Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në promovimin e librit “Lufta e Kosovës 1997-1999: Një bibliografi e përzgjedhur”, të autorëve Durim Abdullahu dhe Davjol Ndoja, e mbajtur në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
Në fjalën e tij, kryeministri tha se që nga koha e luftës në Kosovë e deri sot, janë shkruar shumë libra për luftën e Kosovës, por ky është libri i parë i shkruar për librat për luftën e Kosovës.
Në këtë libër janë evidentuar plot 7,700 libra për luftën e Kosovës. Dhe kjo shifër kaq e madhe, u shpreh kryeministri Kurti na bën edhe më shumë të reflektojmë pasi vetëm 600 libra prej të gjithë këtyre librave janë shkruar nga autorë shqiptarë, që do të thotë se pjesa tjetër, mbi 7,000 libra janë shkruar nga autorët ndërkombëtarë.
Nga gjithsej 7,700 librat për luftën e Kosovës, disa edhe përkthyer në 28 gjuhë të ndryshme.
Autorët, Abdullahu dhe Ndoja, i kanë identifikuar dhe regjistruar ata duke i nxjerrë prej 45 bibliotekave kryesisht kombëtare, nga 43 shtete të ndryshme, anë e mbanë globit.
Kryeministri i uroi të dy autorët për këtë ndërmarrje të finalizuar me këtë libër të jashtëzakonshëm, dhe tha se beson fuqishëm që sikur në këtë rast, kur një studiues nga Prishtina dhe një studiuese nga Tirana, i bëjnë forcat bashkë, rezultati janë veprat e tilla të mëdha dhe të dobishme, për shoqërinë dhe shtetin, për kombin dhe të ardhmen.
Në këtë promovim të librit, të pranishëm ishin edhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, zëvendësministri në Ministrinë e Drejtësisë, z.Vigan Qorrolli, deputetë të Kuvendit të Republikës, Fejza, Hyseni e Rrustemi, profesorë e studentë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara znj. Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,
E nderuar znj. Bukurije Haliti, u.d e drejtores së Bibliotekës Kombëtare,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, Fejza, Hyseni e Rrustemi,
I nderuari zëvendësministër në Ministrinë e Drejtësisë, z.Vigan Qorrolli,
Të nderuar profesorë dhe studentë,
I nderuari Gjeneral Naim Haziri,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Pardje e shënuam 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, kurse sot, në vazhdën e shënimeve të ditëve të çlirimit, jemi mbledhur për ta promovuar librin studimor “Lufta e Kosovës 1997-1999: Një bibliografi e përzgjedhur”, i shkruar nga studiuesit Durim Abdullahu dhe Davjola Ndoja. Që nga koha e luftës në Kosovë e deri sot, janë shkruar shumë libra për luftën e Kosovës, por ky është libri i parë i shkruar për librat për luftën e Kosovës.
Diku rreth dy muaj më parë, kur Durimi më pati treguar që ai bashkë me kolegen e tij Ndoja i kanë përmbledhur dhe i kanë klasifikuar në një libër, të gjithë librat pothuajse të shkruar gjatë këtij çerekshekulli për luftën e Kosovës anë e mbanë botës, gjëja e parë që më pat habitur është numri shumë i madh i këtyre librave. Sepse shifra totale ishte jo vetëm e habitshme, por gati e pabesueshme, siç, ma thotë mendja, do të jetë edhe për juve. E rrumbullakuar në një numër, në këtë libër janë evidentuar plot 7.700 libra për luftën e Kosovës.
Pra, deri në këto ditë kur janë bërë 25 vite që nga përfundimi i luftës së Kosovës, janë shkruar 7.700 libra për luftën e fundit te ne. Dhe kjo shifër kaq e madhe na bën edhe më shumë të reflektojmë pasi siç e kanë shpjeguar autorët Abdullahu dhe Ndoja në librin e tyre, vetëm 600 libra prej të gjithë këtyre librave, apo më pak se 8% janë shkruar nga autorë shqiptarë, që do të thotë se pjesa tjetër, mbi 7.000 libra nga 7.700, janë shkruar nga autorët ndërkombëtarë, prej të gjithë këtyre librave as 1/12 as çdo i 12-ti libër nuk është nga autorë shqiptarë. Më shumë se 11 nga 12 sosh janë nga autorë të huaj dhe kjo e dhënë për mua ishte e pabesueshme mbase edhe sepse e paimagjinueshme më herët.
Këta 7.700 libra për luftën e Kosovës, janë shkruar e disa edhe përkthyer në gjithsej 28 gjuhë të ndryshme, kurse autorët, Abdullahu dhe Ndoja, i kanë identifikuar dhe regjistruar ata duke i nxjerrë prej 45 bibliotekave kryesisht kombëtare, nga 43 shtete të ndryshme, anë e mbanë globit.
Mjaftojnë këto të dhëna qoftë edhe vetëm si statistika, për ta kuptuar përmasën kaq të gjerë ndërkombëtare të interesimit për luftën e Kosovës. Në anën tjetër, kjo tregon punën aq të madhe kërkimore dhe studimore që është bërë për këtë libër të librave mbi luftën e fundit në vendin tonë. Kësaj pune sigurisht që i përkon emri Durim i autorit Abdullahu, ndërkohë që jam edhe kureshtar mbi kuptimin e emrit Davjola të autores Ndoja!
Urime të dy autorëve për këtë ndërmarrje të finalizuar me këtë libër të jashtëzakonshëm, një libër të paparë tek ne dhe besoj fuqishëm që sikur në këtë rast, kur një studiues nga Prishtina dhe një studiuese nga Tirana, i bëjnë forcat bashkë, rezultati i natyrshëm janë veprat e tilla të mëdha dhe të dobishme, për shoqërinë dhe shtetin, për kombin dhe të ardhmen.
Mendoj që tani duhet të nisim të mendojmë se si duhet t’i blejmë këta libra, të shkruar në 43 shtete në katër anët e botës dhe t’i sjellim këtu në Kosovë, aty ku ka ndodhur lufta për të cilën shkruajnë këta libra të cilëve ua kanë dedikuar librin e tyre Abudllahu dhe Ndoja. Meqenëse për ne si popull i Kosovës dhe për institucionet e Republikës, është tejet e rëndësishme ta kemi dhe ta njohim çdo libër dhe ta mbledhim çdo zë për luftën në Kosovë.
E për ta krijuar një përfytyrim për këtë korpus kaq të madh të librave për luftën në vendin tonë, besoj që do të na shërbejë ekspozita të cilën do ta shohim më pastaj, ku Durimi i ka ekspozuar gjysmën e koleksionit të tij me libra për luftën e Kosovës. I uroj edhe njëherë autorët për librin si dhe për ekspozitën, me ndjesitë plot nderime për historinë dhe trashëgiminë e luftës së Kosovës.
Protesta e opozitës para bashkisë, qëllojnë me sapun objekti...
Çfarë përmban zarfi i zi? Këtë e diskutojnë Gresa dhe Vullne...
Vullneti dhe Gresa i komentojnë veprimet e Gjestit
BE zgjati mandatin e misionit të trajnimit ushtarak në Ukrai...
Parashikimi i motit për vikend në Kosovë
Haradinaj takon kryetarin e “Vatrës”, kërkon ndihmë për inte...