Google ADS

Kurti: Kur bëhet fjalë për SHBA-në dhe NATO-n nuk bëhet pyetja pse, ne themi vetëm si

22:30 | 29 Gusht 2021
Trina Galanxhi

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është deklaruar pas ardhjes së grupit të parë të refugjatëve afganë në Kosovë.

111 refugjatë afganë kanë arritur sonte në Aeroportin e Prishtinës, të cilët do të strehohen përkohësisht në Kosovë, pas largimit nga konflikti në Afganistan.

Kurti, i cili doli së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla për të pritur shtetasit afganë, ka thënë se kur është në pyetje një çështje humanitare dhe aleatët e Kosovës, janë të gatshëm gjithmonë.

“Ju thamë që janë mysafirët tanë dhe këtu janë të sigurt. Është nder për ne, është nder për mua që kemi mundësinë t’i ndihmojmë këta refugjatë që sikurse gjithë popujt dhe qytetarët tjerë në botë e meritojnë të kenë të drejta dhe liri. Kur është në pyetje një çështje humanitare, kur është puna tek aleatët tanë siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO, atëherë nuk bëhet pyetja pse, por ne themi vetëm si.

Pra, të gjitha çështjet që i diskutojmë janë të natyrës teknike e logjistike se si këta refugjatë të kalojnë sa më këtë në vijim pas një konflikti që kanë pas në atdheun e tyre”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se 22 vjet më parë NATO ka bërë ndërhyrje humanitare në Kosovë, ndërsa sot Kosova krah NATO-s ndihmon refugjatët.

“Para më shume se 22 vjetësh NATO bëri ndërhyrje humanitare në Kosovë për ta ndërprerë gjenocidin e Serbisë në Kosovë dhe tash ne krah lër krah me NATO-n ndihmojmë refugjatët tjerë, të cilët kanë nevojë për mbështetjen tonë”, ka thënë Kurti./telegraf/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme