Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së fundmi ka shkruar për 108 vjetorin e vdekjes së Isa Boletinit, kryengritësit të paepur dhe prijësit të luftëtarëve për Kosovë të lirë dhe Shqipëri të pavarur.
Ai ka bërë një përmbledhje të jetës dhe veprimtarisë patriotike të Boletinit, duke treguar për periudhat kaotike në mes të Luftës së Parë Botërore, e deri tek libri që nipi i tij Tafil Boletini ka rrëfyer shumë episode me plot detaje për axhën e tij, te libri me kujtime “Pranë Isa Boletinit”, që është një dëshmi autentike e shkruar, fort e rekomanduar.
Postimi i plotë:
Sivjet në këtë 23 janar, bëhen 108 vite nga vdekja e Isa Boletinit, kryengritësit të paepur dhe prijësit të luftëtarëve për Kosovë të lirë dhe Shqipëri të pavarur!
Në një periudhë kaotike në mes të Luftës së Parë Botërore, kur Shqipëria ishte pushtuar nga disa ushtri të huaja, Isa Boletini gjendej i strehuar në Mal të Zi, i internuar pothuajse si një peng lufte. Ato ditë të fundit të jetës, Isa kishte qenë i sëmurë nga ethet që e kishin zënë sa ishte në Durrës. Shpresa e tij kishte qenë të arrinte të dilte jashtë, diku në ndonjë shtet neutral.
Pas disa zhvendosjesh sa në Has e sa në Shkodër, më 20 janar të vitit 1916, Isa Boletinin me burrat që e shoqëronin, autoritetet e atëhershme malazeze e vendosën në Podgoricë, në shtëpinë e Lumoviqit në “Stari Varosh”, në fund të qytetit. Një kapiten me tetë xhandarë e ruante gjithë kohën. Ato ditë, trupat austriake po përparonin drejt qytetit dhe qeveria malazeze ishte zhvendosur nga Cetina në Podgoricë.
Në këtë gjendje disa nga figurat më të larta ushtarake dhe politike malazeze, kurdisën një komplot ndaj Isa Boletinit. Data ishte 23 janar, viti 1916, ditë e diel. Paraditen e asaj të diele, dy xhandarë i thanë Isait se kinse e kishte thirrur për ta takuar Ministri i Luftës, Gjeneral Radomir Veshoviq. Ndërkaq, siç rezultoi më pas, ai kishte qenë një nga organizatorët kryesorë të atentatit ndaj Isa Boletinit. Isa shkoi, por i thanë të priste dhe të kthehej pasdite.
Atë pasdite, major Savo Llazareviqi, i njohur si Sava Batarja për vrasjet dhe krimet që kishte kryer në Malësi dhe Dukagjin, ishte ngarkuar me detyrën që t’ia dorëzonte qytetin trupave austriake. Por para kësaj, ai kishte marrë një detyrë specifike. Bashkë me 80 xhandarë, Savo Llazareviq i kishte ngritur pusi Isa Boletinit, rrugës kah ai do të shkonte në prefekturën e Podgoricës. Kur Isai arriti mbi urën e Ribnicës, sapo e identifikuan nga shtatgjatësia dhe nga mitani i kuq me gajtana të zi, i thirrën t’i dorëzonte armët, një gjë kjo e papërfytyrueshme për Isa Begun.
I pari prej xhandarëve shtiu Pero Buriqi nga Vasoviqi, pastaj vet Isai me njerëzit e tij i shkrepën revolet e tyre ndonëse në mes të breshërive. U hodhën edhe bomba dore nga të dy anët. Në ata pak minuta të shtënash, nëntë xhandarë malazezë u vranë e nja dymbëdhjetë u plagosën, kurse nga grupi i Isa Boletinit u vranë të gjithë. Atë ditë, më 23 janar 1916, mbetën të vrarë Isa Boletini me dy djemtë e tij, Halilin (24) dhe Seidin (18); dy nipat e Isait: Jonuzi (26) dhe Haliti (24); kunati i Isait, Hajdar Selimi nga Radisheva (30), bashkë me të nipin Idris Bislimin (18); si dhe Misin Niman Bala, një kushëri i Isait nga Isniqi.
Dy ditë më pas, më 25 janar 1916, trupi i Isa Boletinit dhe shtatë të tjerëve që u vranë me të, u varrosën në Podgoricë. Dy fjalime u mbajtën në atë ceremoni: njëri nga një kolonel austriak dhe një fjalim e mbajti Nasuf Dizdari nga Shkodra, që ndër të tjera tha: “O atdhetar i flaktë dhe trim i trimave të Shqipnisë, o sokol i nanës Kosovë dhe besnik i betuem i atdheut dhe mik i ngushtë i emi, Isë Boletini. Nuk po më trembin as topat, as pushkët, as bajonetat e ushtrisë së gjeneral Veshoviqit, as çetat serbo-malazeze, as gjendja e turbullueme që po kalojmë ne të syrgjynosunit e populli shqyptar “podgoriçan” në këto çaste për të folun këto pak fjalë n’emën të të syrgjynosunve”.
Një shekull më pas, në vitin 2015, eshtrat e Isa Boletinit u varrosën në Boletin të Mitrovicës, aty ku kishte lindur më 15 janar 1864. Tani, Qeveria e Kosovës ka nisur dy programe për Kompleksin e Kullave të Isa Boletinit në Boletin të Komunës së Zveçanit.
Isa Boletini ishte një luftëtar i paepur për të drejta politike të shqiptarëve dhe për pavarësinë e Shqipërisë. Ai i organizoi kryengritjet antiosmane bashkë me Hasan Prishtinën dhe u mundua ta mbronte popullsinë civile nga krimet e ushtrive serbe gjatë Luftës së Parë Ballkanike. Nuk është rastësi që një nga skenat hapëse të filmit të mirënjohur “Nëntori i dytë” (1982), është ajo e kuvendit të kryengritjeve të vitit 1912 e prirë nga Hasan Prishtina, kurse skena përmbyllëse e këtij filmi, është ajo e Isa Boletinit duke e puthur flamurin në Vlorë. Isai ishte pranë Ismail Qemalit në Vlorë kur u hodhën themelet e Shqipërisë së pavarur dhe e shoqëroi atë në delegacionin shqiptar në Londër ku u vendos fati politik i shqiptarëve. Isa Boletini ishte pranë Vilhelm Vidit në Durrës, Mbretit të Shqipërisë, ku trupat e tij vullnetare u bënë bërthamë e xhandarmërisë shqiptare.
Për ta njohur jetën dhe veprimtarinë patriotike të Isa Boletinit, nipi i tij Tafil Boletini ka rrëfyer shumë episode me plot detaje për axhën e tij, te libri me kujtime “Pranë Isa Boletinit”, që është një dëshmi autentike e shkruar, fort e rekomanduar.
Lavdi jetës heroike dhe veprës patriotike të Isa Boletinit./Arbresh.info/
Lela e zbulon planin e Drilonit me Anisën, jashtë BBVK3
Republikanët arrijnë marrëveshje për të shmangur mbylljen e ...
Haziri: Abdixhiku bëhet kryeministër më 9 shkurt dhe më 10 s...
Nuk e keni ditur por krehri i flokëve duhet të pastrohet çdo...
Noizy performon në Festivalin e Këngës në RTSh-së
Pranim-dorëzimi i detyrës së kreut të Kushtetueses, Rohde: E...