Kurti me Peach flet për sigurinë e Kosovës, potencohet agresioni serb

13:28 | 4 Prill 2024
E.G

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me emisarin britanik për Ballkanin Perëndimor Stuart Peach është diskutuar për sigurinë e Kosovës në raport me Serbinë.

“Në takim u diskutua edhe për sigurinë e Kosovës. Kryeministri theksoi rëndësinë e sigurisë së kufirit me Serbinë, prej nga edhe vjen agresioni ndaj Kosovës, siç edhe u dëshmua në shtatorin e vitit të kaluar”, njofton Kryeministria.

Sipas njoftimit, kryeministri Kurti gjithashtu ndau me Lord Peach reflektimet e tij për vizitën që kishte në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë, si dhe takimet në Irlandën e Veriut në fund të muajit shkurt të këtij viti.

“Ai falënderoi Lord Stuart Peach për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Republikës së Kosovës dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe rolin aktiv të saj në fushën e sigurisë”, thuhet në njoftim, teksa potencohet vendimi i Mbretërisë së Bashkuar për dislokimin e 200 ushtarëve shtesë nga Regjimenti Mbretëror i Batalionit të Parë të Princeshës së Uellsit, që ju bashkuan misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR me rastin e sulmit terrorist serb në Banjskë./Arbresh.info/

Të ngjashme