Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka numëruar të arriturat e tre viteve qeverisjeje në arenën ndërkombëtare.
Me anë të një postimi në Facebook, ai përmendi liberalizimin e vizave, fuqizimin e pasaprtës, avancimin e statusit në NATO, si dhe përparimin në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, shkruan Arbresh.info.
Kurti tha se presin që Kosova të anëtarësohet, dy vjet pas dorëzimit të aplikimit.
“Vitin 2024 e filluam pa viza në Zonën Shengen e me pasaportë shumëfish më të fuqishme, të cilën nga janari na e njeh edhe Spanja. Vitin e katërt në qeverisje e filluam me lajmin e mirë për avancimin e statusit të Kosovës në nivel të anëtarit të asociuar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Po vazhdojmë me lajmin tjetër të mirë që morëm dje nga mbledhja e Komitetit për Çështje Politike, në procesin tonë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës – si shteti më i ri në organizatën më të vjetër ndërkombëtare në kontinent. Më 18 prill na pret Asambleja Parlamentare dhe një muaj më pas, në maj mbledhja e Këshillit të Ministrave të vendeve anëtare. Nga të dyja presim lajme të mira, pra që Kosova të anëtarësohet, dy vjet pas dorëzimit të aplikimit. Këto janë vetëm disa prej rezultateve. Sepse puna ka qenë e madhe, e gjatë dhe e pareshtur.”, ka shkruar ai.
Krahas aplikimit në Këshillin e Evropës, Kurti përmendi edhe aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Ndërkohë që jemi anëtarësuar në gjithsej shtatë organizata ndërkombëtare: ndër to në Partneritetin për Qeverisje të Hapur (OGP), Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), Shoqatën Evropiane të Kartës Rinore (EYC) e Institutin Ndërkombëtar të Studimeve Administrative (IIAS). “, ka shkruar mes të tjerash ai.
Kurti theksoi se gjatë këtyre tre viteve kanë luftuar me sukses fushatën e Serbisë për çnjohje.
Po ashtu, kreu i qeverisë tha se janë nënshkruar 230 marrëveshje ndërkombëtare dhe ndërinstitucionale të karaktereve të ndryshme.
“Subjektivitetin tonë ndërkombëtar e fuqizuam edhe përmes avancimit të marrëdhënieve bilaterale. Vendosëm marrëdhënie konsullore dhe hapëm misionin e parë në Poloni; hapëm Misionin Special në Selinë e Shenjtë të Vatikanit; vendosëm marrëdhënie diplomatike me Timorin Lindor; rikthyem marrëdhëniet diplomatike me Palaun pas pesë vjetëve mungesë; ngritëm përfaqësimin në Çeki në nivel të ambasadorit të plotfuqishëm; dhe avancuam statusin e Zyrës së Kosovës në Greqi, nga “Zyre e Tregtisë dhe Çështjeve Ekonomike të Kosovës në Athinë” në “Zyra e Interesave të Kosovës në Athinë”. Luftuam me sukses fushatën e Serbisë për çnjohje.”, u shpreh ai.
“Kemi mbajtur mbi 40 konsultime politike me vende të ndryshme. I kemi thelluar marrëdhëniet me shumë shtete edhe përmes emërimit të atasheve të mbrojtjes, numri i të cilëve është rritur për 50%. Kemi nënshkruar mbi 230 marrëveshje ndërkombëtare dhe ndërinstitucionale të karaktereve të ndryshme. Prej tyre marrëveshje bilaterale me vende si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Belgjika, Austria, Republika Çeke, Portugalia, Luksemburgu, Zvicra e Danimarka.”, ka shkruar mes të tjerash shefi i ekzekutivit.
Kryeministri Kurti përmendi edhe blerjen e objektebe të ambasadave.
“Objektet e ambasadës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëri të Bashkuar, Senegal, Kroaci dhe Strasburg i blemë për t’i bërë pronë të Kosovës, shtëpi të përhershme të Republikës sonë dhe për të nderuar marrëdhëniet tona me këto shtete. Në plan për blerje janë edhe objektet e ambasadave në Gjermani, Francë, Itali, Kanada dhe Turqi. Kjo është hera e parë që një qeveri që prej shpalljes së pavarësisë bën një investim të tillë që përveçse ka arsyeshmëri financiare ka edhe simbolikë të fuqishme politike.”, tha ai.
Ndërkaq, shtoi se në objektin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës vendosëm ligjshmërinë, shfuqizuam vendime arbitrare dhe punësime të jashtëligjshme.
“Kështu, rritëm nivelin profesional të diplomatëve dhe përmirësuam dukshëm shërbimet konsullore në ministri dhe në misionet jashtë vendit.”, përfundoi ai./Arbresh.info/
Jaha: Më 9 shkurt LDK-ja do të rikthehet si partia e parë në...
Katër vitamina dhe minerale të nevojshme për çdo shqiptar
“E di që do të na mungoj”, Arioni flet i përlotur pas largim...
Francë/ Teleferiku përplas stacionin e mbërritjes, 8 persona...
Gresa, Sara dhe Ana hamendësojnë për arsyen e daljes së Dian...
Kura kundër kolesterolit dhe dhimbjes së kyçeve, ja si ta pë...