Google ADS

Kurti mbledh partinë: Ky do të jetë një vit i suksesshëm sa i përket agjendës legjislative

21:16 | 3 Shtator 2023
E.G

Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti në rolin e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) ka mbledhur sot qendrat ashtu si dhe kryesinë e partisë.

Në këtë mbledhje është diskutuar lidhur me situatën politike në vend dhe përgatititjet për sesionin vjeshtor, shkruan Arbresh.info.

Gjatë kësaj mbledhje u zotua për kalimin e ligjeve që përforcojnë reformën në ekonomi dhe drejtësi.

“Ky do të jetë një vit i suksesshëm sa i përket agjendës legjislative. Do të kalojnë ligje të rëndësishme e që përforcojnë reformën që kemi filluar në ekonomi dhe drejtësi, por hapësirë do të ketë edhe për propozime të tjera që vijnë nga qytetet tjera të vendit e që kanë rëndësi për zhvillimin dhe progresin tonë të gjithmbarshëm.”, thuhte në njoftimin e LVV-së.

Ndërkaq, në planin e dialogut, u premtua për respketim të marrëveshjes së Brukselit dhe heqjen e masave të BE-së.

“Qeveria jonë do të vazhdojë ta ketë prioritet luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend si dhe krijimin e parakushteve për paqe dhe siguri në secilën pjesë të Republikës. Politikat zhvillimore që krijojnë mundësi dhe vende të reja pune në Kosovë. Në planin e dialogut do të insistojmë që të respektohet marrëveshja e nënshkruar në Bruksel dhe të hiqen masat e BE-së ndaj Kosovës.”, bëhet e ditur në njoftimin e partisë.

Ndër të tjera u premtua edhe për mbështetjë të komunitetit shqiptar të Luginës.

“Kurse në planin e mbështetjes për pakicat kombëtare dhe jo kombëtare do të vazhdojmë ta ndihmojmë komunitetin shqiptar në Luginë siç kemi bërë deri më tani, duke ndihmuar njëherit edhe komunitetet jo-shumicë në Kosovë siç bëmë së fundi me fondin 3 milionësh për mbështetjen e organizatave, ndërmarrjeve, që drejtohen nga këto komunitete.”

Në çështje të nivelit lokal, u theksua rëndësia për votimin e faljes së tatimit në pronë deri në 100 euro si masë e qeverisë.

“Kjo ka afat deri me 15 shtator të këtij viti andaj duhet iniciuar seanca të jashtëzakonshme komunale që kjo çështje të votohet.”, thuhet tutje.

Po ashtu, u fol për ngritjen e opozitbërjes në komunat ku Lëvizja Vetëvendosje nuk udhëheq.

“Te çështjet organizative u fol për punën e shtuar që duhet bërë në ngritjen e opozitbërjes nëpër secilën komunë, në fuqizimin e qendrave tona, në shtimin e anëtarësimeve të reja, në mënyrë që kësisoj shumë shpejtë t’i kompletojmë strukturat tona për të garuar në secilin qytet të Republikës.”, bën të ditur Lëvizja Vetëvendosje./Arbresh.info

Të ngjashme