Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka përkujtuar Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën në 42 vjetorin e vrasjes së tyre.
Kurti ka thënë se ata u vranë ashtu siç ishte organizuar nga shërbimet e fshehta të Serbisë që kishin bërë përvojë paraprakisht me atentate të ngjashme ndaj ekzilit politik kroat, përcjell Arbresh.info.
“Mes atentateve politike në historinë moderne të Kosovës, rasti i tyre paraqet një dosje më vete. Përmes saj mund të lexohet vet historia e ekzilit politik të shqiptarëve, përndjekja e tyre nga strukturat e sigurisë të Serbisë dhe historia e bashkëpunëtorëve të tyre. Atentati ndaj Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës u krye 42 vite më parë, më 17 janar 1982. Ata u vranë ashtu siç ishte organizuar nga shërbimet e fshehta të Serbisë, që kishin bërë përvojë paraprakisht me atentate të ngjashme ndaj ekzilit politik kroat”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook.
I pari i ekzekutivit kosovarë ka shpjeguar me detaje se si ka ndodhur vrasja e veprimtarëve politik, vëllëzërve Gërvalla dhe gazetarit Zeka.
Sipas Kurtit, vrasësi ishte i trajnuar dhe i ideuar politikisht teksa shton se ishte i stilit famëkeë të shërbimeve sekrete të Serbisë.
“Atë të dielë dimri dhe me borë në Gjermani, tre veprimtarët politikë shqiptarë të shënjestruar, Jusuf Gërvalla, vëllai i tij Bardhoshi dhe gazetari Kadri Zeka, sapo kishin dalë me makinë nga një garazhë në Untergrupenbach pranë Heilbronnit. Fare pak metra më tutje, dy persona anonimë kishin dalë nga një punishte ndërtimi dhe me revolet e tyre kishin shtënë 12 plumba në drejtim të makinës. Prej tyre, gjashtë plumba e kapën Bardhoshin që po e voziste makinën, kurse Jusufi dhe Kadriu u goditën me nga dy plumba. Një atentat i kryer qartazi nga vrasës të trajnuar dhe i ideuar politikisht, sipas stilit famëkeq të shërbimeve sekrete të Serbisë, që veçanërisht pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, i kishte ashpërsuar shumëfish përndjekjet, arrestimet, burgosjet dhe torturat mbi aktivistët politikë shqiptarë që i gjurmonte edhe jashtë shtetit”, u shpreh Kurti.
Sipas Kurtit, Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu janë kthyer në emra referencialë për të gjithë ata që janë angazhuar dhe kanë luftuar për lirinë e Kosovës.
“Rënia aq e bujshme e Jusufit, Bardhoshit dhe Kadriut si dhe jehona aq e gjatë e këtij atentati, nuk u përcoll deri në fund nga drejtësia. Por historia e veprimtarisë së tyre politike, pasuar nga veprat letrare të Jusufit dhe këngët e tij me Bardhoshin, sikur edhe profili prej gazetari dhe aktivisti i Kadriut, vetëm sa kanë shkuar duke u bërë më të kristaltë. Nga koha kur janë vrarë më 17 janar 1982 dhe deri sot pas 42 vitesh kur po i kujtojmë, Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu janë kthyer në emra referencialë për të gjithë ata që janë angazhuar dhe kanë luftuar për lirinë e Kosovës”, shtoi kryeministri.
“Lavdi Kadri Zekës dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallës, për veprat e tyre atdhetare dhe për jetën e dhënë në rrugën për lirinë e Kosovës!”, përfundoi Kurti./Arbresh.info
Policia e Shtetit: Do të garantojmë protestën e PD-së në Tir...
Hamza: Pagesa e TVSh-së për biznese do të bëhet pas shitjes ...
Abdixhiku: LDK-ja, e djathta dhe rugovizmi të bëhen bashkë d...
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...