshire e ka secili. Ashtu siç vetëm artisti i madh ta nxit edhe më shumë pikërisht kur mungon.
Jam i gëzuar që sonte jam këtu. Edhe një herë me Rikardin./Arbresh.info/
Alex Iwobit iu zbulua dikur paga në internet dhe kishte shif...
Tentohet të vidhet banka në Korçë, policia në vendin e ngjar...
Aksident te Dheu i Bardhë, lëndohen shtatë persona
Pacolli për sulmin në Gjermani: Këta njerëz që ndryshojnë fe...
Sistemi i ri për mbrojtjen nga raketat, përforcon krahun lin...
Blerësit ankohet për çmimet, tregtarët: Ka vështirësi në fur...