Kryeministri i vendit Albin Kurti ka zhvilluar ditën e sotme një takim në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas.
Kurti, sipas komunikatës së Kryeministrisë, i ka ofruar Kallasit bashkëpunim të ngushtë me Kosovën, si dhe avancimin dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet vendit tonë dhe BE-së, shkruan Arbresh.info.
Siç njofton Kryeministria, Kurti ka thënë se Kosova është plotësisht e linjëzuar me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian dhe e angazhuar në reformat evropiane.
Në komunikatën thuhet se kryeministri ka veçuar se “deri në fund të vitit 2023, Kosova ka zbatuar 72% të Agjendës së Reformës Evropiane (ERA II) dhe ishte vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që ka dorëzuar në Bashkimin Evropian Agjendën e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes”.
Me këtë rast, Kurti thuhet të ketë kërkuar nga Përfaqësuesja e re e Lartë e BE-së, Kallas, largimin e masave ndaj Kosovës, “dhe theksoi rëndësinë e pranimit të pyetësorit për anëtarësim të Kosovës në Bashkimin Evropian teksa këtë muaj bëhen dy vjet nga dorëzimi i aplikimit”.
“Për Republikën e Kosovës, integrimi në BE dhe NATO nuk kanë alternativë sepse nuk duam të kemi alternativë”, citohet të ketë thënë Kurti.
Gjatë bisedës thuhet se është diskutua edhe për progresin e Kosovës, bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë.
Këtu, Kurti citohet të ketë thënë se “Kosova ka shënuar progres të madh ekonomik dhe demokratik, dhe se është palë aktive në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin ekonomik në rajon sipas rregullave dhe standardeve të BE-së”.
“Republika e Kosovës ka menaxhuar me sukses sfidat më të rënda dhe kërcënimet më serioze që prej shpalljes së pavarësisë”, citohet të ketë thënë Kurti, duke iu referuar sulmit paramilitar dhe agresionit të Serbisë në Banjskë në shtator të vitit 2023, ku mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës, dhe sulmit kinetik të 29 nëntorit në kanalin e ujit “Ibër Lepenc” në Zubin Potok, me ç’rast u rrezikua që gjysma e popullsisë të mbetet pa ujë dhe pa energji elektrike.
Ndërkohë që hetimet për sulmin e fundit po vazhdojnë, kryeministri thuhet se në takim me Kallasin ka nënvizuar që “në mesin e konfiskimeve të bëra në lidhje me rastin, krahas armatimit dhe municioneve, janë gjetur edhe 74 emblema ushtarake, prej të cilave 20 janë të njësive të ndryshme ushtarake ruse, përveç atyre serbe”.
Në lidhje me dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, thuhet se Kurti ka theksuar rëndësinë që “sa herë të flitet për dialogun si proces të përmendet fakti që ka një Marrëveshje Bazike e cila ka një Aneks të Zbatimit, por që në vazhdimësi shkelet nga Serbia”.
“Marrëveshja Bazike duhet të respektohet dhe duhet të zbatohet dhe se garanci për këtë është pikërisht nënshkrimi i saj”, citon Kryeministria të ketë thënë Kurti.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, ai gjithashtu do të marrë pjesë në darkën e shtruar për liderët e Ballkanit Perëndimor nga Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Paraprakisht do të ketë një takimi bilateral me të.
Çfarë ndodh nëse e mbani klimën lëshuar gjatë gjithë ditës?
OpenAI zbulon modele të reja me Inteligjencë Artificiale
Kurti: Synimi ynë është që edhe Kosova të marrë pjesë në Eur...
“Çfarëdo që vendosim tani do llogaritet si lojë”, Sara dhe D...
Policia me njoftim për disa gjoba në rajonin e Prishtinës
Manchester United me rekord të zi këtë edicion në Premier Le...