Google ADS

Kurti letër OSBE-së: Pa marrëveshje të posaçme s’ka zgjedhje serbe në Kosovë

13:24 | 20 Nëntor 2023
A Z

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e konsideron të domosdoshme nënshkrimin e një marrëveshje të posaçme me Serbinë, si dy shtete të pavarura, në mënyrë që t’u mundësohet më pas serbëve të Kosovës që kanë nënshtetësi të dyfishtë, të votojnë për zgjedhjet parlamentare në Serbi.

Këtë deklaratë Kurti e ka bërë në një letër që i ka dërguar shefit të OSBE-së me mision në Kosovë, Michael Davenport.

“Lidhur me çështjen e bashkëpunimit ndërshtetëror për votimin jashtë vendit, me qëllim që të mundësohet qytetarët e komunitetit serb në Kosovë me shtetësi të dyfishtë të votojnë në zgjedhjet serbe jashtë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, është e nevojshme një marrëveshje e veçantë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Kërkesa për këtë marrëveshje duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar. Dhe çdo kërkesë e tillë duhet të marrë për bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, si shtet i barabartë, në përputhje me nenin 2 të Marrëveshjes Themelore të arritur këtë vit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në letrën që Kurti i ka kthyer shefit të OSBE-së.

Kryeministri thotë se me këto kushte e inkurajon Serbinë që të negociojë një marrëveshje të tillë speciale me Republikën e Kosovës, duke zbatuar në këtë mënyrë, siç thotë Kurti, edhe një detyrim tjetër të Marrëveshjes Themelore, siç janë, “marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, në bazë të të drejtave të barabarta dhe reciproke dhe të drejtat e votuesve jashtë vendit”.

Kujtojmë se këtë letër të Kurtit dërguar OSBE-së e ka shpërndarë avokati Çedomir Stojkoviq. Ai nxjerr vetëm thelbin e kësaj letre, që është “respektimi i sovranitetit dhe nënshkrimi i një marrëveshje të veçantë me Kosovën”.

“Serbia e Aleksandër Vuçiqit ka kërkuar përmes OSBE-së që zgjedhjet e dhjetorit në Serbi të mbahen edhe në Kosovë. Qeveria e Kosovës u përgjigj: -Nuk ka asnjë problem, duhet vetëm që Serbia ta kërkojë nga Kosova si shtet sovran i barabartë siç është rënë dakord në nenin 2 të Marrëveshjes Themelore nga viti 2023, dhe një marrëveshje të tillë ta lidh me Kosovën si shtet sovran dhe të barabartë. Ne inkurajojmë Serbinë ta bëjë këtë”, citon Stojkoviq letrën e Kurtit.

Reagimi i Kurtit ka ardhur pas OSBE, viteve të mëhershme ka ndërmjetësuar për votimin e serbëve të Kosovës për zgjedhjet në Serbi. Por, kjo praktikë u ndërpre nga ardhja e Kurtit në qeveri, i cila nuk u lejoi serbëve kosovarë të votojnë për zgjedhje në Serbi pa marrëveshje reciproke.

Në zgjedhjet e fundit, serbët e Kosovës u organizuan me autobusë e vetura për të votuar në komunat afër Kosovës./rtk

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme