Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi si zhvillim pozitiv dërgimin e letrës nga dhjetëra ligjvënës amerikanë e evropianë te zyrtarët e lartë në Bruksel, Uashington e Londër, përmes së cilës u kërkua ndryshimi i qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës më 9 gusht, Kurti tha se nënshkruesit e letrës shprehën mbështetjen e tyre për Kosovën dhe kërkuan qasje më të ashpër ndaj Serbisë “dhe rrezikut që veprimet e saj paraqesin për rajonin tonë”.
“Ne u jemi falënderues të gjithë përfaqësuesve politikë që i janë bashkuar kësaj thirrjeje të përbashkët, e mirëpresim secilin nënshkrim dhe mbështetje të radhës. Ky lloj i mbështetjes na e përforcon përkushtimin tonë për shtensionim të plotë të situatës në katër komunat në veri të Kosovës, angazhimin për demokraci dhe bindjen për ligjshmëri dhe kushtetutshmëri”, tha Kurti.
Në fillim të kësaj jave, deputetja britanike Alicia Kearns, publikoi letrën, të cilën sipas saj e kanë nënshkruar dhjetë kryetarë të komiteteve për punë të jashtme dhe 56 deputetë, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Kjo letër iu dërgua shefit të diplomacisë të bllokut evropian, Josep Borrell, kryediplomatit amerikan, Antony Blinken, dhe atij britanik James Cleverly.
Në letër u tha se “Kosova është përballur me pasoja të mëdha pas përpjekjeve të kryetarëve që të hyjnë në zyrat e tyre në veri të Kosovës”.
Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga fundi i majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaiviqit.
Kjo u kundërshtua nga serbët lokalë.
“Kosova duhet të koordinohet me KFOR-in në të ardhmen për të parandaluar përshkallëzimet. Por, mungesa e presionit ndaj Serbisë pas ndalimit arbitrar të tre policëve të Kosovës dhe dështimi për t’i mbajtur përgjegjës ata që kryen sulme ndaj KFOR-it vënë në pah mungesën e barazisë në adresimin e tensioneve”, u tha në letrën e ligjvënësve.
Në kohën e tensioneve në rritje, tre policë të Kosovës u arrestuan nga forcat serbe më 14 qershor. Kosova tha se ata u “rrëmbyen” brenda terrorit të saj, por Serbia tha se i arrestoi “thellë brenda” territorit serb. Policët u liruan më 26 qershor.
Letra është kritikuar nga kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, e cila ka thënë se ajo është “provë e gjallë” që homologu i saj kosovar, Albin Kurti, në të vërtetë gëzon “mbështetje dhe inkurajim të plotë për cenimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan”.
Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave kryesore të faktorit ndërkombëtar për uljen e tensioneve në veri, BE-ja ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
Megjithatë, Kosova është pajtuar me BE-në në një plan për shtensionimin e situatës, që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës.
Të hënën mblidhet Kryesia e Kuvendit
Prokuroria në Prishtinë ngriti 121 aktakuza ndaj 126 persona...
Era e fortë shkakton dëme në Durrës, palma bie në mes të tro...
Parandalohet edhe një rast i kontrabandës me mallra
Vengu në Pentagon: Biseduam për financimin e kapaciteteve të...
Çfarë duhet të dinin për Islandën – kundërshtarin e Kosovës ...