Google ADS

Kurti: Martirët e familjes Bogujevci janë dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë

12:02 | 28 Mars 2023
A Z

Kurti: Martirët e familjes Bogujevci janë dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë

Me rastin e 24-vjetorit të masakrës së familjes Bogujevci në Podujevë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë sot homazhe te varrezat e kësaj familje.

Para gazetarëve, kryeministri Kurti tha se kjo masakër është dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë dhe njësiti që ka marrë pjesë në këtë masakër, ka marrë pjesë edhe në masakrën e Srevrenicës më 1995.

“Nga Izbica erdhëm në Llap, në Podujevë, aty ku familja Bogujevci u masakrua nga forcat serbe, saktësisht njësiti famëkeq serb, i cili ka kryer krime të ëngjashme edhe në Srebrenicë. Kjo masakër është asgjë më pak se një dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë, i cili në këtë masakër ka vrarë edhe fëmijë, nga 2 deri në 15 vjeç. Kur e shohim sot, udhëheqësi i atij njësiti u lirua nga burgu për kinse sjellje të mirë, ndërsa para pak kohëve u zu dhe u dënua në Greqi si drejtues i një karteli droge”, tha Kurti.

Ndërkaq e mbijetuara e kësaj masakre, Saranda Bogujevci, tha se në gjithë këtë tragjedi, fati është se familja e saj ka pasur mundësi dhe ka punuar për dokumentimin e këtij krimi.

“Në këtë tragjedi kaq të madhe për neve dhe për mu si e mbijetuar e kësaj masakre, fati ka qenë që kemi mundur të punojmë në dokumentimin e krimeve të kryera në familjen tonë. Megjithatë, duhet punuar ende dhe shpresoj se edhe familjet tjera ta kenë të njëjtën mundësi”, tha Bogujevci.

E pyetur se a është bërë mjaftueshëm në zbardhjen e kësaj dhe masakrave tjera në vend, ajo theksoi se në drejtësi asnjëherë nuk është mjaftueshëm.

“Në drejtësi kurrë nuk është mjaftueshëm, kurrë. Por neve të gjithëve na mbetet që të punojmë që të vihen para drejtësisë të gjithë ata që kanë pasur gisht në krimet e ndryshme të kryera gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë”, tha Bogujevci.

Në familjen Bogujevci në Podujevë, më 28 mars 1999 janë vrarë 16 anëtarë, fëmijë, gra e pleq nga ushtria paramilitare serbe.

Ndërkaq, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, ka mbijetuar me 16 plumba në trup nga kjo masakër./arbresh.info/

Të ngjashme