Kurti merr pjesë në hapjen e Kongresit të Dytë Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës

20:24 | 15 Shtator 2022
L G

Me ftesë të Kryetarit të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, njëherit ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë hapëse të Kongresit të Dytë Klinik të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës.

Në fjalën e tij të rastit, kryeministri Kurti tha se shëndetësia është edhe praktikë e efikasitet në punën e përditshme, edhe akademi e shkencë që edukon brezat e rinj të profesionistëve dhe akademikëve, shkruan arbresh.info.

Ai u shpreh i lumtur që merr pjesë në hapjen e Kongresit, në praninë e shumë profesionistëve mjekësorë, në mesin e të cilëve edhe mërgimtarë që nuk e kanë harruar Kosovën dhe janë prezent sa herë u jepet rasti e mundësia.

“Më vjen mirë që po ju takoj në Kosovë, në Prishtinë. Ju inkurajoj që të ktheheni dhe të gjeni veten në Kosovë. Mërgimtarë e kemi edhe ministrin Dr. Latifi, ai është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh kryeministri Kurti, thuhet në njoftim.

Ai i njoftoi të pranishmit edhe për formimin e Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi me vendim të Qeverisë.

“Meqë shëndetësia është një domen i shtrirë ndër shumë sektorë e instanca, e kemi ngritur Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, që e kryesoj unë, për të siguruar funksionim normal të sistemit shëndetësor e për t’i hapur rrugë reformës në shëndetësi”, shtoi më tej kryeministri.

Në fund të fjalës, ai u uroi pjesëmarrësve punime të mbara në këtë kongres që do të mbahet nga 15 deri me 18 shtator, në Prishtinë./arbresh.info/

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:

I nderuar ministër i Shëndetësisë, Dr. Rifat Latifi,
Të nderuar zëvendësministra Gexha-Bunjaku dhe Berisha,
Të nderuar shkëlqesi ambasadorë,
Të nderuar profesionistë shëndetësorë,
Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë të jem me ju për të përshëndetur Kongresin e Dytë të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës.

Asocimi i profesionistëve mjekësorë, në veçanti të atyre me shkallë akademike, siç është ky kolegj i kirurgëve, luan rol të rëndësishëm jo vetëm për sektorin. Rëndësia shtrihet në shumë sfera.

Shëndetësia është edhe praktikë e efikasitet në punën e përditshme, por edhe akademi e shkencë që na i edukon brezat e rinj të profesionistëve e akademikëve. Nesër këta edhe do të jenë në praktikë, edhe do të nxjerrin profesionistë të tjerë të rinj pastaj. E këtu ju kemi të dy këto sfera bashkë, sa i përket fushës së kirurgjisë.

Këtu jeni edhe profesionistë që veprimtarinë tuaj profesionale e ushtroni në vend, edhe të tillë që jeni nga mërgata, kirurgë nga shumë vende të botës që nuk e keni harruar Kosovën dhe jeni prezent sa herë u jepet rasti e keni mundësi: në konferencë, për familje, për punë, për pushim e për bashkëpunime.

Më vjen mirë që po ju takoj në Kosovë, në Prishtinë. Ju inkurajoj që të ktheheni dhe të gjeni veten në Kosovë. Mërgimtarë e kemi edhe ministrin Dr. Latifi, ai është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Niveli akademik është shkenca e ndërgjegjja e secilit profesion. Praktika, në veçanti në kushtet e komercializimit të skajshëm të çdo gjëje, ndonjëherë, e nxjerrë profesionin fisnik të mjekut nga misioni humanitar e i lartësuar që ka.

Për këtë qëllim do të sigurohemi që të kemi sektor shëndetësor publik që është funksional, me ndarje të drejtë me atë privat, si dhe bashkëpunim e plotësim në mes këtyre të dyve.

Meqë shëndetësia është një domen i shtrirë ndër shumë sektorë e instanca, e kemi ngritur Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, që e kryesoj unë, për të siguruar funksionim normal të sistemit shëndetësor e për t’i hapur rrugë reformës në shëndetësi.

Te Dr. Rifat Latifi e keni edhe kolegun tuaj, por meqë unë jam koleg i tij, më keni edhe mua koleg tuajin. Kemi nevojë për dijen tuaj, për përvojën tuaj, për shkathtësitë tuaja, e kemi nevojë për kulturën tuaj të punës.

Të nderuar të pranishëm,

Më lejoni edhe një herë t’ju përgëzoj dhe t’ju uroj punime të mbara të kongresit.

Ju faleminderit.

 

Të ngjashme